Nëse keni shëtitur ndonjëherë nëpër rrugët e Janjevёs, sixhadeja e gjallë e trashëgimisë kulturore, fetare dhe natyrore padyshim do të të kishte tërhequr vëmendjen.
Është një kombinim harmonik i vlerave të ndryshme etnike që bashkëjetojnë bukur në këtë vend të jashtëzakonshëm. Janjevё, me thesaret e saj historike dhe arkitekturore, së bashku me trashëgiminë e saj kulturore jomateriale, qëndron si një dëshmi e unitetit midis komuniteteve të ndryshme.
Pashko Ivanoviqit, si shumë të tjerëve, i kujtohen shumë kujtime të dashura të fëmijërisë teksa ecën në rrugët e vjetra të Janjevёs. Ai ishte 11 vjeç kur familja e tij u nis për në Kroaci – por me kënaqësi kthehet në vendin e tij të origjinës një ose dy herë në vit.
“Unë u ktheva për herë të parë në vitin 2003 dhe ishte një ndjenjë e çuditshme sepse gjithçka dukej më e vogël. Megjithatë, për shkak të të gjitha kujtimeve dhe rrugëve të njohura ku luaja si fëmijë, m’u duk sikur të kthehesha në shtëpi”, thotë Pashko.
Familja e Pashkos banonte në një nga shtëpitë më të vjetra në Janjevё. Fatkeqësisht, kalimi i kohës ka bërë të vetën, duke e lënë shtëpinë në nevojë të madhe për restaurim për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme.
“Shtëpia jonë mbart historinë e familjes sonë por gjithashtu mishëron thelbin e trashëgimisë multikulturore të Janjevёs”.
Pashko kujton me dashuri kohët kur ai i ndihmonte prindërit e tij në punëtorinë në katin e parë të shtëpisë së tij – ku ata bënin lodra dhe korniza plastike. Edhe tani, teksa ai viziton shtëpinë, prania e makinës së vjetër të prodhimit ngjall kujtime nostalgjike.
Shtëpia e familjes së tij – në mesin e 14 shtëpive të tjera në Qendrën Historike do të rehabilitohet dhe restaurohet – duke ruajtur vlerat kulturore dhe historike, si pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore si nxitës për ringjalljen ekonomike të Janjevës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.+
Kjo përpjekje synon të ruajë vlerat kulturore dhe historike të këtyre shtëpive, duke kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të turizmit në Janjevё. Pasi të rigjallërohet, shtëpia e familjes së Pashkos do të shndërrohet në një shtëpi pritëse, e cila do të mirëpresë vizitorët.

Aktualisht po kryhen ndërhyrje emergjente për restaurimin dhe konsolidimin e strukturave në nëntë prej shtëpive më të dëmtuara. Projekti gjithashtu parashikohet të nisë punimet infrastrukturore për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit në të gjithë Janjevёn.
Me investimin e Komunës së Lipjanit, punët infrastrukturore në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit do të shtrihen në tërë fshatin. Këto zhvillime ofrojnë një bazë solide për rritjen e turizmit në zonë.
Pashko, i shoqëruar nga një grup miqsh, së fundmi vizitoi Janjevёn me një plan ambicioz në mendje.
“Ne e kemi diskutuar shpesh idenë e hapjes së një fabrike birre artizanale. Me shtimin e elementeve turistike dhe disponueshmërinë e akomodimit, do të bëhet shumë më e lehtë për ne”.

Pashko pret me padurim ringjalljen e Qendrës Historike të Janjevёs, duke besuar se ajo jo vetëm që do të tërheqë investime, por edhe do të fuqizojë turizmin.
Projekti “Trashëgimia kulturore si nxitës për ringjalljen ekonomike të Janjevё” jo vetëm që fokusohet në restaurimin e 14 shtëpive më të rrezikuara, por gjithashtu synon të fuqizojë banorët e Janjevё/Janjevo. Nëpërmjet programeve të zhvillimit të aftësive dhe granteve të vogla për bizneset e reja dhe ekzistuese, projekti synon të krijojë mundësi pune dhe të nxisë rritjen socio-ekonomike në rajon.