Connect with us

Gjykim

Ish-inspektorja: Isa Mustafa më tha të mos merrem me “Hysi Group”

Published

on

Të hënën, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar ish-inspektorja e Komunës së Prishtinës Zyhrije Pllana, e cila ka thënë se në një takim që e kishte pasur me kryetari e atëhershëm të komunës, Isa Mustafa, kishte diskutuar rreth “Hysi Group”, derisa ky i fundit sipas saj, i kishte thënë se “mos u merr me këtë punë se merrem unë”.

Ajo këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion.

Gjykata Supreme me 20 shtator të këtij viti, kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala, dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje vetëm sa i përket veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarja Pllana duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores Florije Shamolli ka sqaruar se gjatë vitit 2010 në Komunën e  ka punuar si inspektore, për 6 muaj deri sa ishte suspenduar nga kjo pozitë.

Ajo tha se ka inspektuar zonën në qendër, ku ka përfshirë Lakrishten, Dardaninë dhe pjesën e Qendrës dhe në këtë zonë kishte punuar së bashku me Blerina Sylën dhe Avdi Kadriun.

Tutje, tha se në këtë zonë ka qenë e përfshirë edhe objekti i “Hysi Group” dhe se së bashku Sylën dhe me Kadriun kanë dal për të parë gjendje në terren.

Dëshmitarja Pllana ka thënë se nuk është e sigurt mirëpo kur e kanë marrë këtë pjesë për të inspektuar,  objekti i  “Hysi Group” kishin qenë bodrumet e përfunduar dhe është pritur që etazhi i parë për të filluar.

Pas kësaj, në rastin “Hysi Group” ka thënë se çdo herë që kanë shkuar në vend punishte dhe kanë kërkuar dokumentacionet për inspektim nuk i kanë gjetur me arsyetimin që i ishte dhënë se janë në komunë.

Duke shtuar se gjatë punës në terren së bashku me Blerina Sylën kishin dyshuar në një vendim të njëjtën e kishin fotografuar dhe e kishin dorëzuar në Komunë.

E pyetur nëse shkak për suspendimin e saj ka mundur të jetë raporti që e kishte bërë në terren, dëshmitarja tha se ndoshta ka mundur te jete arsyeja.

Në anën tjetër duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësi të të akuzuarit Ismet Halit, avokatit  Ramiz Krasniqi, dëshmitarja Pllana ka thënë se arsyeja që kishte pasur takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës në atë periudhë Isa Mustafa kishte qenë letra interne, në mes të shkresës ka qenë edhe objekti “Hysi Group”.

Duke shtuar se nuk ka pasur arsye tjetër që të i bëjë shkresë kryetarit dhe se pjesë e diskutimit ka qenë leja e objekti “Hysi Group”.

Po ashtu, ajo tha sa i kujtohet ka shprehur pakënaqësi për lëndën i ishte tërhequr për 3-4 ditë nga shefi i inspekcionit Haliti, më pas është i takuar dhe me drejtoreshën e Urbanizimit dhe nënkryetarin, ku drejtoresha e ka parë lejen e ndërtimit dhe ka ngritur dyshimet se nuk është konform ligjeve pozitive.

Më pas, dëshmitarja tha se, marrëdhënia e punës i ishte ndërprerë pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës në atë periudhë Isa Mustafa.

E pyetur se a është e vërtetë që në deklaratën e dhënë më parë ku në pyetjet e avokatit Krasniqi kishte thënë se Isa Mustafa “i kishte thënë që kjo është punë e imja lidhur me objektin “Hysi”, ajo tha se nëse ka dhënë deklaratë është e saktë.

Dëshmitarja tha se pasi që ishte publikuar letra dhe nga komisioni ishte vërtetuar që të njëjtën nuk e kishte publikuar dhe pas kësaj ishte transferuar në Drejtorinë për Kapitale dhe ishte ngritur në gradë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Abdullahu, avokatit Ali Beka,  dëshmitarja tha se Drejtoria e Investimeve Kapitalit është e njëjta vetëm që atëherë e ka pasur emërimin Drejtoria e Infrastrukturës.

Ajo ka thënë se kryetari i komunës në atë periudhë kohore, Isa Mustafa në takim ku ishte diskutuar edhe rreth “Hysi Group”  kishte thënë se “ mos u merr me këtë punë se merrem unë” kurse e njëjta tha se me siguri i ishte përgjigjur të njëjtit “Për qata i keni pranuar inspektorat në punë” dhe se inspektorat janë për të i ndërprerë dhe me i mbikëqyrë punimet.

Duke shtuar se në letrën interne kishte thënë se “Inspektorat po funksionojnë si kukulla”.

Ajo tha se në këtë letër interne ka përfshirë parregullsitë gjatë  inspektimit në terren dhe që vendimet që merren nga inspektorat e komunës nuk zbatohen, në të cilën letër ka qenë e përfshirë edhe “Hysi Group”.

Dëshmitarja duke u përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues tha se gjatë periudhës sa kishte qenë inspektore në Komunë nuk i kujtohet sa vendime janë marrë për rrënim mirëpo një rast për rrënim të një objekti, i cili ka qenë i një profesori në lagjen Arbëria.

E pyetur rreth ndërtimit të “Hysi Group”, e njëjta tha se në atë zonë ku ka qenë ky ndërtim fillimisht e kishin pasur kolegët paraprak, si dhe  pas ardhjes së saj si inspektore në atë zonë kishte vazhduar me inspektim deri sa është suspenduar nga puna.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve./Media Ndërtimi.

Gjykim

Apeli vërteton dënimin me 15 mijë euro gjobë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Drenas

Published

on

Gjykata e Apelit e ka vetëtuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit i akuzuari Idriz Hysenaj ishte dënuar me 15 mijë euro gjobë nën akuzën e korrupsionit.

Hysenaj akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që në cilësi të asamblistit, pastaj edhe të Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Drenasit kishte lëshuar me qera banesa që ishin pronë e kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë me 27 mars 2023 Hysenaj e kishte dënuar me 6 muaj burgim por që me pëlqimin e tij ky dënim mund t’i zëvendësohej në dënim me gjobë prej 15 mijë euro.

Kurse më 21 gusht 2023 Apeli kishte shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore dhe të mbrojtësit të Hysenajt, avokatit Tahir Rrecaj, ankesa këto kundër aktgjykimi të Themelores.

Në vendimin e Apelit të marrë së fundit janë refuzuar si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Themelore dhe të avokatit Tahir Rrecaj, kurse është vërtetuar aktgjykimi i Themelores.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, …., të datës 24.05.2023 vërtetohet”, thuhet në vendimi  e Apelit.

Tutje, në vendimin e Apelit theksohet se aktgjykimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurë penale që do të kushtëzonin prishjen e të njëjtit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Gjithashtu Apeli ka sqaruar se aktgjykimi i Themelores lidhur me lartësinë e dënimit është i drejtë dhe i bazuar pasi është vërtetuar se Hysenaj ka kryer veprën penale me dashje, duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe se dënimi është në proporcion me peshën e veprës penale të kryer.

Apeli në vendimin po ashtu thekson se nuk është paraqitur ndonjë rrethanë e re e cila do të ndikonte në shqiptimin e një dënimi më të lartë ndaj Hysenajt dhe se zëvendësimi i dënimit me burg në atë me gjobë nga Themelorja ka qenë konform dispozitave ligjore.

Ndryshe aktakuza ndaj Hysenajt ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë cili fillimisht si asamblist në Komunën e Drenasit pastaj edhe drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë kishte dhënë në shfrytëzim banës të ndryshme duke u a marrë qerat e të cilat ishin pronë e Komunës së Drenasit, prandaj me këto veprime akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Gjykim

Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se i akuzuari Mehmet Prishtina kishte qenë pronar legjitim i parcelës që kishte blerë

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, dëshmitari Ilir Krasniqi ka deklaruar se parcelën e kishte blerë nga Mirsad Jetullahu por që i njëjti kishte qenë i autorizuari i Mehmet Prishtinës, i cili ka qenë pronar legjitim.

Në këtë rast, të akuzuarit Mehmet Prishtina, Nexharije Hoti, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, po akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Fillimisht, në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili ka sqaruar lidhur me kërkesat e mbrojtëse të të akuzuarve Mehmeti Prishtina dhe Nexharije Hoti për parashkrimin e veprave penale.

Ai tha se gjykata duke vepruar sipas kërkesës me shkrim të 15 dhjetorit 2022, të paraqitur edhe gojarisht në seancën gjyqësore të 19 korrikut 2023 për parashkrimin e ndjekjes penale për veprat penale që iu vihen në barrë, pas analizimit të shkresave të lëndës dhe duke u bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe duke marrë për bazë mendimin juridik të Gjykatës Supreme të datës 30 maj 2019, ka gjetur se në rastin konkret nuk kanë të bëjnë me parashkrimin e ndjekjes penale për veprat penale për të cilat akuzohen të akuzuarit e lartcekur.

Po ashtu, gjykatësi Ismaili bëri të ditur se ka refuzuar edhe kërkesën e dytë të të akuzuarit Prishtina për kthimin e dorëzanisë të deponuar në këtë gjykatë me arsyetimin se nuk janë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar kjo masë.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Prishtina, avokati Shkelzen Sopjani ka pyetur gjykatësin Ismaili nëse do të pajisjen me këto vendime në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për ankesë.

Por që lidhur me këtë, gjykatësi Veseli dhe anëtarja e trupit gjykues Violeta Namani kanë thënë se ky aktvendim është marrë në procesverbal jashtë procesit gjyqësor dhe kundër vendimeve procedural mund të thirren në aktgjykim.

“Skena marr vendim të veçantë, ski të drejtë ankese, për çdo vendim procedural në procesverbal në fund të shqyrtimit gjyqësor me aktgjykim”, tha gjykatësja Namani.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ilir Krasniqi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores special Merita Bina–Rugova ka pohuar se në vitin 2013 kishte blerë një tokë me sipërfaqe prej 437 m2.

Ai tha se rastësisht në sheshin Ibrahim Rugova, kishte parë një tabelë informuese ku shënohej “shitet parcela”, e që personi që kishte telefonuar quhej Mirsad Jetullahu.

Tutje, ai tha se në vitin 2013 ishte takuar me të për të diskutuar lidhur me çmimin dhe kushtet duke shkuar  më pas për ta shikuar parcelën e cila tha se kishte qenë e parcelizuar.

Ai tha se çmimi fillestar për këtë tokë kishte qenë 8 mijë euro por që më pas ishin dakorduar që çmimi të jetë 7 mijë për ari.

“Diku totali i çmimit për tërë parcelën ka qenë 31 mijë euro aty pari. Pra ka qenë 4 ari e 32 m2 nëse s’gaboj”, tha dëshmitari.

I njëjti kishte thënë se ai është i autorizuari i Mehmet Prishtinës e që sipas tij ka qenë pronar legjitim.

Ai tha se pas përfundimit në tërësi të pagesës, kishte aplikuar për fletë poseduese, të cilën tha se e kishte marrë pas disa ditësh.

Më pas, dëshmitari Krasniqi tha se ai kishte kuptuar se toka ka probleme në momentin kur kishte dashur të filloj të ndërtoj diçka në të.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale është paracaktuar më 20 tetor 2023.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda./Media Ndërtimi

Continue Reading

Gjykim

Shiti banesa në formë mashtrimi, e akuzuara thotë se kishte lidhur kontrata me policë, gjyqtarë e prokurorë

Published

on

Në seancën e rigjykimit të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, e akuzuara Estrida Bunjaku tha se nuk kishte pasur qëllim mashtrimi, se ishte e vetëdijshme që kishte lidhur kontrata me policë, gjyqtarë e prokurorë, ndërsa shtoi se nëse do donte të mashtronte, këtë do e kishte bërë me njerëz të tjerë. Ndërsa, tha se është e interesuar të punojë, që t’ua kthejë mjetet të dëmtuarve.

“Me pas qëllim mashtrimi, unë kam qenë shumë e vetëdijshme me kanë kam lidhë kontrata, ku shumica janë policë, gjyqtarë, prokurorë. Nëse kisha dashtë me mashtru, kisha mashtru njerëz tjerë”, tha e akuzuara Bunjaku.

Këtë deklarim, Bunjaku e bëri në rastin ku bashkë me Vigan Bunjakun, Burim Vokrrin, Xhemail Arifin, Faton dhe Valon Orllanin, akuzohen për përfshirje në veprat penale “Krim i organizuar”, “Mashtrim”, “Shpëlarje e parave”, “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi’’, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E akuzuara Estrida Bunjaku, në fjalën përfundimtare tha se që nga fillimi qëllimi i saj nuk kishte qenë mashtrimi, e këtë gjë tha se mund ta vërtetonte me faktin se kishte bërë kontrata me pronarë të tokës, ku kishte filluar ndërtimin si dhe parakontratat dhe marrëveshjet me blerësit e banesave.

Ajo tha se është e vërtetë se një pjese të klientëve ua kishte kthyer paratë dhe se ka dashur të vazhdojë me punë. Tha se asnjëherë nuk e mohon obligimin që e ka ndaj tyre.

“Kur ka dalë problem me gyp të ujit, ajo ka qenë rrjedha e të gjithë problemeve të mia, prej vitit 2014 deri më 2015, kam qenë në paraburgim, pasi jam liruar është ngritur aktakuza ka filluar gjykimi që është mbajtë 7 vite edhe një vit isha, një vit si e dënuar, që 6 muaj jam në arrest shtëpiak. Mua që nga viti 2014 nuk më është dhënë, nuk më është dhënë mundësia që të ndërtoj dhe t’i kryej obligimet ndaj tjerëve”, tha e akuzuara Bunjaku.

Ajo tutje, tha se po të kishte pasur qëllim mashtrimi, ajo ishte e vetëdijëshme që kishte lidhur kontrata me policë, gjyqtarë e prokurorë, ku sipas saj nëse kishte dashur të mashtrojë, do kishte mashtruar njerëz të tjerë.

“Dua me thënë se nuk ka vepër mashtrimi e para, e dyta sa i përket krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave, asnjë argument dhe asnjë fakt nuk ka që ka të bëjë me krim të organizuar dhe shpëlarje të parasë, se nuk jam marrë me aktivitete kriminale, dhe për fund prapë deklarohem se qëndroj pranë fjalëve të mija, që klienteve do t’ua kthej mjetet të cilat i kanë dhënë”, tha Bunjaku.

“Kish qenë mirë me j’ua bë me dije klientave, se po kërkojnë edhe dënim edhe me j’ua kthy paret. Unë nëse shkoj në burg, qysh me j’ua kthy paret. Jam e interesuar me punu edhe me j’ua kthy mjetet”, tha ajo.

Në fund, ajo tha se është e interesuar të punojë që të ketë mundësi t’ua kthejë paratë të dëmtuarve.

Në anën tjetër, prokurorja speciale Habibe Salihu, në fjalën përfundimtare tha se konsideron që nga provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa mëdyshje janë vërtetuar veprimet e të akuzuarve, si dhe janë amnistuar të gjitha elementet e veprave penale sipas aktakuzës.

Sipas saj, veprimet e të akuzuarve më së miri janë vërtetuar me dëgjimin e dëshmitarëve, ku ishte një numër i madh i tyre.

Prokurorja Salihu shtoi se kontratat, marrëveshjet, si dhe pagesat e bëra nuk janë kontesuar as nga vet e akuzuara Estrida Bunjaku, dëmi i shkaktuar të dëmtuarve tha se nuk kontesohet në asnjë fazë të procedurës.

“Të gjithë të dëmtuarit kanë vërtetuar se gjatë negociatave për ndërtimin e këtyre banesave, Estrida i kishte mashtruar se i ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e këtyre banesave dhe se e njëjta është pajisur me leje të ndërtimit”, tha prokurorja.

Në fund, ajo kërkoi që ndaj të akuzuarve të shpallet aktgjykim fajësues dhe t’iu shqiptohet dënim siç është paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Ahmet Gjinovci, tha se e mbështet fjalën e prokurores dhe kërkoi kërkesën pasurore juridike, si dhe që të akuzuarit të obligohen në mënyrë solidare që t’ua kompensojnë dëmin palëve të dëmtuara të cilët ai i pëfaqëson dhe atë në shumën që edhe gjatë hetimeve dhe gjatë shqyrimeve e kanë argumentuar.

Edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Ahmet Berisha, avokati Agron Kryeziu e mbështeti fjalën e prokurores, duke kërkuar kërkesën pasorore-juridike në shumë prej 10 mijë euro, pagesë kjo e bërë nga i dëmtuari në xhirollogarinë e Bunjakut.

