Connect with us

Aktuale

Rruga “Muharrem Fejza” në gjendje të mjerueshme, komuna premton rindërtimin e tërësishëm

Published

on

Banorët në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 të kryeqytetit, po vazhdojnë të përballen me probleme të shumta. Rruga thuajse e shkatërruar, mungesa e trotuareve dhe vërshimet e ditëve të fundit po u shkaktojnë probleme banorëve të kësaj rruge.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të tyre që Komuna e Prishtinës të intervenojë në këtë rrugë, deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nga Komuna e Prishtinës thonë se procedurat për rindërtimin e kësaj rruge kanë filluar para 13 muajve por që janë bllokuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

E si zgjidhje të përkohshme, banorët sot kanë marrë zotim nga Komuna e Prishtinës që do të sanohen gropat deri në fillimin e punimeve për rindërtimin komplet të rrugës.

Dren Shahini, që banon në këtë rrugë, thotë se jetesa po bëhet e pamundur në këtë pjesë të kryeqytetit. Sipas tij, gropat e shumta që janë krijuar në këtë rrugë po u shkaktojnë edhe prishje të veturave.

“Problematikat janë të shumta të kësaj rruge, por më qenësorja tashmë është bërë rruga ‘Muharrem Fejza’ gropat që janë shkaktuar prej reshjeve, prej ndërhyrjeve ilegale që i kanë bërë ndërtuesit e rinj, prej ndërhyrjeve edhe legale por që nuk janë kthyer në gjendjen e mëparshme dhe pas reshjeve të shumta tashmë gropat janë pothuajse të pakalueshme. Rruga ‘Muharrem Fejza’ është kthyer në një rrugë tejet shqetësuese, stresuese për banorët këtu, e kushtueshme që besa sepse veturat po dëmtohen edhe me rrezikshmëri të lartë pasi që veturat duke iu shmangur gropës ka ndodhur që kanë kaluar edhe në trotuare ku kanë qenë këmbësorët”, tha ai.

Në këtë rrugë ka mungesë të trotuareve, e në ato pak metra ku ka hapësira për këmbësorë Shahini thotë se qytetarët nuk mund t’i shfrytëzojnë pasi që gjithmonë ka vetura të parkuara që ua pamundësojnë shfrytëzimin e tyre.

E reshjet e ditëve të fundit, sipas Shahinit, kanë ndikuar që rrugët e bodrumet e banesave të vërshohen nga kanalizimet.

“Vështirësitë kanë qenë kryesisht tek këmbësorët, nuk kanë mundur të kalojnë sepse uji kur mblidhet rrjedh në anën e poshtme andej ka kalojnë këmbësorët, është e tmerrshme se sa vështirë është të kalosh nëpër këtë rrugë kur ka reshje. Mandej bllokimi i bodrumeve të ndërtesave, futja e ujit të kanalizimit nëpër bodrume të ndryshme. Krejt këto e shkaktojnë një stres të paparë, është aq tronditëse aq e pabanueshme si lagje dhe si rrugë saqë nuk e di çka them”, u shpreh ai.

Ai ka kritika për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku thotë se përkundër ftesave të shumta që ia kanë bërë nuk i ka vizituar që nga viti 2016.

Edhe banori tjetër i rrugës “Muharrem Fejza”, Arbër Mehmeti, ankohet se jetesa po bëhet e vështirë në këtë pjesë të kryeqytetit. Ai thotë se rruga është e shkatërruar total dhe vazhdimisht është tejet e ngarkuar nga lëvizja e mjeteve të rënda që kalojnë në atë pjesë.

“Si po e shihni edhe vet kjo rrugë është jashtëzakonisht shumë e dëmtuar, ka mbingarkesë shumë të madhe…Qytetarët e kanë problem me ec në trotuare për shkak po e shihni edhe vet bëhen vend parkimet në mënyrë jashtëzakonisht të keqe. Rruga është e shkatërruar total, është një rrugë që në qytet sidomos në kryeqytet, por po them edhe në qytetet e Kosovës, nuk ishte dashur me qenë në këtë masë”, thotë ai.

