Procesi i realizimit të projektit “Ndërtimi i rrugës nacionale Deçan – Mali Zi” ka shumë dobësi për të cilin ministria me datë 16.02.2018 kishte lidhë kontratë bazë në vlerë 4,191,313€ me të cilën parashihej që të asfaltohej rruga në gjatësi 15 km.
Menaxheri i projektit pas fillimit të punimeve kishte kërkuar rihartimin e projektit me arsyetimin se projekti i kishte këto mangësi: matjet gjeodezike ishin bërë shumë të cekëta, incizimi i pamjaftueshëm i gjendjes ekzistuese dhe profilet tërthore pasqyronin terrenin e gabuar.
Komisioni i formuar me vendim të ZKA-së kishte dhënë rekomandim që të rihartohet projekti duke dhëne konkluzionin që për përfundimin e projektit të rihartuar përveç mjeteve që do të shtohen me aneks kontratë (vlera 414,725€) ministria duhet të shpallë edhe një fazë tenderuese në vlerë prej 2,128,847€.
Kjo për faktin se ishte aprovuar kërkesa e Komunës së Deçanit që rruga të zgjerohet edhe për një metër, dhe gjithashtu të bëhej ndërtimi i mureve mbrojtëse dhe lëshesave pllakore të cilat nuk ishin paraparë në projektin e parë.
Ministria kishte nënshkruar aneks kontratën me datë 05.10.2018, mirëpo nuk kishte vazhduar me procedurat e shpalljes së tenderit për fazën e dytë (rekomandim ky i dhënë nga komisioni).
Kërkesa ishte përsëritur edhe një herë në muajin korrik 2019, dhe duke parë që një gjë e tillë nuk po realizohet dhe marrë parasysh që asfaltimi i rrugës në 5 kilometrat e para nuk lejohej nga Kisha Ortodokse, menaxheri kishte kërkuar që mjetet e parealizuara nga kjo pjesë e rrugës të përdoren për të mbuluar sasitë shtesë në pozicionet e gërmimit, mureve mbrojtëse, lëshesave pllakore, etj, të cilat ishin aprovuar nga komisioni duke u përdorur për të mbuluar pozicionet e ndryshuara.
Si rrjedhojë e kësaj, ishte bërë pranimi teknik i rrugës me ndryshimet e lartpërmendura, mirëpo nuk ishin arritur objektivat e parapara me kontratën bazë sepse nga 15km sa ishin kontraktuara të asfaltohen, për shkak të ndryshimeve në projekt, ishin asfaltuar vetëm 10km. Vlen të theksohet se pavarësisht ndryshimeve thelbësore që ishin bërë në të dy projektet e lartpërmendura, Zyra e Prokurimit nuk kishte vepruar në pajtim me kërkesat ligjore.
Hartimi i projekteve në mënyrën jo të duhur, mos përfundimi i procedurave të nevojshme paraprake sidomos ato të shpronësimit (në rastin e parë) dhe mos inicimi i procedurave të tenderimit nga zyra e prokurimit sipas kërkesave ligjore, janë ndër shkaqet kryesore për mangësitë e paraqitura gjatë realizimit të këtyre kontratave.
Mangësitë e identifikuara mund të ndikojnë në dëmtimin e konkurrencës, në shpenzime shtesë dhe vonesa në realizimin e projektit, duke ndikuar në mos arritjen e objektivave të parapara me këto projekte.
Rekomandimi i Zyrës së Auditorit thotë se ministri duhet të sigurohet se projektet ekzekutive të hartohen në harmoni me gjendjen në terren. Inicimi i projekteve të bëhet vetëm pas plotësimit të kushteve për realizimin e procesit të shpronësimit.
Gjithashtu, kur paraqitet nevoja për punë shtesë të bëhet një analizë e hollësishme e sasive të nevojshme dhe në rastet kur nevojat e autoritetit kontraktues nuk mund të plotësohen pa bërë ndryshime thelbësore të kontratës, atëherë duhet të aplikohet procedurë e hapur e prokurimit në harmoni me kërkesat ligjore të LPP-së./ Media Ndërtimi.