Connect with us

Aktuale

Po “hahen” centimetrat e asfaltit të zgjedhjeve në Mitrovicë

Published

on

Ende pa të nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, kryetarët e komunave iu përvishen punëve të cilat nuk i përfunduan për katër vite mandat. Vrull morën në asfaltim të rrugëve nëpër fshatrat e harruara deri sot.

Shkëndije Ahmeti

Edhe pse kohë fushate, banorët e shumë fshatrave në Kosovë iu gëzuan që në lagjet e tyre do ketë më në fund asfalt, po ky gëzim nuk zgjati shumë. Zhgënjimi i tyre erdhi menjëherë nga shtrimi i asfaltit që u bë shkel e shko. Trashësia e asflatit dallon nga ajo që shkruan në dokumente. Rasti i fundit në fshatin Mazhiq të Mitrovicës, ku shumë centimetra nuk janë shtruar.

Këto asfaltime në këtë formë, po arsyetohen nga zyrtarë të kësaj komune, duke thënë se ato punime nuk janë pranuar teknikisht.

Banorët nuk hezituan të tregojnë hallet dhe problemet të cilat po përballen tash e një jetë. Qerim Zenelit që ia kanë bllokuar derën e shtëpisë, nuk i kishte bërë qare as Komuna. Por, ai veç premtimeve nuk ka mori asgjë tjetër.

“Në 100 metra një kamion zall  u qitke. Madje unë prita, ju thash ju mu ma prishet rrugën, se me makinë nuk kam shanc me hy në oborr. Prapë jam ardh jam anku në komunë, ju thash, mua më mbeti rruga as pa zhavorr, as pa asfalt as pa me u hjek materiali që mu ka blloku dyert e oborrit”, tha Zeneli.

Njëjtë i ndodhi edhe Xhavit Ahmetit, që ka një hall tjetër.

“E kam një problem që nënën e kam 90 vjeç, qetu me ma ndreq unë  jam i kënaqur veç shkak i nanëns”, tha Ahmeti.

Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Besnik Beka pati arsyetim.

“Unë nuk i di telashet që realisht ju po i potenconi që është shtruar me hollë se sa që ka qenë…për sa i përket rrugës atje afërsisht trashësia e asfaltit në bazë të kontratës  është 8 centimetra ndërsa gjatësia e rrugës përafërsisht është mbi 3 kilometra për vetë raste ku realisht fshati nuk ka leju me u hap rruga përndryshe ë gjitha lagjet janë përfshi në asfalt…kemi parasysh që ende nuk janë pranuar teknikisht se atje kanë me u punu edhe bankinat në momentin që pranohet teknikisht pranohet vetëm qysh është nënshkruar në kontratë”, tha Beka.

Beka insiston që punimet në asfalt janë duke shkruar sipas kontratës, dhe se ato punime po mbikëqyren nga inxhinieret e komunës. Gjitha kritikat për këto punime Beka po thotë se po i bënë dikush që po “i vjen nxehtë”.

“Na kemi qenë bashkë aty edhe me fshatin. Unë nuk po di këto telashe që t’i po i potencon. Tash ke parasysh që jemi kohë fushate dhe njerëzit mujnë me fol se dikujt po i vjen nxehtë atje pse na  po punojna pse jena duke ekzekutuar buxhetin e viti 2017-të mirëpo ne nuk ndalemi, ne punojna se për këtë jemi të thirrur, me shtru asfalt me ndërtu kanalizim, me ndërtu ujësjellës”, thotë Beka.

Ankesa për rrugë po kanë edhe banorët e fshatit Zhabarë i Epërm. Edhe pse iu ishte premtuar shtrimi me asfalt një gjë e tillë nuk u bë , madje atje u tentua të shtrohet zhavorr, por një gjë të tillë nuk e lejuan disa banorë, tha Enver Sefedini.

“Që katër vite ne në këtë rrugë kemi ‘hangër’ pluhun… Ne e ndërpritem këtu shkaku i pluhurit, tjetër s’po di çka me fol. Po shihni edhe vetë. Kanalizimin e kemi kry vetë me harxhime tona. S’ka pas nevojë këtu as kanalizim, as ujësjellës, por vetëm duhet me u shtru asfalt. Nuk ka lagje që nuk u shtru asfalt por vetëm kjo rrugë ka mbet. Kjo ka mbet me qëllim dhe me inate të kryetarit të Komunës Agim Bahitrit i cili tentonte me na marr tokat poshtë për fabrika…dhe me gabimet e veta, që dikujt ka dashtë me ja pagu dy mijë e uro e dikujt një mijë euro, edhe qaty pak u inatqu”, tha Sefedini për Ndërtimi.info.

Telashe me vrullin e punimeve në kohë fushate po e ka edhe një banorë tjetër në këtë anën. Me të marr rrugën nga qendra e Mitrovicës për në fshatin Zhabarë, në anën e djathtë, pak metra nga trotuari po gjendet shtëpia e Enver Brahimit. Brahimit në derë të oborrit iu është hapur gropa mbi 1 metër e thellë. Ai nëpërmes telefonit tha se ajo gropë po rrezikon të gjithë qytetarët dhe se prej 5 javësh nuk e ka prekuar askush.

Për këtë gropë nuk po kris kiameti, në krahasim me punët që po bëhen në komunë, tha zyrtari i komunës Beka.

“Ne jemi duke folur për komplet qytetin e Mitrovicës, ti ke parasysh qyteti i Mitrovicës nuk di saktë se sa metra katror i ka krejt dhe tash një gropë që u hap atje në Zhabarë nuk ka kris kiameti. Se menaxhojnë me 72 mijë banorë dhe përderisa jemi duke punuar gjithë këtë punë”, tha Beka.

Punët në asfalt që janë bërë nuk po ia pranon as ish drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës  në Mitrovicë, tani anëtar i shtabit zgjedhor të PDK në këtë komunë, Rasim Veseli.

“Mund të ketë nëpër fshatra gjithçka, mund të ketë edhe tri centimetra edhe më pak ndoshta. Mund të ketë deri në 8 centimetra por mund të ketë raste që ka bazament të dobët. Ka raste që punët në rrugët caktuara vec janë përfunduar paraprakisht ndërsa janë ekzekutuar vetëm niveli i asfaltit ndërsa paramasat parapake në tenderë kanë qenë gjitha punët parapake që janë bërë…Këto rrugë që po asfaltohen dhe ato më parë veç kanë fillu mos me i qëndru kohës”, tha Veseli.

E kandidati për kryetar të Komunës në këtë komunë nga radhët e Vetëvendosjes, Fehmi Ferati po thotë se duhet të ekzistoj një Ligj i cili e ndalon investimet në kohë fushate.

“Që sa kohë dhe që sa vite njëkohësisht janë kontrata zotime të parakohshme, janë planifikime të investimeve por lihen vetëm në periudha parazgjedhore dhe kjo e dëmton shumë edhe buxhetin, e dëmton poashtu edhe kualitetin e rrugëve dhe investimeve të përgjithshme. Nga ato që kemi zbuluar në shumë raste kemi pa që ka kualitet shumë të dobët të punës. Dhe ne e dimë që në Kosovë dhe çdo banor e di që keqpërdorimet më të mëdha janë bërë në investime ku këta kanë përqindje, investime në zhavorr, asfalt në kubëza betoni, fatkeqësisht këtë po e shohim edhe në Komunën e Mitrovicës, Janë bërë punët shkel e shko, dhe kjo është një tragjedi publike dhe infrastrukturore që ka ndodh sidomos muajin e fundit jo më shumë”, tha Ferati.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të komunës për katër vite u shtruan 170 kilometra rrugë me asfalt, ku u harxhuan mbi 11 milionë euro në ndërtim e rehabilitim të rrugëve, asfaltim, ndërtim të trotuareve e pjesë gjelbëruese.

Një ditë nga heshtja zgjedhore e dy ditë nga zgjedhjet, komuna po synon t’i shtroj asfaltin edhe në fshatin Rahovë të ulët, dhe të përfundoj punimet në Kçiq.

Aktuale

Qytetarët kërkojnë vazhdimin e subvencionimit të energjisë elektrike

Published

on

Qytetarët që blenë pajisje efiçiente elektrike përmes subvencionimit nga Ministria e Ekonomisë thonë se kjo ka ndikuar në kursimin e energjisë elektrike. Njohësit e fushës së efiçiencës thonë se subvencionimi i këtyre pajisjeve duhet të vazhdojë në masë më të madhe, ndërkaq subvencionimi i faturave ka qenë e gabuar dhe “para e djegur”.

Preportr përmes platformës ECR ka realizuar një anketim online me qytetarë lidhur me ndikimin që mund ta ketë pasur subvencionimi i pajisjeve elektrike në kursimin e energjisë. Në pyetjet e parashtruara janë përgjigjur 145 qytetarë. Mbi 49 për qind e tyre kanë thënë se janë përfitues të pajisjeve efiçiente.

Në bazë të përgjigjeve, qytetarët më së shumti duket se janë të kënaqur me klimat efiçiente. Në pyetjen se sa ka ndikuar kjo pajisje që të shpenzoni më pak energji elektrike, 36.3% kanë deklaruar se ka ndikuar mesatarisht, 31.8% se ka ndikuar shumë, 25% se ka ndikuar pak dhe 6.8% se nuk ka ndikuar fare. Ndërsa, për pompat termike 42% e respondentëve kanë thënë se ka ndikuar mesatarisht, 25% se ka ndikuar shumë dhe 25% se nuk ka ndikuar fare.

Mbi 86% e respondetëve kanë thënë se qeveria duhet të vazhdojë subvencionimin e pajisjeve efiçiente për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa në pyetjen se a duhet të subvencionohen faturat e energjisë elektrike, pra që një pjesë të paguhen nga qeveria, 41.7% e respoendetëve janë shprehur se qeveria duhet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike.

Një pjesë e respondentëve kanë komentuar në pyetësor se duhet të hiqet pragu prej 800 kilovatë, sepse ky shpenzim bëhet brenda pak ditëve nëse përdorët pompa termike. Nëse shpenzohen më pak se 800 kilovatë, çmimi për një kilovat është 7.9 centë, ndërsa nëse shpenzohen më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi për një kilovat në këto raste kostoja llogaritët 14.25 centë.

Lidhur me këtë bllok tarifë prej 800kw ka mendime dhe qasje të ndryshme, e para që stimulon qytetarët që kursejnë energjinë elektrike, por në anën tjetër një pjesë kërkon ky prag të hiqet, pasi që është një penalizim për qytetarët që nuk kanë opsione tjera për ngrohje ndërkaq kostoja është e lartë. Edhe kur është vendosur nga ZRrE për këtë prag ka pasur diskutime dhe propozime të ndryshme.

Burim Ejupi thotë se INDEP ka sugjeruar ndarjen e tarifës së energjisë elektrike në tre blloqe, me qëllim të adresimit të nevojave të ndryshme të konsumit. Propozimi i INDEP-it ishte që të përdoret një sistem ku deri në 600 kilovatë përfshin konsumin normal të një familjeje brenda një muaji, për shembull, në raste kur përdoret ngrohja qendrore e qytetit. Për sasinë e energjisë nga 600 deri në 1200 kilovatë-orë, e kemi menduar për ekonomitë familjare që ngrohen me energji elektrike, veçanërisht ato që nuk kanë qasje në forma alternative ngrohjeje.

“Ndërsa, çdo konsum mbi 1200 kilovat-orë e konsiderojmë si shpenzim luksi, dhe për këtë arsye, çdo konsumator që e tejkalon këtë limit do të përballët me një tarifë më të lartë. Ndarja e tillë me tre blloqe siguronte edhe që të gjithë të ndjenin rritjen e të mos kishte dallime të mëdha nga 800 në mbi 800 siç ndodhi me faturat e janarit, por edhe rritja të ishte graduale dhe e përballueshme sidomos për konsumin nën 1200 kilovatë”, thotë Ejupi.

Lidhur me këtë çështje profesori i fushës së energjisë Agron Dida thonë se pragu ndikon që të kursehet më shumë energjia elektrike. Ai thotë se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë vetëdijesim të qytetarëve për ta kursyer energjinë elektrike.

“Në sistemin edukimit fillor dhe të mesëm duhet të mbahen ligjërata të veçanta të disa lëndë, e që fokusi të jetë në kursimin e energjisë elektrike dhe energjisë në përgjithësi”, thotë Dida.

Ai thotë qeveria duhet të mundësojë sa më shumë subvencionim në izolim apo pajisje elektrike në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente është shumë i nevojshëm. Në anën tjetër duhet të ndalohet me ligj importimi i disa pajisjeve që nuk janë në përputhje me standardet efiçiente dhe që shpenzojnë shumë energji elektrike. Ato duhet t’i eliminojmë nga tregu”, thotë Dida./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

’53 milionëshi’ – Pse Gjykata e Prishtinës vendosi që kompensimi të zgjidhet në kontest juridiko-civil

Published

on

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor ish-ministrin Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, ushtruesin e detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretarin e MI, Nebih Shatri lidhur me rastin e ‘53 milionëshit’.

Në shpallje të aktgjykimit më 31.01.2024 trupi Gjykues me kryetaren Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë marrë vendim që lidhur me dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga katër të akuzuarit, të zgjidhet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pra themelorja nuk kishte marrë vendim lidhur me dënimin plotësues që prokuroria e kishte propozuar në aktakuzë.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që katër të akuzuarit të urdhërohen që në mënyrë solidare të bënin kompensimin e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Sipas arsyetimit që ka nxjerrë themelorja më datë 20.03.2024 thuhet se Gjykata nuk kishte vendosur lidhur me dënimin plotësues pasi që pala e dëmtuar, avokatura shtetërorë kishte kërkuar nga Gjykata që rasti të referohet në kontest të rregullt civil.

“Gjykata ka vendosur që pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore e Kosovës, pranë Ministrisë së Drejtësisë, të udhëzohet për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Ngase e njëjta përmes parashtresës së datës 22.11.2022 kishte kërkuar nga Gjykata që të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për shkak se këtë të drejtë do ta realizonin në procedurë të rregullt”- thuhet në Aktgjykim.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Valdet Gashi dhe Atdhe Dema, përpos kompensimit të dëmit kishte kërkuar si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, për të pandehurit që do të shpallen fajtor.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Kallxo.com kishte thënë se çështja e dëmshpërblimit për rastin e ‘53 milionëshit’ është çështje e Gjykatës për të cilën “nuk mund të përzihen”.

Durmishi kishte deklaruar për Kallxo.com se varësisht se si përfundon si proces do të shohin se çfarë vendime do të marrin si Ministri.

“Kjo është çështje e Gjykatës dhe në vendime të Gjykatës nuk mund të përzihem. Janë dy raste të ndara, nuk është vetëm çështja e 53 milionëshit, është çështja edhe e 44 milionëshit, njëra është që janë paguar 53 milionë në emër të dëmshpërblimit në kohëzgjatje të afatit të kryerjes së punimeve, dhe tjetra është 44 milionë për punë shtesë edhe pse kontrata ka qenë me “çelësa në dorë” që nuk lejohet të ketë punë shtesë. Pra gjithsej 96 milionë, i mbetet gjykatave të marrin vendime meritore” – kishte thënë Durmishi në një prononcim për Kallxo.com./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gratë arkitekte në një fushë të dominuar nga meshkujt: A mund të jetë ndonjëherë arkitektura e lirë nga seksizmi?

Published

on

Një realitet tronditës duket se anashkalohet kur bëhet fjalë për vendin e punës. Ka shumë mundësi që gratë i humbasin për shkak të “rregullave” që njerëzit vendosin në shoqëri me të cilat shumë jetojnë dhe janë mësuar.

Kur mendohet për mjedisin e ndërtuar, njeriu mendon për trashëgiminë dhe krijimet kulturore të ndikuar nga ajo që njerëzit mendojnë dhe besojnë, duke shfaqur vlerat dhe traditat në shoqëri. Mendoni për rrokaqiejt dhe çfarë përfaqësojnë ata – Fuqia dhe dominimi, të cilat shpesh shoqërohen me maskulinitetin.

Arkitektura është një fushë e njohur për vështirësinë e saj; Studimet tregojnë se është e dyta më e vështira pas mjekësisë, duke e bërë automatikisht një fushë dominuese nga meshkujt në një botë stereotipike. Sipas gjetjeve nga anketa e Architects’ Journal, 66% e arkitekteve femra kanë përjetuar seksizëm në karrierën e tyre dhe 88% e grave janë ndjerë të kufizuara dhe të minuara vetëm sepse kanë fëmijë. Me këtë u tha, mospërputhjet e pagave të gjetura midis grave në industrinë e arkitekturës janë shqetësuese, ku burrat fitojnë më shumë se gjysmën e pagës së një gruaje, duke e vënë atë në disavantazh nëse ajo është beqare, e martuar ose pa fëmijë.

Gratë filluan të studionin arkitekturë dhe të fitonin diploma në vitet 1800, kur Louise Bethune, vendase nga Buffalo, ishte arkitektja e parë femër e njohur që hapi firmën e saj në Shtetet e Bashkuara. Të qenit një arkitekte femër dhe një udhëheqëse shpesh nënkupton të etiketohesh si “shefe” ose “i mprehtë” në vend që të njihet si një profesioniste ambicioze dhe e suksesshme e aftë për udhëheqje të vërtetë (Gohel, 2023). Ai gjithashtu përfshin përballjen me sfidat në vendin e punës që i shtyjnë gratë të përpiqen për përsosmëri, pasi çdo gabim mund të shihet si shenja dobësie ose paaftësie. Hulumtimet tregojnë se arkitektet femra, të cilat janë gjithashtu nëna, mund të hezitojnë të zbulojnë statusin e tyre prindëror tek punëdhënësit, nga frika se kjo mund të pengojë përparimin e tyre në karrierë apo edhe të çojë në humbjen e vendit të punës.

Për më tepër, këto nëna, të cilat janë të apasionuara pas punës së tyre arkitekturore, mund të ndihen të hezituar të kërkojnë orar fleksibël pune nga punëdhënësit e tyre. Ndonëse marrëveshje të tilla mund të tolerohen, ato shpesh priten me mosmiratim dhe kryesisht me keqardhje. Me sa u tha, nga 56 shkollat e arkitekturës të akredituara nga RIBA në Mbretërinë e Bashkuar, 12 drejtohen nga gra, të cilat përbëjnë 21%. Njëkohësisht, janë vetëm katër nga tridhjetë redaktore femra në revistat akademike në arkitekturë, që rezulton në 8% të redaktoreve femra.

Statistikat zbulojnë një realitet të zymtë në botën e arkitekturës: gratë marrin çmime arkitekturore si Medalja e Artë shumë më rrallë se burrat.

Si përfundim, seksizmi, diskriminimi në vendin e punës dhe objektivizimi i grave janë koncepte që ekzistonin dekada më parë, të cilat rezultuan në shoqëri patriarkale që vendosën shumicën e grave në disavantazh. Megjithatë, përkundër gjithë padrejtësisë, ka një numër të madh modelesh femrash që mund t’i shohin shumë, të cilat kanë sfiduar të gjitha llojet e stereotipeve dhe kanë arritur të kenë sukses dhe të udhëheqin në një fushë ku gratë nuk kanë zë. Arkitekte si Zaha Hadid, e cila ishte gruaja e parë që mori Çmimin e Arkitekturës Pritzker në 2004 dhe e para që fitoi Çmimin e Medaljes së Artë nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA), u japin shpresë arkitekteve të reja femra që janë të pasionuara pas fushë, por mbahen prapa nga frika./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending