Rodiqi: Në Kosovë ndoshta 95% të projekteve ndërtimore nuk realizohen me dinamikën e duhur

0
Ilir Rodiqi

Uran Haxha dhe Toska Gjikolli

Profesor Ilir Rodiqi në pjesën e dytë të intervistës flet për dinamikën si element përbërës i menaxhimit të ndërtimit dhe për projektet që në Kosovë nuk realizohen në përqindje të madhe me dinamikën e duhur.

Ilir Rodiqi ka një përvojë mbi 20 vjeçare në menaxhimin e ndërtimit, teksa një kohë të gjatë ka punuar me projekte ndërkombëtare. Ai punon nga viti 1998 në Universitetin e Prishtinës si ligjërues, pas tetë vjetësh që kishte punuar si asistent. Ka një numër të madh punimesh kërkimore.

Ai në këtë intervistë ekskluzive për Ndertimi.info tregon se si nuk ka një “kujdestar” që do të mbikëqyrte projektet që ato mos të vonohen. Gjithashtu, Rodiqi thotë se nuk ka një cikël të mirë bashkëpunimi arsim-institucione-kompani private.

Për të lexuar pjesën e parë të intervistës klikoni këtu: “Rodiqi: As 10% e ndërtuesve nuk e marrin parasysh menaxhimin e ndërtimit”   

Më poshtë keni pjesën e dytë të intervistës.

Po flasim për dinamikën e ndërtimeve. Sa shkakton problem dinamika jo normale në Kosovë, sikur për shembull në bllokim të rrugëve?

Dinamika është pjesë përbërëse dhe qëndron në thelb të menaxhmentit. Menaxhimi i ndërtimit gjithmonë duhet ta bëj dinamikën, të punohet puna në kohë, me cilësi dhe standarde të cilat kërkohen, pa lënë anash punën me një kosto e cila është e pranueshme. Kur jemi te kosto, ajo mund të tejkalohet deri në një nivel që është e pranueshme, sepse ndërtimi asnjëherë nuk mundet me qenë 100 % i planifikuar paraprakisht. Në këtë rast dinamika është esenciale, mirëpo dinamika nuk mund të realizohet nëse menaxhmenti i projekteve në ndërtim është joefikas dhe kjo është arsyeja pse dinamika në Kosovë nuk realizohet. Në Kosovë ndoshta 95% e projekteve nuk realizohen në dinamikë arsyeja është se menaxhimit të projekteve nuk i kushtohet rëndësi  e duhur.

Arsyeja tjetër është mos organizimi i sektorit  të ndërtimit  në nivel të shtetit, nëse shteti nuk ka iniciativë, nuk i jep rëndësi sektorit të ndërtimit si sektor e si industri ndërtimore, atëherë këtu hyn edhe rregullativa dhe mekanizmat tjerë administrativë për t’i implementuar projektet e ndërtimit në atë rast rregulli dhe përshtatja e sistemit të prokurimit, si  tek institucionet publike siç është rasti më këtë gropën e operës (pranë Fakultetit Teknik), është së pari problem i institucioneve publike, i ministrive të cilat  nuk janë koordinuar në kohë për ta kryer projektin. Nuk është problem vetëm i firmave, por kemi të bëjmë me një sistem të komplikuar të cilit  nuk i japim rëndësi sa duhet  dhe pastaj kjo përcillet në mënyrë zinxhirore deri tek firmat, të cilat nuk kanë obligim dhe përgjegjësi për ta realizuar punën në kohë për arsye se në shumë raste janë vetë investitor dhe askush nuk i obligon për ta kryer punën në kohë. Nuk kanë as penalitet e as kontrolle ligjore. Kjo pastaj e “relakson” kryerësin e punëve.

Cilat do të ishin hapat që kompania ndërtimore ose shteti do të duhej të merrte që të mos kemi zgjatje të projekteve jashtë afatit kohor të përcaktuar?

Kur firma është vetë investitor duhet vetë të vetëdijesohet si firmë, sepse sa më shpejtë që  e ndërton objektin aq më shpejtë e shet dhe këtu është efikasiteti i firmave që tash kalon në strategjinë e firmave, në menaxhmentin e ndërmarrjes. Tek këto ndërmarrje që investojnë vet mundet deri diku të ndikojë edhe komuna, mirëpo inspektorati i komunës nuk merret shumë me dinamikën e ndërtimit sepse ajo merret me dinamikën e projekteve të veta, p.sh. investimi në një rrugë ku i përcjellë zhvillimin e punimeve.

