Kulla që i rezistoi tërmeteve dhe luftërave në gjendje jo të mirë

0

 

Dikur në fshatin Terizaj në qytetin e Gjilanit ishin të njohura tri kulla, që quheshin kullat e Hajdinëve,  ndërsa kohës i ka mbijetuar vetëm kulla e Xhelës.  Dy kullat e  tjera si pasojë e tërmeteve dhe luftës së fundit, sot kanë mbetur vetëm gërmadha.  Kulla e Smajlit ishte ndërtuar në periudhën e viteve 1850-1855 dhe që lëkundjen e parë e kishte nga tërmeti i vitit 1963 në Shkup dhe goditjen e fundit e mori nga tërmeti i vitit 2002 në Gjilan, ndërsa Kulla e Hajdinit është djegur me themel nga ushtria serbe.

Kulla e Xhelë Hajdinit është objekt i cili figuron në listën e databazës së trashëgimisë kulturore. Kjo kullë, sipas vlerësimit fizikë dhe vizual të CHwB –së  është  kategorizuar  në gjendjen shumë të keqe,  që nënkupton se ndërtesa ka shenja të caktuara të jo stabilitetit dhe si e tillë është e pashfrytëzueshme.

Kulla e Xhelë Hajdinit  është ndërtuar në vitin 1947 ndërsa etazhi I  dytë është shtuar në vitin 1950 , ne aspektin e ndërtimit I takon teknikës vernakulare ku është realizuar nga gurët e latuar , më pak të latuar, druri dhe llaci I baltës dhe qeramidhet.

Veçanti e kësaj kulle është se muret nuk kanë hatulla (v.j. pjesë e një ndërtese ndërmjet trarëve të tavanit dhe të çatisë). Baza është katrore me dimensione 10 metra me 10 metra. Karakteristikë e këtij objekti janë po ashtu dritaret e vogla në formë katrore, ku dritaret ndahen nga muri i trashë i qerpiçit.

Në përdhese është një korridor dhe dy kthina, ku kthina në të majtë të korridorit  shfrytëzohej si dhomë zjarri dhe ka dy dritare  ndërsa kthina në të  djathtë është përdorur si dhomë ndeje dhe ka vetëm një dritare. Lidhja me katin e dytë është realizuar prej shkallëve të jashtme nga materiali i drurit.

Në katin e dytë janë katër dhoma të cilat komunikojnë me një ballkon që gjendet në anën e përparme të shtëpisë. Tri nga dhomat janë më të mëdha  dhe kanë shërbyer si dhoma fjetje, ndërsa dhoma më e vogël ka shërbyer si fllanik (v.j. i njohur si “shpajz”) ose qilar. Dyshemeja është realizuar nga dërrasa të trasha nga bungu  që janë mjaftë të forta edhe sot , ku dyshemeja e dhomave është më e ngritur sesa dyshemeja e ballkonit .  Muret ndarëse janë  realizuar me qerpiçë dhe llaç balte. Kulmi i kullës është katër ujor i mbuluar me qeramidhe.

Kulla e Xhelës i ka mbijetuar luftës, por në të ka dëmtime të mëdha sidomos nga pjesa e brendshme. Me një përkujdesje  të shtetit, këto kulla do të ruanin autenticitetin e tyre dhe do të jepnin një pasqyrë reale te trashëgimisë të pasur kulturore shqiptare. Prandaj ndërhyrja në elementet që paraqesin rrezik në shembjen e kullës si dhe mbikëqyrja e rregullt  nga ekipe të specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore janë urgjente.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here