Reshjet e ditëve të fundit, për banorin Isak Pireva kanë ndikuar që banorët të përballen edhe me vërshimet nga kanalizimi.

“Kjo pjesë e rrugës këtu është katastrofë nga këtu nuk është e bërë mirë, kanalizimi ose uji i shiut hyn edhe në lokale, nëpër banesat deri atje poshtë, aq katastrofë është sa nuk ka kush të interesohet që të vijë ta rregullojë siç duhet”, thotë ai.

Gjatë ditës së sotme banorët e rrugës “Muharrem Fejza” i ka takuar drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave të Komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti.

Ai për KosovaPress deklaroi se procedurat për rindërtimin e kësaj rruge i kanë filluar para 13 muajve, por që shtoi se procesi është bllokuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit ku pesë herë është kthyer në rivlerësim procedura.

Ai thotë se derisa të nënshkruhet kontrata për rindërtimin e kësaj rruge, do të sanojnë dëmet që janë në këtë rrugë.

E me të përfunduar procedurat, ai deklaroi se do të fillojnë me punimet në këtë pjesë të kryeqytetit, ku rruga do të ketë një gjerësi prej gjashtë metrave, dy metra trotuare, si dhe shtigjet për biçikleta. Ai po ashtu theksoi se kjo rrugë do të jetë një kahore me drejtim nga rrethi te Rruga C.

“Komuna e Prishtinës para 13 muajve ka filluar me procedurën për rindërtimin e rrugës ‘Muharrem Fejza’, në këtë rrugë është paraparë besoj që shumë shpejt do të fillojë implementimi i ekzekutimit të punimeve ku rruga do të ketë një gjerësi gjashtë metra, dy metra trotuar dhe dy metra shtigje të biçikletave. Do të jetë me standarde moderne dhe ne me padurim e presim fillimin e ekzekutimit të punëve, sepse më të vërtetë ka nevojë të madhe për implementimin e projekteve të Komunës së Prishtinës që është paraparë para 13 muajve. Kjo rrugë do të jetë një kahore, do ta shkarkojmë në masë të madhe edhe qarkullimin e automjeteve… Ne kemi filluar procedurat para 13 muajve, një gjë që do ta bëjmë do t’i sanojmë sa më shpejt dëmtimet që janë në rrugë, me përfundimin e procedurave sepse 5 herë është kthyer procedura në rivlerësim. Sot kam një lajm të mirë, shpresoj që ka përfunduar çdo procedurë dhe në momentin që nënshkruhet kontrata ne jemi të gatshëm me ekzekutimin e punimeve sipas planit”, u shpreh ai.

Mehmeti thotë se fillimi i punimeve në këtë rrugë do të varet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, por rindërtimin e kësaj rruge e sheh si të domosdoshme.

“Përgjegjësitë janë të ndara, ne planifikojmë që të ekzekutohen, por çështjet e OSHP-së nuk është në kuadër të komunës, janë procedura të nivelit të instancës së dytë që unë nuk kam ndikim dhe nuk kam të drejtë të kem ndikim në këtë procedurë… Rruga për shkak të ndryshimeve në planin urbanistik ka nevojë të madhe dhe ne për atë arsye që ka nevojë para 13 muajve kemi filluar me procedura që kjo rrugë të rindërtohet. Do të thotë janë të arsyeshme kërkesat e banorëve sa i përket rindërtimit të rrugës, por prapë siç e thash më parë do të kemi një rrugë moderne”, theksoi ai.

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” edhe më parë kanë mbajtur protesta për shkak të dëmtimeve të rrugëve e vërshimit nga kanalizimet./KsP/

Aktuale

Cilat janë ndryshimet në dënime me Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor?

Published

on

Në muaji prill të këtij viti do të fillojë të zbatohet Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor pasi Ligji është votuar në Parlament dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024.

Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që pritet të dënohen shumë më ashpër sesa me Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor.

Sipas Ligjit të ri, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dhe hyn në fuqi më 03.04.2024, parashihet që dënimi me gjobë për personat që nuk vënë rripin e sigurisë të jetë 150 euro. Mosvënia e rripit të sigurisë me Ligjin e kaluar dënohej me 40 euro gjobë.

Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit. Këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative.

Nëse veprimi i njëjti i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj.

Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

40 euro dënim me gjobë është ajo çfarë kishte paraparë Ligji aktual për vozitësit që kapen duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.

Ligjvënësi ka paraparë që të ashpërsojë dënimin edhe ndaj këmbësorëve që në vendkalimin për këmbësorë përdorin telefonin apo dëgjuese me të cilat do të mund të humbnin koncentrimin.

Ligji i ri ka paraparë dënimin deri në 50 euro gjobë kurse Ligji i vjetër (aktual) këtë veprim të këmbësorit e kishte konsideruar si kundërvajtje, e cila dënohej me 40 euro gjobë.

Tutje, Ligji i ri parasheh dënime me të ashpra për vozitësit të cilët nuk e respektojnë shpejtësinë e rekomanduar.

Kështu nëse një vozitës jashtë zonës së banimit, pra në autostradë dhe në magjistrale, vozit me mbi 100km/h më shumë se shpejtësia e lejuar, ai do të dënohet me 500 euro gjobë, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe 6 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit.

Ndërsa Ligji i vjetër, për tejkalimin e shpejtësisë jashtë zonës urbane, kishte paraparë dënimin prej 200-600 euro gjobë, nëse tejkalimi i shpejtësisë ka qenë 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar. Krahas gjobës, nëse është tejkaluar shpejtësia ishte paraparë shqiptimi i 3 pikëve negative dhe 3 muaj do t’i ndalohej vozitja e automjetit.

Ligji i ri ka paraparë dënime më të ashpra edhe nëse vozitësit bëjnë gara jashtë vendbanimeve apo brenda vendbanimeve.

Kushdo që bën gara jashtë vendbanimit do të dënohet me Ligjin e ri me 400 euro gjobë, shqiptimin e katër pikëve negative dhe 10 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit. Kurse nëse garat bëhen brenda vendit ku ka banim, dënimi do të jetë më i ashpër prej 500 eurove dënim me gjobë, shqiptimin e pesë pikëve negative dhe 12 muaj do t’i ndalohet personit që të vozitë automjetin.

Ligji i vjetër nuk kishte bërë diferencimin për garat që zhvillohen brenda apo jashtë vendbanimit. Si dënim për këdo që bën gara, më Ligjin e vjetër ishte paraparë dënimi me gjobë prej 100-300 euro.

Tutje, Ligji i ri ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër (aktual).

Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër.

Kushdo që ka pasur të vendosur folie apo ndonjë material tjetër me të cilin do t’i ndihmonte në errësimin e xhamave të veturës me Ligjin e vjetër ishte dënuar me 60 euro dënim me gjobë. Ligji i ri nuk ka specifikuar asnjë nen apo paragraf me të cilën do ta rregullonte këtë veprim të shoferit.

Kallxo.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të kërkuar sqarim lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ligji i ri ka paraparë dënime edhe për vozitësit të cilët bëjnë tejkalime në vijë të plotë. Gjoba për këtë veprim do të jetë 200 euro, shqiptimi i 2 pikëve negative dhe 3 muaj ndalim të drejtimit të automjetit.Ligji i vjetër kishte paraparë dënimin me gjobë nga 100-300 euro, 3-6 muaj ndalim të vozitjes dhe 2 pikë negative.

Ajo çka konsiderohet risi në këtë Ligj është përcaktimi i rregullave për vozitësit e trotineteve elektrike.Personat nën moshën 16-vjeçare nuk kanë të drejtë të ngasin trotinet. Nëse një gjë e tillë ndodh qiradhënësi do të dënohet me gjobë në shumën prej 500 euro, prindi dhe kujdestari i fëmijëve do të dënohen me gjobë në shumën prej 100 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Çka parasheh Ligji i ri i trafikut rrugor për ngasësit e trotinetit elektrik?

Published

on

Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, i cili pritet të hyjë në fuqi në fillim të muajit prill, ka paraparë rreth tri dispozita ligjore që specifikojnë mënyrën se si do të veprohet në trafik me trotinet elektrik.

Ky Ligj pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm (prill 2024) pasi është votuar në Parlamentin e Kosovës dhe është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani më 11.03.2024.

Sipas Ligjit të ri, drejtuesit e trotinetit elektrik duhet të lëvizin në shiritin e biçikletave ose në shtegun e përbashkët për biçikleta dhe për këmbësorë.

Shpejtësia me të cilën lejohet të operojë një trotinet elektrik do të jetë 25 km/h e kushdo që nuk e respekton këtë kufizim do të ndëshkohet me 150 euro gjobë dhe do t’i konfiskohet trotineti për 3 muaj, shkruan Kallxo.com

Sipas Ligjit të ri do të dënohet me 150 euro gjobë dhe 3 muaj do t’i konfiskohet trotineti elektrik kushdo që e nget në zonën për të cilën nuk është përcaktuar lëvizja e tij.

Kështu, me 150 euro dhe 3 muaj konfiskim të mjetit do të dënohet personi që vozit trotinetin në trotuar dhe në hapësira të tjera të parapara për këmbësorë/sheshe.

Fëmijëve nën moshën 16-vjeçare nuk do t’u lejohet që të vozisin trotinetin në rrugët publike. Nëse një gjë e tillë ndodh prindi ose kujdestari i fëmijës do të dënohet me gjobë në shumë prej 100 euro. Kurse qiradhënësi do të dënohet me 500 euro dënim me gjobë.

Sipas Ligjit të ri, në trotinet nuk do të lejohen dy apo më shumë persona, sepse në të kundërtën do të dënohen me gjobë prej 100 euro dhe do të konfiskohet mjeti për 3 muaj.

Ligji ka paraparë se nëse vozitësi i trotinetit elektrik manovron me një rrotë, vozit më dëgjuese, dhe vozit pa dy duart do të dënohet me gjobë në shumë 40 euro.

Ligji i ri i cili pritet të zbatohet që nga muaji prill ka shfuqizuar Ligjin për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.

Continue Reading

Aktuale

UNOPS Kosova organizoi trajnim dy ditor për sigurinë në kantiere ndërtimi  

Published

on

UNOPS Kosova organizoi një Trajnim 2 ditor për Shëndetin, Sigurinë, Socialin dhe Mjedisin (HSSE) me pjesëmarrës nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Universiteti i Prishtinës.

Qëllimi kryesor i trajnimit ishte pajisja e pjesëmarrësve me konceptet kryesore të shëndetit dhe sigurisë në projektet e ndërtimit.

Vështrimet kryesore nga trajnimi:

Kuptimi gjithëpërfshirës dhe respektimi i rreptë i Rregullave të Artë të UNOPS për trajtimin e rreziqeve fatale ose të rëndësishme

Zbatimi i aftë i vlerësimeve dhe inspektimeve të plota të rrezikut në terren

Duke dhënë prioritet sigurinë dhe mirëqenien e çdo individi të përfshirë në projekt.

Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit për ndërtimin e objekteve të reja për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës dhe me mbështetjen e UNOPS HSSE Unit.

Siguria është prioriteti ynë kryesor dhe ne jemi të përkushtuar të krijojmë një mjedis të sigurt pune për të gjithë./Media Ndërtimi

 

Continue Reading

Trending