Për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr aktgjykim refuzues ndaj Ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani dhe zyrtarëve të tjerë në rastin e njohur si “FAN”.
Osmani bashkë me zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu, po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa biznismeni Agim Deshishku akuzohet për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Në aktgjykimin e Themelores thuhet se për shkak të parashkrimit absolut është marr aktgjykim refuzues.
“Gjykata pas vlerësimit dhe analizimit të shkresave të lëndës në këtë çështje penale ndaj të akuzuarve të lartcekur konstaton se ka arritur parashkrim apsolut i ndjekjes penale, ngase sipas dispozitave të nenit 106 par.1 pika 1.4 të KPRK-së, vepra penale e cila është e dënueshme me më shumë se 3 (tre) vjet burgim parashkruhet kur të kanë kaluar 5 (pesë) vite nga data e kryerjes së veprës penale (parashkrimi relativ), kurse sipas dispozitave të nenit 107 par.8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, (parashkrimi absolut), ndërsa në rastin konkret kanë kaluar më shumë se 10 (dhjetë) vite nga koha e kryerjes së veprës penale, e cila ju vihet në barrë të akuzuarve, ashtu që: Parashkrimi absolut për këto vepra është arrit me datë, 19.1.2022” thuhet në vendimin e gjykatës.
Në këtë vendim thuhet se gjykata me qëllim të mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore ka caktuar seancat vazhdimisht, madje me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit Agim Deshishku në shqyrtim gjyqësor, me 16 nëntor 2021 dhe 16 dhjetor 2021, ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e të njëjtit me shoqërim, mirëpo të njëjtat urdhëresa nuk janë realizuar.
Ndryshe, rasti kundër Naser Osmanit kishte filluar sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës, më 28 prill 2014.
Pas 27 seancave gjyqësore, shtatë nga të cilat kishin dështuar të mbaheshin dhe rreth 3 vjet pas ngritjes së aktakuzës, më 8 shkurt 2019, deputeti Naser Osmani dhe të akuzuarit tjerë Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkelzen Lluka dhe Naim Avdiu ishin shpallur të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.