Komuna e Malishevës tri herë e ka tenderuar projektin për “Rregullimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza, faza e parë Bubel – Lubizhdë”, por në fund ka pranuar vetëm një ofertë, të cilën edhe e ka kontraktuar.
Dy tenderët e parë ishin anuluar dhe në të dy njoftimet kishte kritere diskriminuese. Në tenderin e parë, Komuna e Malishevës kishte vendosur kritere diskriminuese, të cilat ishte pajtuar t’i korrigjojë pasi kishte pranuar një kërkesë për rishqyrtim nga një operator ekonomik.
Edhe në tenderin e dytë për këtë projekt, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konstatuar se janë vendosur kritere diskriminuese.
Pas vendimi të OSHP-së, Komuna e Malishevës e kishte korrigjuar dosjen e tenderit, por në fund kishte vendosur që të anulojë në tërësi aktivitetin e prokurimit.Të njëjtin projekt e kishte tenderuar për herë të tretë disa javë më vonë dhe e kishte pranuar vetëm një ofertë nga një konsorcium i përbërë nga 5 biznese: “Smart Projekt & Hidro Project & Xhemshir Sejdia & Aksi Projekt”.
Edhe në tenderin e tretë kishte ankesa në shkallën e parë përmes “Kërkesës për Rishqyrtim” në të cilën pretendohej për kritere diskriminuese, mirëpo ato ishin hedhur poshtë nga Komuna e Malishevës.
Operatori Ekonomik ankuese nuk kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke i hapur rrugë që Komuna e Malishevës të nënshkruajë kontratë në vlerë 1,260,344 euro me të vetmin operator që kishte ofertuar në këtë tender.
Ish-shefi i Urbanizmit në Komunën e Malishevës pjesë e konsorciumit fitues
BIRN e ka analizuar edhe dosjen e tenderit të dorëzuar nga grupi i Operatorëve Ekonomikë. Në mesin e dokumenteve të dorëzuara nga ky grup i operatorëve në këtë tender është edhe CV e Remzi Javori, i cili sipas CV-së se tij ka qenë për 14 vite shef i Urbanizmit në Komunën e Malishevës.
Kompania “Smart Projekt” që është pjesë e konsorciumit e ka dorëzuar CV-në e tij si inxhinier i ndërtimtarisë.
E një nga kërkesat në tender ka qenë që inxhinieri të jetë i diplomuar në drejtimin infrastrukturë rrugore, dhe i cili duhet të ketë 5 vjet përvojë punë dhe inxhinier në drejtimin master Konstruktiv me përvojë pune 6-vjeçare.I kontaktuar nga BIRN, Remzi Javori – Inxhinier i ndërtimtarisë, ka thënë se nuk ka punë të rregullt në kompaninë që ka aplikuar për këtë tender. Ai ka thënë se kompanisë në fjalë ia ka dhënë CV-në sa për të aplikuar në tender dhe për t’i plotësuar kriteret.
“CV-në jo vetëm kësaj kompanie por ka shumë kompani të tjera në Malishevë që ia kam shokë, ua dërgojë vetëm sa për të aplikuar, ndoshta ky e ka marrë tenderin, tjerë ka plotë që ua dërgojë por nuk e marrin tenderin. Nëse më angazhon me pagesë, mandej unë mundem me u marrë me mbikëqyrjen, por përndryshe unë nuk kam asnjë interes, nuk po e di as cila kompani është ajo që e ka fituar tenderin” – ka thënë Javori.
Ai ka thënë se nuk është pjesë e komunës së Malishevës që nga viti 2016 dhe se CV-ja e tij në një dosje të tenderit mund të jetë disavantazh për operatorin ekonomik, pasi sipas tij “nuk ka raporte të mira” më qeverisjen aktuale./Media Ndërtimi