Po ashtu, edhe të dëmtuarit e tjerë prezent sot në seancë kanë kërkuar të gjithë kërkesën pasurore-juridike, ku për secilin shuma ishte nga 10 mijë euro, të cilat kërkojnë t’iu kompensohen nga e akuzuara Bunjaku.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarës Estrida Bunjaku, avokati Liridon Tafaj, tha se përshkimi i aktakuzës ndaj të mbrojturës së tij, nuk ishte vërtetuar me asnjë provë dhe arsye konkrete nga përfaqësuesja e aktakuzës.

Ai tha se në veprimet e të mbrojturës së tij, në asnjë situatë nuk qëndrojnë elementet e krimit të organizuar, si dhe lidhur me veprën penale të mashtrimit dhe të shpëlarjes së parave.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyetimin mbi faktet vendimtare të cilat do të vërtetonin që e mbrojtura ime ka kryer veprën penale, e cila i vihet në barrë. Gjykata nga provat që janë prezantuar nuk ka fakte vendimtare, madje ka fakte të cilat të mbrojturën time do ta lironin nga përgjegjësia penale”, tha mbrojtësi Tafa.

Andaj, në fund ai tha se nuk ka asnjë provë dhe fakte për t’i vërtetuar veprat për të cilat akuzohet e mbrojtura e tij, Tha se ajo është plotësisht e pafajshme dhe kërkoi lirimin e saj nga aktakuza.

Kurse, mbrojtësi i të akzuarit Vigan Bunjaku, avokati Murat Demolli, tha se ai kishte pritur që në fjalën përfundimtare Prokuroria do ta ndryshonte aktakuzën, duke u bazuar në aktgjykimin e Apelit, ku në mungesë të provave ishin aprovuar ankesat e mbrojtësve.

Ai tha se gjatë këtij procesi të rishqyrtimit gjyësor, janë vetëm dy prova ku sipas tij kanë ardhur në dobi të të akuzuarve dhe me provat tjera sipas tij nuk ishte vërtetuar teza e veprës penale.

Në fund, avokati Demolli kërkoi nga gjykata që në këtë rishqyrtim të kenë parasysh vërejtjet e Apelit, dhe të mbrojturin e tij ta lirojnë nga aktakuza.

Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Burim Vokrri, avokati Fanol Krasniqi, tha se pritshmëritë e tyre kishin qenë që në këtë rishqyrtim, Prokuroria të tërhiqet nga aktakuza duke e pasur për konsideratë aryetimin e Gjykatës së Apelit, ku jo vetëm që kishte shkelje esenciale të procedurës penale, por edhe elementet e veprës penale në raport me të mbrojturin e tij.

Sipas tij, në aktakuzë nuk ishin ndarë rolet e të akuzuarve dhe se nuk dihet koha  kur i mbrojturi i tij Vokrri kishte kryer veprën penale.

Në fund, ai propozoi që mungesë të provave të lirohet nga aktakuza i akuzuari Vokrri.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl Arifi, avokati Naim Rudari, në fjalën përfundimtare tha se i mbrojturi i tij kishte qenë një nga të dëmtuarit, i cili kishte dhënë 350 mijë euro, por i njëjti ka mundur t’i rimbursojë të njëjtat pjesërisht, e tani gjendet si i akuzuar.

“Vepra penale e krimit të organizuar edhe sikur të kishte vepra penale “Mashtrimi”, dënueshmëri më të lartë nuk mund të përmbushet asnjëherë krimi i organizuar me një vepër të vetme penale”, tha mbrojtësi Rudari.

Ai tha se pret një vendim të drejtë dhe të ligjshëm- aktgjykimi lirues, pasi që sipas tij Prokuroria nuk e ka argumentuar vepën penale dhe kjo aktakuza tha se nuk do të kalojë.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Valon Orllani, avoakati Ramiz Krasniqi, tha se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ka vepër penale, duke shtuar se Prokuroria kishte dështuar të provojë se si ishte e mundur të bëhet shpëlarja e parasë kur Orllani ia kishte dërguar të hollat Bunjakut përmes WesternUunion, shumën prej 16 mijë euro.

Ai tha se këto para nuk kanë mundur të maskohen pasi që janë parë kur janë dërguar, dhe po të donte Estrida Bunjaku t’i pastronte apo t’i fsheh paratë, ajo nuk do t’i dërgonte për WsternUninon ato para.

Ai këroi lirimin e të mbrojturit të tij nga aktakuza.

Shpallja e këtij aktgjykimi u caktua të bëhet më 19 tetor 2023./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending