Connect with us

Aktuale

Rodiqi: As 10% e ndërtuesve nuk e marrin parasysh menaxhimin e ndërtimit

Published

on

 

Uran Haxha dhe Toska Gjikolli

Ilir Rodiqi është profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Ai është ndër të paktët që flet për menaxhimin e ndërtimit, si degë studimi dhe pune. Madje sipas tij, në Kosovë menaxhimi i ndërtimit ka hise në kompani më pak se 10% dhe është problem i cili nuk është hapur më parë sa duhet.

Ilir Rodiqi ka një përvojë mbi 20 vjeçare në menaxhimin e ndërtimit, teksa një kohë të gjatë ka punuar me projekte ndërkombëtare. Ai punon nga viti 1998 në Universitetin e Prishtinës si ligjërues, pas tetë vjetësh që kishte punuar si asistent. Ka një numër të madh punimesh kërkimore.

As aspekti ligjor nuk përcjell këtë angazhim për menaxhim të ndërtimit. Rodiqi në një intervistë për Ndërtimi.info ka shtruar gjerë e gjatë problemin që rrjedh nga mosangazhimi i menaxherëve të ndërtimit në vendin tonë.

Më poshtë mund të lexoni pjesën e parë të intervistës.

Sa është i rëndësishëm menaxhimi i ndërtimit në Kosovë , dhe sa e respektojnë si sektor në ndërtim?

Nëse flasim konkretisht për menaxhimin  e ndërtimit në Kosovë, ta shikosh me përqindje ndoshta as 10% nuk merret parasysh menaxhmenti i ndërtimit në punët ndërtimore dhe për këtë ka shumë arsye. Njëra prej tyre është se menaxhimi i ndërtimit, në Kosovë nuk ka qenë si lëmi e zhvilluar në kohën ish-socialiste, në aspektin teorik. E dyta kur ka filluar një angazhim më i madh i fakultetit në aspektin teorik të menaxhimit, atëherë rregullativa nuk  e ka përcjell kërkesën të cilën e ka dhe duhet ta ketë industria e ndërtimit për një disiplinë dhe rregull në punë. Për shkak  të implementimit të dobët të rregullativës, gjegjësisht për shkak të obligimeve të vogla që i kanë punëkryerësit dhe për shkak të çmimit të ulët, atëherë vjen deri te ajo që menaxhimit nuk i jepet rëndësi, për shkak se ai është apo kosto shtesë, të cilën nëse nuk e ki obligim që të aplikosh, atëherë edhe nuk e aplikon.

Në njëfarë forme kjo ka mbet kryesisht në vullnetin e ndërtuesve, nëse dëshirojnë ta kenë një menaxher të ndërtimi ose jo?

Kjo ka mbetur kryesisht në vullnetin e ndërtuesve dhe pjesërisht në vullnetin e investitorëve dhe deri diku ka filluar me disa komuna të cilat janë të vetëdijshme, se duhet me sjell pak rend në këtë drejtim. Do të thotë ka filluar diçka, por që nuk është e mjaftueshme.

Kur kanë filluar kompanitë e ndërtimit të vetëdijesohen që duhet të bëhet një plan i menaxhimit të ndërtimit, sepse kostot e humbjes kanë qenë më të mëdha se kostot e planifikimit?

Problemi është që kemi të bëjmë me individë, d.m.th. nëse individët janë të vetëdijshëm ose e shohin të arsyeshme ta bëjnë menaxhimin e ndërtimit në një nivel ma të lartë e bëjnë. Edhepse ashtu si duhet të punohet Menaxhimi i Ndërtimit në Kosovë nuk bëhet, ose shume rrallë bëhet. Edhe kur bëhet, nuk është në mënyrë të integruar në sistem. Ndërtimtaria funksion në atë mënyrë që menaxhimi i ndërtimit është pjesë përbërëse funksionale, pjesë përbërëse e detyruar, e obligueshme dhe pjesë përbërëse e kërkuar.

 

Cili është roli i menaxherit të ndërtimit? Cilat janë punët e tij dhe përgjegjësia e tij?

Te menaxhimi i ndërtimit, zakonisht janë tri nivele, ku është pak vështirë ta shpjegosh gjithë konceptin sepse është pak më i komplikuar për shkak se ka shumë pjesëmarrës. Te menaxhimi i projektit me rëndësi është menaxhimi i projektit si ”project management“ ose si menaxhim projektesh dhe menaxhimi i punishtes në nivelin e punishtes, që nuk është një lloj  i pastër i menaxhimit të projekteve, por është një kombinim i menaxhimit të projekteve dhe menaxhimit operativ, në të cilin gërshetohet angazhimi i teknologjisë dhe i projekteve. Ekziston teoria e cila e studion menaxhimin e projekteve në tërësi dhe mund të aplikohet në të gjitha fushat. Pastaj ekziston aplikimi i kësaj teorie në ndërtimtari dhe ky është një nivel më i lartë i menaxhimit të projektit, në të cilin menaxheri i projektit merret më shumë me çështjen e koordinimit të punëve, me investitorin, me kryerësin e punës, me mbikëqyrësin dhe me dinamikën e punës në përgjithësi. Kurse menaxhimi në ndërtim të punishtes më shumë merret me operativë dhe realizimin e punëve drejtpërdrejtë në punishte. Niveli i tretë është niveli i menaxhimit të ndërmarrjes ndërtimore.

