Connect with us

Aktuale

Rregullorja e re, leje ndërtimi edhe rreth objekteve kulturore

Published

on

Qeveria shqiptare ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në Rregulloren e Planifikimit të Territorit, duke lejuar që, në zonat turistike bregdetare, intensiteti i ndërtimit dhe koeficienti i shfrytëzimit të tokës në nivel zone të banuar të rriten mbi atë ekzistues, pavarësisht nivelit ekzistues të urbanizimit.

Rregullorja e re ka hequr kufizimin e ndalimit në një brez më pak se 100 metra.Kjo ishte ndaluar shprehimisht nga Rregullorja e mëparshme, e miratuar dy vjet më parë, më 29 korrik të vitit 2015. Në këtë mënyrë, tani institucionet shtetërore që japin lejet e ndërtimit mund të lejojnë që në këto zona banesat dhe objektet e ndryshme tregtare të jenë më të shumta e më të dendura se sa deri tani dhe po ashtu koeficienti i shfrytëzimit të tokës nga investitori të jetë më i lartë se nivelet e lejuara aktualisht.

Rregullorja e re e Planifikimit të Territorit ka hyrë tashmë në fuqi, pas publikimit në Fletoren Zyrtare të radhës dhe masi ishte miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 22 nëntor 2017. Ajo hartohet në zbatim të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me qëllim përmbushjen dhe shtjellimin e përcaktimeve të tij. Rregullorja e planifikimit të territorit paraqet rregulla të unifikuara për strukturën, përmbajtjen dhe hapat e hartimit, zbatimit, monitorimit të zbatimit të planeve, me qëllim detajimin e procedurave të planifikimit në nivel qendror dhe vendor dhe arritjen e njëtrajtshmërisë së formës e të strukturës së dokumenteve të planifikimit në zbatim të ligjit.

Ndryshimi i mësipërm duket se është kërkuar me forcë nga investitorët në fushën e turizmit, të cilëve iu është hapur së fundmi drita jeshile nga ana e Ekzekutivit, sidomos me lëshimet e bëra në Paketën Fiskale të vitit 2018, ku hoteleve me 5 yje u mundësohet mospagimi i taksave për një periudhë disavjeçare. Por në Rregulloren e re të Territorit nuk bëhet dallim vetëm në favor të objekteve të luksit, kështu që lejet për një koeficient më të lartë të shfrytëzimit të truallit mund t’u jepen paskëtaj edhe hoteleve shumë më modestë. Por një gjë e tillë kufizon edhë më tej hapësirat e gjelbëra dhe pasuritë e tjera natyrore, në favor të shfrytëzimit maksimal të terrenit për ndërtime.
Ndërkohë, ka mbetur në fuqi e njejta distancë, që duhet respektuar në zonat turistike në bregdet dhe liqen për rrugët e reja për qarkullimin tranzit të kategorive “autostradë” dhe “rrugë interurbane”. Këto të fundit lejohet të ndërkohen në largësi nga vija e bregut, jo më afër se 300 metra në distancë reale dhe normale me vijën e bregut përgjatë gjatësisë së saj. Veç kësaj, rrugët e nevojshme të shërbimit për këto kategori nuk vendosen në hapësirën midis rrugës dhe bregut.

Objektet kulturoreNdërkohë, një ndryshim tjetër, i cili nuk mund të mos bjerë në sy, është ai që lidhet me brezin rrethues të objekteve që janë klasifikuar si monumente kulture. Deri tani, në fuqi ka qenë norma që, rreth objekteve, të cilët klasifikohen si monumente kulture, përcaktohet një sipërfaqe toke e pandërtueshme si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistike, territoriale dhe estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike e mjedisore.Në rast se përmasat nuk janë përcaktuar në ligj apo akte nënligjore dhe zona mbrojtëse nuk është shpallur ende nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, gjerësia e vazhduar e saj nuk duhet të ishte më e vogël se 100 metra, thuhej në Rregulloren e 2015-ës.

Pikërisht kjo klauzolë e fundit është hequr tani nga qeveria. VKM-ja e fundit përcakton thjesht se “Përmasat e zonës mbrojtëse dhe rregullat e kushtet zhvillimore në të përcaktohen në përputhje me legjislacionin e posaçëm për trashëgiminë kulturore dhe me ligjin”. Në këtë mënyrë, nuk ka më një ndalim për të lejuar ndërtime në afër se 100 metra nga objekte të trashëgimisë kulturore të vendit. Në këtë mënyrë, një kryetar bashkie mund të japë leje që të ndërtohet një lokal ngjitur me muret e një kalaje apo ministrja e Kulturës për të ndërtuar në Parkun e Butrintit.

Brezat e ndaluarRregullorja përcakton që, në territorët turistike bregdetare, ku ka një brez të ndaluar për ndërtime, përmasat e brezit të ndaluar duhet të rriten në përpjesëtim të drejtë me arsyen për mbrojtje, në rast se kushtet fizike të bregut ujor janë të tilla, që tokat janë të përmbytura ose kërcënohen nga përmbytja, rrëshqitja, erozioni dhe paqëndrueshmëria e tokave; bartin vlera natyrore, ekonomike, peisazhistike, vlera kulturore, mjedisore, të cilat mbrohen nga dispozita ligjore sektoriale në fuqi; bartin çështje të rëndësisë kombëtare, të cilat ruhen dhe/ose zhvillohen sipas legjislacionit të posaçëm.

 

Aktuale

Festivali të Arkitekturës dhe Dizajnit ‘Concéntrico’, shënon edicionin jubilar në Spanjë

Published

on

Nga 25 prilli deri më 1 maj 2024, në qytetin spanjoll Logroño, Concéntrico përgatitet për edicionin e tij të 10-vjetorit. I parashikuar si një soditje e ndryshimit të mjediseve urbane dhe një mundësi për të ndarë njohuri rreth këtyre proceseve, Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës dhe Dizajnit të këtij viti përfshin formate të reja për të angazhuar një audiencë më të gjerë dhe për të eksploruar kohën si një katalizator për ndryshimin në dizajnin urban dhe social.

Festivali zgjeron programin e tij, duke shfaqur 21 instalime nga dizajnerë të 20 kombësive të ndryshme, përveç disa nismave dhe eksplorimeve të tjera.

Instalacionet urbane përfaqësojnë ndoshta aspektin më të dukshëm dhe më tërheqës të festivalit, duke eksploruar temën përmes dizajnit dhe duke synuar të gjenerojë ndërveprime midis arkitektëve dhe publikut më të gjerë. Që nga viti 2015, festivali ka krijuar mbi 120 instalime urbane.

Këtë vit, arkitektët dhe projektuesit e ftuar propozojnë një shumëllojshmëri të gjerë qasjesh, nga rinatyrëzimi i hapësirave publike, tek riinterpretimi i metodave popullore, ripërdorimi i materialeve nga botimet e mëparshme, krijimi i eksplorimeve përmes lëvizjes ose sfidimi i konceptit të strehimit. Eksploroni listën e plotë të instalimeve urbane të ardhshme të përgatitura për këtë edicion.

Edicionet e mëparshme të festivalit mirëpritën ndërhyrje nga dizajnerë të njohur dhe të ardhshëm, duke përfshirë Studio Ossidiana, Tudor Vlāsceanu Architect, Rintala Eggertsson Architects ose Piovenefabi. Duke hapur biseda rreth komunitetit dhe identiteteve lokale, si dhe çështjeve të përfshirjes, ndryshimit të përkufizimeve të familjeve apo sfidave të ekologjisë, festivali përfaqëson një mundësi për eksplorim përmes dizajnit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës për periudhën 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending