Këta janë përfituesit e 49 milionë dollarëve të dhuruar nga MCC

0

Kosova ka arritur që të fitojë një fond prej afro 50 milionë dollarë nga Agjencia Shtetërore e Amerikës, Koorporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Mjetet e marra nga MCC, Kosova do t’i orientojë në projekte të mëdha, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale të fushës përkatëse ku do të investohet.

Koodinatori nacional për menaxhimin e këtij fondi për Kosovë, Petrit Selimi në një intervistë për Ndërtimi.info ka treguar se 49 milionët që i ka dhënë MCC do të orientohen në dy programe, atë të efiçiencës energjetike dhe atë të transparencës në qeverisje.

Duke theksuar se shumica e mjeteve do të shkojnë në efiçiencën energjetike, Selimi ka shpjeguar se çfarë konkretisht do të investohet në këtë sektor.

Pra do të ketë programe për renovimin e objekteve familjare, kolektive dhe familjare, shtëpive individuale duke instaluar njësitë efiçiente energjetike, p.sh izolimin e objekteve, izolimi me sitropor, mjete të tjera të ngjashme në rritje të efiçiencës, por në nivel masiv, jemi duke folur për disa dhjetëra milionë dollarë, jo në nivel të vogël, në mbarë Kosovën. Pastaj do të kemi investim në Termokos në instalimin e  njehsorëve individual, temeperatuar e ngrohjes nuk mund të kontrollohet as me u ndal dhe ne do ta instalojmë në gjithë Prishtinën njehsor individual që njerëzit me kontrollu dhe me pagu sipas përdorimit dhe jo sipas metrave katrorë, jo paushall”, ka thënë ai.

Ai, ka potencuar se programi në mënyrë indirekte ka lidhje edhe me termocentralin “Kosova e Re”, duke theksuar se ndërtimi i këtij termocentrale ka rëndësi të veçantë në prodhimin e energjisë bazë.

Ka ndërlidhje jo direkte, sepse një kritikë që i është bërë Kosovës për Termocentralin “Kosova e Re” nga shoqëria civile, nga fondacione ambientaliste ka qenë që po fokusohemi vetëm në qymyr, që nuk ka investime në energji të ripërtërishme apo në efiçiencë energjetike. Tash ky projekti “Kosova e Re” duhet të vazhdohet dhe të niset, duhet të përfundojë sa më shpejt ndërtimi sepse ky është prodhimi bazë i rrymës. Kosova ka mungesë të prodhimit bazë të rrymës, sidomos në pikat kulmore të shpenzimit verës apo dimrit dhe ajo duhet të ndodhë sa më shpejt, ne jemi vonuar bile tepër shumë”, ka shtuar Petrit Selimi.

Koodinatori nacional për menaxhimin e këtij fondi, gjithashtu nënvizoi se MMC me investimet e veta i ndihmon Kosovës të tregojë që po mendon edhe për ambient, e jo të fokusohet vetëm në thëngjill, i cili dihet se është ndotës i madh i ambientit.

Në lidhje me procesin e tenderimit, Selimi ka theksuar se do të jetë proces transparent, teksa ka shpjeguar si do të bëhet kjo.

Ka proces tërësisht transparentë dhe ka metodologjinë MCC në mbarë botën, botohen listat e tenderëve që priten për tërë vitin, besoj  që së shpejti deri në fund të viti të botohet lista e parë, kështu kompanitë, institucionet, individët që janë të interesuar të garojnë ose  për shërbime konsulente apo ndërtim apo fusha të tjera kanë mundësi me pa kur parashikohen të bëhen këta tenderë”, është shprehu Selimi.

Sipas Selimit, marrëveshja e nënshkruar në mes Kosovës dhe SHBA-së nënkupton që tenderët do të bëhen me ligje amerikane dhe formulë prokurorimi të bazuar në MCC, prandaj edhe do të ketë mbikëqyrje të plotë amerikane në këtë proces.

Më tutje ai ka treguar se kur pritet të fillojë puna në projektet që do të investohet nga paratë e marra nga MCC.

Unë pres që deri në fund të viti, deri në janar të viti të ardhshëm të  themelohet fondacioni si entitet impelemtues, të ketë stafin, të vijnë personat e autorizuar amerikanë,  objekti ku janë zyrat të përfundojë  dhe diku në  pranverë të vitit të ardhshëm të fillojnë proceset e  draftimit të termave, referencës dhe këto kushtet  tjera teknike dhe financiare, që të niset  impelemtimi i projekteve”, ka thënë koodinatori nacional për menaxhimin e këtij fondi.

Sipas Selimit se projektet implentohen nga sektori privat apo institucione të tjera që kanë eksperiencën e duhur.