A vërehen mungesa e menaxherit të ndërtimit në dukje të parë të një vendpunimi, në syrin tuaj si profesor?  

Këtë e kam “deformim profesional – Vrojtimi im sa i përket menaxhimit të ndërtimit është jashtëzakonisht  i mbrehtë. Sot si model në menaxhimin  e ndërtimit është ndërtimi i Ambasadës Amerikane, ku kemi nivel të lartë të menaxhimit. Punishtet tona nuk kanë gardh, ndërsa kohëve të fundit me vetëdijesimin që e përmendem më parë, kanë filluar që t’i rrethojnë punishtet me gardh. Një vrojtim që është shumë i rëndësishëm është se disa firma kanë avancuar tek mbrojtja në punë dhe pajisjet të cilat po i përdorin punëtorët. Deri para disa vjetëve punëtorët pothuajse nuk kanë pasur mbrojtje ne punë, as veshje, as helmeta e  as këpucë. Sot gjendja nuk është e kënaqshme, por kemi iniciativa prej firmave që kanë tesha, helmeta e këpucë së paku në nivel të nevojshëm për kujdes. Mirëpo kemi shumë firma në të cilët punëtorët punojnë me patika e pa kurrfarë mbrojtje. Në përgjithësi i vërej shumë këto mangësi dhe niveli nuk është i kënaqshëm, e sidomos në mbrojtje të gropave kur punohet ku nuk ka kujdes. Në punishte, në përgjithësi nuk ka organizim të punës, ku për shembull fillohet me punishte pa e pasur një zyre ose një rrugë me infrastrukturë përcjellëse, që janë defekte që vërehen. Sidoqoftë ka firma që në këtë drejtim kanë avancuar shumë .

Edhe inspekcioni duhet me qenë shumë strikt, jo vetëm në kërkesa teknike. Janë kërkesat teknike sa i përket konstruksionit, rregullave dhe ligjeve  e kodeve të ndërtimit, sa i përket mënyrës se si ndërtohet objekti. Në aspektin teknik për shembull në Prishtinë inspektorati kërkon një rregull sipas ligjit me kërkesa specifike sa i përket rregullimit të punishtes, mirëpo këto kërkesa duhet të avancohen. Prishtina ka avancuar më tepër në krahasim me komunat tjera, ku nuk kërkohet pothuajse asgjë.

Vazhdon nesër…

1 Comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës për periudhën 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut

Published

on

Pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venedik të Italisë është hapur më 18.04.2024.

Kosova në edicionin e 60-të të Bienales së Venedikut prezantohet me instalacionin “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit me kuratore Erëmira Krasniqin.

Stafi i Pavijonit të Kosovës ka bërë të ditur se instalacioni shpalos pabarazitë në vendin e punës tek gratë dhe pasojat fizike të kësaj pune.

Instalacioni paraqet katër objekte skulpturore, dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e ëmbëlsirave dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjikale në gjunjë. Instalacioni shoqërohet nga një projekt zanor i kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.Në hapje të Pavijonit të Kosovës, përveç stafit prezantues nga Kosova, sipas njoftimit mori pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, e cila siç thuhet në njoftim, mbajti edhe një fjalë rasti.

Ndërsa komisionerja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Hana Halilaj, citohet të ketë thënë se sivjet Kosova prezantohet me një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati. “Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës shpërfaq hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore”- citohet të ketë thënë Halilaj.Nga një fjalë rasti mbajtën edhe autorja e instalacionit, Doruntina Kastrati dhe kuratorja Erëmira Krasniqi.

Sipas njoftimit të Pavijonit të Kosovës, me rastin e hapjes së Pavijonit është promovuar dhe është shpërndarë edhe një botim i bazuar në hulumtime, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjës të fabrikës së sallamit.

Pavijoni i Kosovës këtë vit është vendosur në “Museo Storico Navale della Marina Militare” në Venedik -Itali.

ienalja e Venediku do të qëndrojë e hapur deri më 24.11.2024.

Në vitin 2013, Kosova për herë të parë u prezantua në Bienalen e Venedikut me Petrit Halilajn, pastaj më 2015 me Flaka Halitin, më 2017 nga Sislej Xhafa, me Alban Mujën më 2019 dhe Jakup Ferrin më 2022./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending