Connect with us

Aktuale

Ndriçimi publik i Prizrenit dikur ngjasonte me të Romës e Berlinit

Published

on

Prizreni sikurse disa qytete në botë ka pasur një ndriçim publik, që në kohërat e vjetra që flet për një civilizim më të hershëm në këtë qytet. Kësisoj sikurse edhe Roma e Berlini, edhe Prizreni dikur ka pasur ndriçim publik. Prizrenasit shpjegojnë se qysh në kohën e periudhës osmane Prizreni e ka pasur këtë ndriçim.

Ata thonë se ndriçimi publik i asaj kohe është bërë përmes llambadarëve, që kanë ndriçuar rrugën kryesore të këtij qyteti, dhe se ndezja e ndriçimi i tyre është bërë me shkallë për të ndezur qirinjtë në llambadarë. Profesor dr. Simir Krasniqi tregon për gazetën “Kosova Sot” se ka hasur në literaturë historike për faktin se prodhuesit e llambadarëve dhe fenerëve prizrenasit ishin të njohur, andaj ka pasur ustallarë të dalluar që kanë punuar llambadarë dhe fenerë, bile që kanë shitur edhe përtej kufijve të Ballkanit.

Në këtë drejtim edhe profesor Vedat Kiseri dhe intelektuali Zejnel Çeko ende i kanë të freskëta tregimet se si Prizreni, ndër shekuj ka pasur ndriçim publik. “Ka pasur llambadarët me qirinj dhe ka qenë personi i veçantë, që ka bërë ndezjen dhe fikjen e tyre qirinjve. Kjo thuhet se ka vazhduar deri në ndërtimin e Hidrocentralit të parë kur edhe ka ardhur energjia elektrike”, është shprehur Kiseri.

Dy roje bënin ndezjen dhe fikjen e dy llambadarëve

Muhamet Sallauka mban mend edhe llambadarët me qirinj në Prizren. “Mbaj mend kur dritat, gjegjësisht llambadarët e Prizrenit, bënin dritë me qirinj të trashë, të cilët thuhej se i bënin nga yndyrat shtazore. Ishin dy roje që bënë ndezjen e këtyre dy llambadarëve. Pastaj, për njërin thuhet se u pat dënuar vetëm, që e kishte zënë gjumi dhe nuk arriti të ndizte me kohë llambadarët”, shprehet Sallauka. Prof. dr. Kiseri mendon se në Prizren drita e parë ka ardhur në vitin 1929, njëzet e një vjet pas nismës së parë për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin e qytetit, nga i cili do të bëhej elektrifikimi i qytetit. Kurse Ahmeti Dirini inxhinier ka shkruar se në këtë vit ndërtohet hidrocentrali, që sot është objekt muze nën mbrojtjen e shtetit.

“Hidrocentrali në fillim ishte me fuqi 160kVA, ndërsa pas tetë vjetësh montohet gjeneratori i dytë dhe kapaciteti elektrik zmadhohet në 320kVA”, tregon në librin e tij Ahmet Drini, tashmë i ndjerë. Ky hidrocentral në atë kohë ka qenë më rentabil dhe teknikisht më i pasuri në Kosovë. Ai ka shkruar se nga hidrocentrali i parë i Prizrenit kanë mundur ta marrin dritën vetëm familjet e pasura prizrenase. Ai kishte rrëfyer se të gjithë ishin të magjepsur me dritën që vinte nga larg.

“Llambat elektrike atëbotë ishin me një formë rrumbullake. Për shkak se ne ishim mësuar të kishim dritë vetëm të qirinjve, kjo na dukej se kishte dritën e gjithë botës” shkruan Drini. Edhe Muhamet Sallauka ruan një rrëfim interesant. “Kur kishte ardhur gjyshi së pari në Prizren dhe kishte parë dritat, këtë gjë e kishte treguar në Budakovë, kurse burrat në odë gati që nuk i thanë se kjo punë është rrenë. Pastaj rryma në Prizren kur morëm vesh se vjen nga uji mbeta i shtangur. Unë isha fëmijë atëbotë dhe shpesh shkoja vetëm për të parë atë pjesë të hidrocentralit”, shprehet Sallauka. Atij i vjen keq që ky hidrocentral nuk është ende në funksion.

Ortodoksi shqiptar, usta Steva kishte punëtorinë e llambadarëve

Adem Berisha 82-vjeçar tregon se ishin të rritur kur në Prizren, nuk kishin energji elektrike dhe kishin vetëm fener dhe llamba gazi. “Fenerët atëbotë i blinim tek usta Steva. Ishte vështirë të thyhej feneri, ngase fenerët atëbotë bëheshin si nevojë e domosdoshme. Por, kishte familje që atëbotë kur bënin tri gjëra ndiheshin rahat. Pra, bukën, drutë e shtëpisë dhe gazin për fenerë. Bile unë mbaj mend kur në shtëpitë tona ka pasur vetëm eshkë për dritë. Mirëpo fenerxhiu i Prizrenit Steva që thuhej se ishte ortodoks shqiptar deri vonë ka pasur punëtorinë e tij”, është shprehur ai. Berisha ka theksuar se nuk i mban mend llambadarët me qirinj në Prizren, por ka dëgjuar për ata llambadarë, duke shtuar se thoshin se ishte Mitar Tada, ai që i ndizte e fikte ata llambadarë.

(Kosova Sot)

Aktuale

Festivali të Arkitekturës dhe Dizajnit ‘Concéntrico’, shënon edicionin jubilar në Spanjë

Published

on

Nga 25 prilli deri më 1 maj 2024, në qytetin spanjoll Logroño, Concéntrico përgatitet për edicionin e tij të 10-vjetorit. I parashikuar si një soditje e ndryshimit të mjediseve urbane dhe një mundësi për të ndarë njohuri rreth këtyre proceseve, Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës dhe Dizajnit të këtij viti përfshin formate të reja për të angazhuar një audiencë më të gjerë dhe për të eksploruar kohën si një katalizator për ndryshimin në dizajnin urban dhe social.

Festivali zgjeron programin e tij, duke shfaqur 21 instalime nga dizajnerë të 20 kombësive të ndryshme, përveç disa nismave dhe eksplorimeve të tjera.

Instalacionet urbane përfaqësojnë ndoshta aspektin më të dukshëm dhe më tërheqës të festivalit, duke eksploruar temën përmes dizajnit dhe duke synuar të gjenerojë ndërveprime midis arkitektëve dhe publikut më të gjerë. Që nga viti 2015, festivali ka krijuar mbi 120 instalime urbane.

Këtë vit, arkitektët dhe projektuesit e ftuar propozojnë një shumëllojshmëri të gjerë qasjesh, nga rinatyrëzimi i hapësirave publike, tek riinterpretimi i metodave popullore, ripërdorimi i materialeve nga botimet e mëparshme, krijimi i eksplorimeve përmes lëvizjes ose sfidimi i konceptit të strehimit. Eksploroni listën e plotë të instalimeve urbane të ardhshme të përgatitura për këtë edicion.

Edicionet e mëparshme të festivalit mirëpritën ndërhyrje nga dizajnerë të njohur dhe të ardhshëm, duke përfshirë Studio Ossidiana, Tudor Vlāsceanu Architect, Rintala Eggertsson Architects ose Piovenefabi. Duke hapur biseda rreth komunitetit dhe identiteteve lokale, si dhe çështjeve të përfshirjes, ndryshimit të përkufizimeve të familjeve apo sfidave të ekologjisë, festivali përfaqëson një mundësi për eksplorim përmes dizajnit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës për periudhën 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending