Connect with us

Aktuale

Kosovarit në Zvicër i duhet të punojë 70 orë në javë për të mbajtur familjen

Published

on

Edhe pse punon me kohë të plotë, ky baba i dy fëmijëve ka marrë një punë të dytë. Sipas ekspertëve, po shtohet numri i atyre që mbajnë disa vende pune

A.* nga kantoni Aargau nuk i ka mirë punët. 44-vjeçari, baba i dy fëmijëve është vazhdimisht i lodhur. Prej një viti e gjysmë i është dashur të mbajë një barrë të dyfishtë: “Nuk mund të funksionoja më pa kafe dhe pije energjike”, thotë ai, transmeton albinfo.ch. Arsyeja: Pavarësisht se kishte një punë me kohë të plotë, atij ju desh të merrte edhe një punë të dytë dhe kështu të punonte 70 orë në javë.

“Ka ditë që punoj në një fabrikë nga ora 23:00 e natës deri në 6 të mëngjesit. Pastaj fle deri në orën dhjetë. Filloj të dërgoj porosi ushqimore nga ora njëmbëdhjetë, shkruan 20minuten.ch. Nga ora 13.30 deri në 17.00 kam pushim dhe më pas punoj sërish si korrier derisa të fillojë turni në fabrikë”, thotë A.

“Është e rëndë”, thotë 44-vjeçari. “Por unë kam një familje dhe shumë fatura që duhet t’i paguaj në fund të muajit. Përveç kësaj, nëna ime në Kosovë vuan nga kanceri dhe unë paguaj shpenzimet e mjekimit”.

Paratë janë shumë të pakëta, ai vështirë se mund të përballojë ndonjë kosto të papritur. Për shkak se A. nuk konsiderohet si i varfër që punon (working poor), ai nuk mund të marrë as përfitime suplementare dhe as ndihmë sociale. Nuk e di se sa kohë mund ta përballojë këtë sforcim: “Jam i rraskapitur fizikisht dhe mendërisht”, shprehet ai.

Sipas Philipp Frei nga Budgetberatung Schweiz, ka një kërkesë shumë të lartë për të ardhura shtesë, siç janë shërbimet prej korrieri etë ngjashme. Një nga arsyet: “Në shumë sektorë me paga të ulëta paguhen paga që thjesht nuk mjaftojnë”. Përveç kësaj, familjet me të ardhura të ulëta aktualisht po goditen veçanërisht rëndë nga rritja e çmimeve të konsumit.

“Zejtarët shpesh varen nga makina, për arsye pune. Duke qenë se në përgjithësi fitojnë më pak, çmimi më i lartë i benzinës i godet rëndë dhe ata vuajnë nga inflacioni”, shpjegon Frei. “Përveç kësaj, njerëzit me të ardhura më të ulëta shpesh jetojnë në shtëpi apo apartamente të vjetra, të cilat ngrohen me naftë, pra, sërish kemi të bëjmë me çmimin e naftës që shkakton sërish probleme”.

Frei ka frikë: “Tendenca drejt rritjes së kërkesës për të ardhura shtesë dhe punë shtesë do të intensifikohet me inflacionin aktual”, transmeton albinfo.ch. Ai këshillon të prekurit që të hartojnë një plan buxhetor dhe të shohin se ku mund të bëjnë ende kursime. “Rreth një e treta e shërbimeve për të cilat njerëzit kanë të drejtë, nuk janë shfrytëzuar. Arsyet për këtë janë se ata nuk e dinë, janë të stërngarkuar ose kanë turp”, thotë Frei.

Sipas Claudia Stöckli, anëtare e menaxhimit të sindikatës Syna, punonjësit me paga të ulëta kanë nevojë për rritje pagash këtë vit, që do të shkonte shumë përtej inflacionit. “Kjo është mënyra e vetme për të siguruar efektivisht fuqinë blerëse”. Me rritjen e pritshme masive të primeve të sigurimeve shëndetësore, familjet kërcënohen me një goditje të re shpenzimesh nga 1 janari 2023″.

Philippe Gnaegi, drejtor në Pro Familia dhe pedagog në Universitetin e Friburgut dhe Neuchâtel-it, ka trajtuar gjithashtu temën e familjeve dhe varfërisë në librin e tij “Politika e familjes në Zvicër”, i cili u botua në vitin 2021. “Fakti që ndonjëherë duhen dy rroga për të ushqyer një familje këto ditë është një problem i madh”, thotë Gnaegi, përcjell albinfo.ch Mbajtja e familjes kushton shumë dhe gjendja financiare e familjeve do të përkeqësohet me inflacionin.

Përfitimet familjare (EL) mund të zbusin situatën problematike dhe stresin e përditshëm të përfituesve dhe do të kishin një efekt më pak stigmatizues sesa ndihma sociale. “Duke qenë se ato nuk duhet të shlyhen, përfitimet në fjalë mundësojnë një dalje më të qëndrueshme nga varfëria brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, thotë Gnaegi. Por edhe këtu ka një problem: “Vetëm katër kantone ofrojnë përfitime të tilla shtesë. Të gjithë të tjerët mbështeten vetëm në ndihmën sociale”./Media Ndërtimi.

Aktuale

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni

Published

on

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni, sipas një sondazhi të Eurobarometrit. I njëjti sondazh zbuloi se vetëm 18% e qytetarëve të BE-së ishin në gjendje të tregonin një nivel të lartë edukimi financiar. Sipas sondazhit, 65% e qytetarëve të BE-së janë të vetëdijshëm se, në kohë inflacioni pozitiv, fuqia blerëse e parave të tyre ulet, që do të thotë se ata mund të blejnë më pak se më parë me të njëjtën sasi parash.

Në tetor 2022, inflacioni vjetor në BE arriti nivele të papara në katër dekadat e mëparshme në 11.5%. Ndërsa rritja e kostos së jetesës ishte shqetësimi më urgjent për 93% të evropianëve në atë kohë, me sa duket një e treta e qytetarëve të BE-së nuk e dinë se si inflacioni ndikon në jetën e tyre. Sondazhi i Eurobarometrit, i kryer në mars-prill 2023, përfshiu pyetje mbi njohuritë financiare dhe sjelljen për të matur njohuritë financiare në të gjithë vendet e BE-së.

Vetëm rreth një e katërta e të anketuarve (26%) në BE iu përgjigjën saktë të paktën katër nga pesë pyetjet mbi njohuritë financiare. Gjysma iu përgjigj saktë vetëm dy ose tre pyetjeve, ndërsa një tremujor tjetër i gjeti pyetjet veçanërisht sfiduese. Performuesit më të mirë ishin Holanda (43%), Danimarka (40%), Finlanda (40%) dhe Estonia (39%) ku rreth katër në 10 të anketuar shfaqin një nivel të lartë njohurish financiare. Rumania dhe Portugalia raportuan rezultatet më të këqija në nivelet e larta të njohurive financiare me 13% dhe 16%, respektivisht.

Ndër katër ekonomitë e mëdha të BE-së, vetëm Gjermania kishte një rezultat më të lartë se mesatarja e BE-së në këtë tregues. Ndërsa rezultatet e Francës dhe Italisë ishin pak më poshtë mesatares së BE-së, kjo shifër ishte dukshëm e ulët në Spanjë me 19%.

Anasjelltas, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Qipro dhe Rumani (të dyja 30%), e ndjekur nga Greqia (29%) dhe Portugalia (28%). Sondazhi zbuloi se 35% nuk e kuptonin se si inflacioni ul fuqinë e tyre blerëse. Pyetja ishte: Në BE, 22% thanë se mund të blinin të njëjtën sasi, dhe 7% u përgjigjën se mund të blinin më shumë se sot. Gjashtë përqind e pjesëmarrësve nuk kishin përgjigje.

Përqindja që iu përgjigj saktë kësaj pyetjeje (“Më pak se sa mund të blini sot”) ishte nën 60% në Qipro, Portugali, Greqi, Rumani dhe Itali, ndërsa Finlanda dhe Estonia kishin përqindjen më të lartë me 84%. Njohuria e përgjithshme financiare bazohet në njohuritë financiare dhe rezultatet e sjelljes. Mesatarisht, në të gjithë BE-në, 18% e të anketuarve kanë një rezultat të lartë për nivelin e përgjithshëm të edukimit financiar, 64% kanë një rezultat mesatar dhe 18% një rezultat të ulët.

Përqindja me një rezultat të lartë varionte nga 11% në Portugali dhe Letoni në 27% në Danimarkë, Slloveni dhe Suedi dhe 28% në Holandë. Përkundrazi, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Finlandë (27%), Letoni (24%), Belgjikë (22%) dhe Spanjë (22%). Duke parë rezultatet e nivelit socio-demografik, proporcioni me një rezultat të lartë në arsimimin e përgjithshëm financiar është më i lartë midis:

meshkuj (24% krahasuar me 13% të femrave);

të anketuarit e moshës mbi 39 vjeç (20%, krahasuar me 13% të moshave 18-24 dhe 16% të atyre të moshës 25-39 vjeç);

të anketuarit me nivel të lartë arsimor (26%, krahasuar me 16% të atyre me nivel të mesëm dhe 12% për ata me nivel të ulët arsimor).

BE-ja po punon për të siguruar që qytetarët e saj të kenë njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të marrë vendime të mira financiare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova, arrestohen 17 persona në Serbi

Published

on

Në Serbi janë arrestuar 17 persona, anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar 400 dokumente për shqiptarët nga Kosova dhe në këtë mënyrë kanë krijuar përfitime të paligjshme financiare në shumë prej të paktën 100 mijë euro.

Sipas urdhrit të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar (PKO), në bashkëpunim me Shërbimin për Luftën Kundër Krimit të Organizuar (ShLKKO) arrestimi i tyre ka ardhur për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve në periudhën nga prilli i vitit 2023 deri më sot, dhe për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Grupi i parë i organizuar kriminal, siç thuhet, përbëhej nga gjashtë persona, përkatësisht: M.N, N.G, V.S, L.R.S, S.B dhe N.P, ndërsa grupi i dytë i organizuar kriminal përbëhej nga 11 persona dhe përkatësisht: R.B, A.B, B.D, D.G, I.D, Z.V. , M.B, M.P, S.K, B.Gj dhe S.K

Siç shkruan portali serb “N1”, nga Prokuroria për krim të organizuar kanë thënë se “ekziston dyshim i bazuar se këto grupe të organizuara kriminale kanë prokuruar dhe krijuar dokumente të falsifikuara, përkatësisht: karta identiteti, kontrata e autorizime që kanë të bëjnë me blerjen dhe shitjen e ngastrave kadastrale në Kosovë në pronësi të personave serbë të zhvendosur nga Kosova, dhe në këtë mënyrë u mundësonin personave të nacionalitet shqiptar nga Kosova, të cilët janë të interesuar të marrin statusin e shtetasve të Serbisë, të regjistrojnë vendbanimin, të marrin shtetësinë dhe dokumentet personale”.

Gjithashtu, sipas portalit serb, personave të interesuar u janë dhënë vërtetime të falsifikuara, diploma të arsimit të mesëm dhe të lartë dhe në këtë mënyrë u kanë mundësuar që këto dokumente të falsifikuara t’i përdorin si të vërteta.

“Në këtë mënyrë kanë krijuar rreth 400 dokumente të ndryshme dhe kanë përfituar përfitime pasurore të kundërligjshme në shumën prej 100 mijë eurosh deri më tani”, citohet të ketë thënë Prokuroria.

Mes anëtarëve të këtyre dy grupeve të organizuara kriminale janë dy ofiqarë, një pjesëtar i MPB-së, një ish-punonjës i Universitetit “Megatrend” dhe një këshilltar i punësuar në Ministrinë e Arsimit të Serbisë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Ministria e Turizmit përgatit aplikimin për futjen e Vjosës në UNESCO

Published

on

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka njoftuar nisjen e punës për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore të mbrojtura nga UNESCO, nën programin “Njeriu dhe Biosfera”.

Kumbaro ka pasur një takim me delegacionin e UNESCO-s që ka mbërritur në Tiranë, i cili do të ndjekë përgatitjen e dosjes së aplikimit. “E lumtur të prisja në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ekipin e UNESCO, me të cilët nisim punën për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore përmes programit “Njeriu dhe Biosfera”. Është ky program global që synon të krijojë një bazë shkencore për të përmirësuar marrëdhëniet midis njerëzve dhe natyrës ku jetojnë, për zhvillimin e qëndrueshëm që mbron mjedisin.

Na pret një punë intensive në përgatitjen e dosjes së aplikimit, që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të dorëzojnë në UNESCO brenda këtij viti, për t’i dhënë një tjetër pasaportë ndërkombëtare mbretëreshës së lumenjve europiane e për të shtuar një tjetër xhevahir shqiptar në listën e UNESCO”, shprehet Kumbaro.

Vjosa u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Më herët, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO Audrey Azoulay vizitoi Vjosën me ftesë të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro me qëllim përfshirjen e saj në listën e siteve të mbrojtura nga UNESCO, duke e vlerësuar si një prej lumenjve të fundit të egër në Europë dhe i pari Park Kombëtar i një lumi të paprekur.

Përgatitja e aplikimit është një proces i gjatë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Kombëve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, dhe Shqipëria do të asistohet nga ekipi i programit “Man and Biosphere”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending