Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Leotrim Gashi ka thënë se rastet e shtatë personave të akuzuar për korrupsion, të cilët i takojnë profilit të lartë, pritet të parashkruhen deri më 20 janar 2022.
Gjatë publikimit të raportit “Korrupsioni në prag të parashkrimit”, Gashi deklaroi se IKD pas monitorimit dhe analizimit të aktakuzave të korrupsionit, ka gjetur raste të cilat rrezikojnë të mbeten të pagjykuara, për shkak të afrimit të përfundimit të afatit të parashkrimit absolut.
Sipas gjetjeve të IKD, janë 11 persona të akuzuar për vepra penale të korrupsionit, rastet e të cilave do të parashkruhen gjatë vitit 2022.
“Shtatë nga ta janë persona të profilit të lartë dhe rastet e tyre do të parashkruhen deri më 20 janar 2021”, tha hulumtuesi i IKD-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ai bëri të ditur se IKD ka identifikuar edhe rastet e 12 personave të tjerë, 6 të cilët janë të profilit të lartë, të cilat nëse nuk marrin një aktgjykim përfundimtar në vitin 2023, mund të parashkruhen pa një vendim përfundimtar.
Gjatë prezantimit të raportit, hulumtuesi i IKD-së tha se arsyet e parashkrimit janë të shumta, duke nisur nga numri i madh i lëndëve, mosrespektimi i afateve procedurale, avancimet e gjyqtarëve, mungesat e palëve, moszbatimi i masave ndaj palëve që mungojnë e kthimi i shpeshtë i rasteve në rigjykim.
Ditë më parë, “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar se si rasti i njohur si “FAN”, si një prej rasteve të mëdha të korrupsionit, i shënjestruar për liberalizimin e vizave, më 20 janar të vitit të ardhshëm do të parashkruhet.
Pra, si aktakuzë do të hudhet në shportë, ndërsa të akuzuarit do të mbesin përjetësisht të pagjykuar me një vendim meritor të drejtësisë për akuzat e ngritura ndaj tyre.
Mungesa e të akuzuarit Agim Deshishku dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar të ATK-së, ka bërë që të dështojë për herë të katërt seanca e rigjykimit ndaj ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmanit dhe zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu, në rastin e njohur si “FAN”.
Rigjykimi për këtë rast ka filluar më 8 korrik 2021, por që kjo seancë kishte dështuar, po ashtu kishin dështuar edhe seanca e 28 shtatorit dhe 28 tetorit, për arsye të mungesës së palëve në procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Osmani bashkë me zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu, po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Ndërsa, i akuzuari Deshishku po gjykohet për legalizim të përmbajtjes së rreme.
Prokuroria Speciale më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku./Media Ndërtimi.