Vetëdijesimi i bizneseve private do të bëhej përmes bashkëpunimit në mes të bizneseve, qeverisë shteti ose institucioneve qendrore ose lokale dhe në mes të universitetit. E këtu nuk ka bashkëpunim. Na mungon një bashkëpunim më i theksuar, që do të thotë se nëse ne do të kemi më shumë seminare, trajnime për firma, atëherë ata gradualisht vetëdijesohen. Ekziston teoria e menaxhimit financiar të projekteve e cila në botë është shumë e zhvilluar, e që është mjaft e komplikuar. Kjo teori përfshinë edhe kalkulimin e riskut, si një prej elementeve qenësore, por tek ne pothuajse nuk bëjmë menaxhim financiar. Kemi pak firma që e punojnë mirë menaxhimin financiar. Një dukuri që ndodhë në Kosovë, pra që lidhet me menaxhimin financiar është një prej arsyeve pse vonohen punët. Firmat tona marrin disa projekte dhe meqë marrin disa projekte i përziejnë të hollat e projekteve dhe resurset.  Në momentin kur unë e marr një projekt dhe të hollat e  një projekti i shfrytëzoj tek projekti tjetër, unë  e dobësoj projektin e parë sepse nuk kam të holla për projektin e parë, pasi të hollat kanë shkuar për projektin tjetër. Ky është shumë problem i madh në Kosovë.

A ka perspektivë për gjeneratat e reja, nëse ato profilizohen në menaxhim të ndërtimit?

Gjeneratat e reja nëse nuk dalin jashtë, këtu  e kanë një perspektivë sepse sot kam shumë kolegë që janë jashtëzakonisht menaxher të mirë. Janë disa  të angazhuar në institucione të shtetit që kryejnë punë të mirë mirëpo ka pak të tillë. Përndryshe sot kur janë tenderët e mëdhenj, nuk është lehtë të gjesh menaxher të projekti i cili ka edhe përvojë edhe dije. Ka të interesuar, por kërkohet jo vetëm interesimi dhe vullneti për të mësuar, për arsye se kjo lëmi është lëmi që gërshetohet me shumë lëmi tjera. Si rrjedhojë kërkohet non-stop mësimi i gjërave të reja.

Kur e sheh në të ardhmen një vetëdijesim të kompanive private apo institucioneve në Kosovë që të bëjnë një rregullim ligjor në lidhje me menaxhimin e ndërtimit, që të paktën dinamikën do ta rriste?

Në afatin kohor si shtet, ne jemi një shtet i ri dhe në këtë drejtim është një dinamikë e avancimit  të këtyre proceseve. Tjetër është që ne nuk jemi të kënaqur me avancimin që është bërë, nga syri jonë si profesionistë. Ne kemi dëshirë  të ketë një avancim më të shpejtë, për këtë arsyeje një element me rëndësi si pikë kritike që  është përkrahja e institucioneve dhe menaxhmentit ndaj proceseve të duhura. Përkrahja e institucioneve nënkupton që institucionet mendojnë çfarë duhet të bëjnë dhe implementojnë ose instalojnë mekanizma se si të arrihet deri tek realizimi  i ideve. Momentalisht nuk ka përkrahje të institucioneve që të përfundohet një punë më mirë në ndërtim. Njëkohësisht menaxhmenti i cili një inxhinier të ri nuk e vlerëson dhe aftëson, por e hesht me një vend të punës jo adekuat, atëherë ai menaxhmet është i dobët.

Sa është i lidhur cikli arsim-institucione-kompani private ?

Kompanitë dhe profesionistët janë shumë të interesuar që të thithin njohuri. Problemi është tek mekanizmat që i  përmenda e që nuk funksionojnë. Tek ne nuk funksion mekanizmi i angazhimit ose i  përkrahjes së institucioneve të dijes, ku këtu mund të hyjnë universitetet, institutet dhe think tank (v.j. grup i ekspertëve që ofrojnë këshilla). Këto institucione të cilat janë institucione të dijes do të duhej të kenë një mekanizëm të përkrahur nga qeveria, të përkrahur edhe nga donatorët, ku besoj se i kishin financuar, por që duhet të jetë mekanizëm i yni personal, jo i imponuar nga dikush i jashtëm. Të gjitha gjërat cilësore sa i përket kualitetit të sistemit të punës e të ligjeve, nuk duhet me qenë iniciativa të të huajve, sepse iniciative dhe vullneti duhet të fillojë prej këtu.

Në shtetet e zhvilluara e gjithë ekonomia varet nga inovacioni, kurse inovacioni rrjedh prej burimeve të dijes. Nëse nuk ka inovacion atëherë shteti nuk është konkurrent. Unë jam përkrahës i idesë që ndërtimtaria jonë me qenë konkurrente në botë. Nëse ndërtimtarinë  e planifikojmë me qenë konkurrente në botë atëherë na mundemi të fillojmë ndryshimit e gjërave në Kosovë, edhe vetë ndërtuesit e gjejnë mënyrën se si të depërtojnë, ndërsa nëse ne jemi pasivë ata do të punojmë vetë dhe nuk do të kemi përkrahje.

A është ndërtimtaria kuadër deficitar?

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani në një ligjëratë në Prishtinë para dis vitesh ka thënë që është koha e cilësisë dhe jo koha e kuantitetit. Cilësia arrihet me angazhimin e të gjithëve, nuk mjafton vetëm angazhimi parcial por angazhim i të gjithëve në mënyrë të koordinuar. Kuadri i ndërtimit nuk është deficitar, por duhet ta rrisë cilësinë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here