Liqeni i Fierzës drejt katastrofës ekologjike

0

Liqeni i Fierzës, i krijuar vite më parë në funksion të hidrocentralit më të madh të vendit, fatkeqësisht vazhdon të mbushet me mbeturina sa herë që ka rritje të nivelit të tij.

Mbeturinat vinë bashkë me prurjet hidrike që sjell Drini i Bardhë nga Kosova dhe Drini i Zi nga Maqedonia. Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt Kukësit e Tropojës për të vëzhguar nga afër situatën problematike e cila rrezikon të kthehet në katastrofë ekologjike.

Pjesa më e madhe e Liqenit që ndryshe njihet edhe si Liqeni i Kukësit nga banorët e qytetit me po të njëjtin emër, shtrihet në territorin e Shqipërisë dhe një pjesë e vogël në Kosovë. Por ndotja e vazhdueshme e viteve të fundit tashmë ka dëmtuar jo vetëm turizmin në zone, por edhe faunën e liqenit, ndaj përfaqësuesit e Bashkisë së Kukësit nuk reshtin së kërkuari dhënien e statusit të veçantë për këtë liqen në mënyrë që të minimizohet ndotja, trasnmeton tch.

Bujar Muçmata, sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Kukës u shpreh se problemi i mbetjeve është një problem që vjen kryesisht nga ndotjet matanë kufirit dhe veç aksioneve të pastrimit nuk ka kapacitete te tjera për të ndërhyrë. Bashkia e Kukësit në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës, po planifikon një takim ku pritet të dakordohet për një projekt të qëndrueshëm për minimizimin e problemit që tashmë është me përmasa rajonale.

“Aktualisht liqeni është pronë e korporatës elektroenergjitike shqiptare si menaxhuesi kryesor i ujëmbledhësit më të madh në vend, ndaj duhet të ketë edhe përgjegjësinë për mirëmbajtjen e këtij baseni ujëmbledhës. Por problemi nuk mund të quhet i zgjidhur nëse nuk merren masa nga përtej kufirit siç është pala kosovare që është ndotësi më i madh i Fierzës”, u shpreh përfaqësuesi i Bashkisë Kukës.

Ndërkohë që ngriti zërin edhe për kërkesën e vazhdueshme nga ana e institucionit që përfaqëson, për një mjet lundrues vetëpastrues i cili do të minimizonte problemin e ndotjes. Gjatë vitit të kaluar drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civili shpalli situatë emergjente mjedisore në liqen dhe krahas preventivit për shpenzimet që kalon 2.5 milion lekë, Bashkia e Kukësit nuk mori asnjë qindarkë sipas zotit Muçmata.

Edhe në Tropojë ndotja ka qenë një problem i kahershëm. Janë 5 lumenj që bashkohen në lumin e Valbonës dhe bashkë me prurjet hidrike vijnë edhe mbetjet e ndryshme që kanë lënë shenja anës shtratit të lumenjve. Sipas shefit të shërbimeve publike Pal Rosaj, shenjat e mbeturinave anës shtratit të Valbonës arrijnë 2.5 m lartësi. Kjo ndotje ka ndodhur midis harkut kohor 2010- 2011, vite kur ka qenë edhe përmbytja e madhe.

“Territori është i vështirë për t’u pastruar, do mjete, forca dhe burime financiare. Ne kemi biseduar me disa organizata dhe me Ministrinë e Mjedisit dhe na është premtuar që do na ndihmojnë” pohon z.Rosaj.

Por, deri në mbajtjen e premtimeve dhe ndërgjegjësimit të gjithë faktorëve, liqeni i Fierzës do të vazhdojë të jetë i ndotur.

REKLAMA