Connect with us

Aktuale

Qeveria pezullon privatizimin pasi u shitën gati krejt tokat

Published

on

Tashmë kur kanë mbetur vetëm rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore pa u privatizuar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pezullimin e privatizimit të tyre.

Me arsyetimin se do ta nxisë zhvillim ekonomik dhe do të sjellë investitorë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit i është ndaluar që brenda një viti ti shesë këto toka, siç i ka shitur 29 mijë hektarë deri më tani.

Por, ky hap po vlerësohet i kundërligjshëm dhe shumë i vonuar nga njohës të fushës, sidomos kur janë shitur mbi 90 për qind e tokave mesatarisht nga 34 euro për ari.

Kështu tregojnë të dhënat që pati nxjerrë Raporti i Gjelbër për vitin 2015, të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, ku thuhet se shuma totale e inkasuar nga shitja e tokës ka arritur në rreth 99 milionë euro.

Berat Rukiqi, ka thënë se vendimi për ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore mund të jetë i drejtë, por nuk bazohet në legjislacionin aktual.

“Tokat shoqërore janë nën menaxhim të AKP-së. AKP është nën menaxhim të Kuvendit dhe vetëm Kuvendi mund të merr vendime për fusheveprimtarinë e AKP-së”, ka shkruar Rukiqi.

Madje sipas tij edhe mund te ketë efekt negativ tek investitorët.

“Tendenca për të zbatuar vendime që tejkalojnë ligjet, janë mesazh negativ për Investitorët e huaj. Paqëndrueshmëria në vendimmarrje ndikon më shumë në opinionin e investitorit sesa çdo rangim në studimet e Bankës Botërore”.

Megjithatë, AKP ka vendosur të pezulloi përkohësisht për një afat njëvjeçar privatizimin e tokave në pronësi shoqërore siç i ka kërkuar zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj.

“AKP njofton opinionin publik se me të kuptuar lajmin se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit të mbajtur me datën 10 Nëntor 2017 ka marrë një vendim lidhur me ndalimin e privatizimit të tokave shoqërore për një periudhë një-vjeçare me qëllim të akomodimit të nevojave të institucioneve qendrore për promovimin e investimeve strategjike, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka vendosur që të anuloj publikimin e Shitjes së Aseteve 38A”, thuhet në vendimin e AKP-së.

Kjo shitje ishte paraparë të publikohet me datë 11 Nëntor 2017.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë thënë për Gazetën Fjala se në Kosovë që prej vitit 2002 e deri më tani janë privatizuar rreth 29 mijë hektarë tokë të kategorive të ndryshme.

E sipas përllogaritjeve që ka bërë Gazeta Fjala, kanë mbetur vetëm 13 mijë hektarë tokë bujqësore që nuk i janë nënshtruar këtij procesi duke marrë për bazë se fondi i tokave shoqërore është rreth 65 mijë hektar dhe duke përjashtuar nga llogaritja sipërfaqen prej 23 mijë hektarësh të tokave në pronësi të ndërmarrjes “Sharr Prodhimi”.

Veton Hajdini, zëdhënës i AKP-së tregon se këto toka janë privatizuar duke u bazuar në ligjin e AKP-së, ndërsa thotë se shfrytëzimi i këtyre tokave rregullohet me ligjet e organeve që janë përgjegjëse për monitorimin, shfrytëzimin dhe destinimin e tokave bujqësore, e jo me ligj të AKP-së.

E deputeti dhe ish-anëtari i Bordit të AKP-së, Naser Osmani ka thënë për Gazetën Fjala se është dashur që ky vendim të shkojë përmes Kuvendit, ose që të nisin procedurat për ndryshimin e Ligjit për AKP-në, pasi që sipas ligjit Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila menaxhon me ndërmarrjet shoqërore, i përgjigjet Kuvendit.

Osmani vlerëson se me këtë vendim nuk është dashur të bllokohen të gjitha tokat bujqësore, por vetëm ato që janë prioritet për investime strategjike.

“Qeveria është dashur të  tregoj se cilat janë prioritetet e saj lidhur me investimet strategjike. A janë për shembull këto prioritete në miniera, bujqësi apo fusha tjera. Nuk mendoj se është dashur të bllokohen me një vendim të gjitha tokat bujqësore. Po ti kishte prioritetet të qarta qeveria do ta kishte më lehtë një gjë të tillë”, ka thënë Osmani për Gazetën Fjala.

Për Osmanin, investim strategjik do të ishte Brezovica. Ndërsa thotë se Qeveria duhet të tregojë se ku janë ato zona me interes për investime, pasi që shumë nga këto toka janë në zona të thella dhe investitorët nuk kanë interes të investojnë në zona të tilla.

“Qeveria duhet me tregu se çka janë investime strategjike për të. Shembull ti mund ti ndalesh privatizimin e të gjitha tokave bujqësore me një vendim, por shumë nga këto toka janë në zona të thella siç është Dragashi, dhe interesi i investitorëve nuk do të ishte ndoshta për të investuar atje. Mendoj se ky vendim i Qeverisë për pezullimin e privatizimit të tokave bujqësore duhet të përcillet më shumë vendime tjera”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë, shuma e mjeteve të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë ka arritur mbi 660 milionë euro, prej të cilave 104 milionë euro u janë transferuar punëtorëve të ndërmarrjeve publike. Kurse, gjendja bankare e Fondit të mirëbesimit është rreth 490 milionë euro.

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, fondi i grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, parasheh t’i kompensojë kredituesit potencialë të ndërmarrjeve të shitura.

Deri më tani, mbi 90 milionë euro ka transferuar Agjencia Kosovare e Privatizimit në Buxhetin e Kosovës, nga Fondet e mirëbesimit të likuidimit të 190 ndërmarrjeve shoqërore.

Për bartjen e këtij fondi, agjencia obligohet në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në Ligjin për AKP-në thuhet se agjencia përcakton dhe deklaron si “Fonde Tepricë” deri në shtatëdhjetë e pesë për qind (75%) të çdo të ardhure që e tejkalon maksimumin e vlerës së përllogaritur, të grumbulluar, të pretendimeve përkatëse të kreditorit dhe interesave të pohuara të pronësisë, dhe menjëherë i transferon ato Fonde Tepricë, si “para publike”, të cilat mund të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik të vendit, me aprovim të Kuvendit të Kosovës.

Aktuale

Pas Danimarkës, edhe Belgjika propozon ta ndërtojë një burg në Kosovë

Published

on

Pas Danimarkës, edhe në Belgjikë është hedhur ideja për ndërtimin e një burgu në Kosovë ku shteti belg do t’i sillte të burgosurit pa dokumente për të vuajtur dënimin. Këtë ide e ka thënë deputeti belg Theo Francken nga partia “N-VA” në një intervistë për gazetën “Het Nieuwsblad”.

Sipas deputetit Francken, kjo ide përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit, gjë që partia e tij e ka kërkuar prej kohësh.

Propozimi i deputetit Francken është përfshirë në manifestin zgjedhor të N-VA. Ai e sheh edhe si zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve.

Mediat belge shkruajnë se stafi i burgjeve belge do të jetë i lumtur për një ide të tillë, megjithatë sa është e realizueshme?

An-Sofie Vanhouche, profesoreshë e kriminologjisë në VUB, ka zbutur pritshmëritë lidhur me këtë ide. Sidomos nëse krahasimi bëhet me Danimarkën, sepse marrëveshja Danimarkë-Kosovë nuk është zhvilluar plotësisht.

“Burgu në vetvete është ndërtuar tashmë. Megjithatë shumë gjëra duhet të rregullohen dhe shumë mbeten të paqarta,” tregon Vanhouche nga bisedat që ajo pati me kolegët e saj danezë në shkurt.

Ndërtimi i një objekti është mjaft i thjeshtë, transferimi i njerëzve në Kosovë nuk është, thotë ajo.

“Të arrestuarit nuk duan thjesht të transferohen në një vend tjetër. Vetëm për shkak se janë dënuar nuk do të thotë se ata nuk i ruajnë të drejtat e tyre.”, ka thënë ajo.

Vanhouche ka ngritur edhe pikëpyetje nëse mund të garantohen të drejtat e njeriut në burgjet në Kosovë.

“Ky është problemi i parë për Danimarkën. Shumë avokatë nuk e konsiderojnë këtë të realizueshme.”, ka shtuar ajo./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbahet “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024)

Published

on

Sot, në mjediset e Fakultetit të Inxhiniersië së Ndërtimit këtu në UP, filloi maratonën tre-ditore “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024). Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Qerim Qerimi, bashkë me Rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Andrea Maliqari, dhe Dekanët e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Prishtinë, Prof. Florim Grajçevci dhe Tiranë, Prof. Neritan Shkodrani, nën një tempull të dijes ngritën në piedestal arritjet e studentëve të fushave të inxhinierisë së ndërtimit, duke i kurorëzuar në këtë Konferencë Ndërkombëtare.

Në panele të rezervuara iu kushtua rëndësi edhe folësve të ftuar nga anë e mbanë bota. Profesorë e inxhinierë të shquar nga Prishtina, Tirana, Stambolli, Praga, Vjena e Shkupi, shpalosën para më shumë se 300 pjesëmarrësve, hulumtime shkencore e tema inxhinierike të prekura për herë të parë në rajon.

Ky event i shënuar është arritje e madhe për të gjitha institucionet e Universitetit të Prishtinës, marrë parasysh gamën e madhe shkencore që po e shpalosë.

Nën organizimin e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, sot filloi kjo konferencë me përmasa tejet të kënaqshme duke ngritur nivelin akademik të studentëve në Universitetin tonë dhe më gjerë.

Maratona e kësaj ngjarje të shënuar vazhdon edhe për dy ditë të tjera radhazi, për të shpërfaqur edhe punën e shkencore të studentëve pjesëmarrës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni

Published

on

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni, sipas një sondazhi të Eurobarometrit. I njëjti sondazh zbuloi se vetëm 18% e qytetarëve të BE-së ishin në gjendje të tregonin një nivel të lartë edukimi financiar. Sipas sondazhit, 65% e qytetarëve të BE-së janë të vetëdijshëm se, në kohë inflacioni pozitiv, fuqia blerëse e parave të tyre ulet, që do të thotë se ata mund të blejnë më pak se më parë me të njëjtën sasi parash.

Në tetor 2022, inflacioni vjetor në BE arriti nivele të papara në katër dekadat e mëparshme në 11.5%. Ndërsa rritja e kostos së jetesës ishte shqetësimi më urgjent për 93% të evropianëve në atë kohë, me sa duket një e treta e qytetarëve të BE-së nuk e dinë se si inflacioni ndikon në jetën e tyre. Sondazhi i Eurobarometrit, i kryer në mars-prill 2023, përfshiu pyetje mbi njohuritë financiare dhe sjelljen për të matur njohuritë financiare në të gjithë vendet e BE-së.

Vetëm rreth një e katërta e të anketuarve (26%) në BE iu përgjigjën saktë të paktën katër nga pesë pyetjet mbi njohuritë financiare. Gjysma iu përgjigj saktë vetëm dy ose tre pyetjeve, ndërsa një tremujor tjetër i gjeti pyetjet veçanërisht sfiduese. Performuesit më të mirë ishin Holanda (43%), Danimarka (40%), Finlanda (40%) dhe Estonia (39%) ku rreth katër në 10 të anketuar shfaqin një nivel të lartë njohurish financiare. Rumania dhe Portugalia raportuan rezultatet më të këqija në nivelet e larta të njohurive financiare me 13% dhe 16%, respektivisht.

Ndër katër ekonomitë e mëdha të BE-së, vetëm Gjermania kishte një rezultat më të lartë se mesatarja e BE-së në këtë tregues. Ndërsa rezultatet e Francës dhe Italisë ishin pak më poshtë mesatares së BE-së, kjo shifër ishte dukshëm e ulët në Spanjë me 19%.

Anasjelltas, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Qipro dhe Rumani (të dyja 30%), e ndjekur nga Greqia (29%) dhe Portugalia (28%). Sondazhi zbuloi se 35% nuk e kuptonin se si inflacioni ul fuqinë e tyre blerëse. Pyetja ishte: Në BE, 22% thanë se mund të blinin të njëjtën sasi, dhe 7% u përgjigjën se mund të blinin më shumë se sot. Gjashtë përqind e pjesëmarrësve nuk kishin përgjigje.

Përqindja që iu përgjigj saktë kësaj pyetjeje (“Më pak se sa mund të blini sot”) ishte nën 60% në Qipro, Portugali, Greqi, Rumani dhe Itali, ndërsa Finlanda dhe Estonia kishin përqindjen më të lartë me 84%. Njohuria e përgjithshme financiare bazohet në njohuritë financiare dhe rezultatet e sjelljes. Mesatarisht, në të gjithë BE-në, 18% e të anketuarve kanë një rezultat të lartë për nivelin e përgjithshëm të edukimit financiar, 64% kanë një rezultat mesatar dhe 18% një rezultat të ulët.

Përqindja me një rezultat të lartë varionte nga 11% në Portugali dhe Letoni në 27% në Danimarkë, Slloveni dhe Suedi dhe 28% në Holandë. Përkundrazi, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Finlandë (27%), Letoni (24%), Belgjikë (22%) dhe Spanjë (22%). Duke parë rezultatet e nivelit socio-demografik, proporcioni me një rezultat të lartë në arsimimin e përgjithshëm financiar është më i lartë midis:

meshkuj (24% krahasuar me 13% të femrave);

të anketuarit e moshës mbi 39 vjeç (20%, krahasuar me 13% të moshave 18-24 dhe 16% të atyre të moshës 25-39 vjeç);

të anketuarit me nivel të lartë arsimor (26%, krahasuar me 16% të atyre me nivel të mesëm dhe 12% për ata me nivel të ulët arsimor).

BE-ja po punon për të siguruar që qytetarët e saj të kenë njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të marrë vendime të mira financiare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending