Kompania Zijin e Kinës ka trefishuar prodhimin e saj në minierat e Borit në Serbi, e kjo ka përkeqësuar ndotjen tashmë të rëndë të mjedisit atje. Por cilat janë përfitimet e Serbisë nga ky investim kinez?
Nën qytet minierë, përreth qytetit minierë, e mbi qytet një ajër aq i ndotur, sa që qyteti Bor në Serbi është një pikë e zezë ekologjike në hartën e Evropës. “Ne kemi privilegjin të marrim frymë të gjithë tabelën periodike të elementeve”, shprehen me shaka banorët e Borit dhe fshatrave përreth.
Shakaja nuk është larg së vërtetës. Qyteti i Borit është ndërtuar mbi themelet e një miniere bakri dhe prej dekadash jeton nga minierat. Por studimet kanë treguar se për shkak të ndotjes nga shkritorja, e cila ndodhet në qendër të qytetit, banorët e atjeshëm jetojnë mesatarisht dhjetë vjet më pak.
Kur miniera kaloi nga shteti tek kompania kineze “Zijin” në vitin 2018, situata u përkeqësua.
“Kanë rritur 300 përqind shfrytëzimin e xehes. Kanë rritur maksimumin e shkrirjes së xeheve në shkritore dhe tani kërkojnë zgjerimin e shkritores me 250 përqind”, thotë Snezhana Sherbula, shefe e departamentit për mbrojtjen e mjedisit në Fakultetin Teknik në Bor.
Kështu filluan të përhapen minierat dhe bashkë me to edhe mbeturinat. Shpërthimet u bënë më të shpeshta dhe shkatërruese, e ndotja arriti nivelin rekord. Me zgjerimin e parë të kapacitetit të shkritores, përqendrimet e arsenikut kancerogjen në ajër u rritën 90 herë më shumë se sa lejohet.
“Nëse vazhdon kështu, supozohet se jetëgjatësia atje mund të shkurtohet me 25 vjet”, thotë Sherbula në një intervistë për DW.
Por investitorët kinezë janë aty për shkak të interesave politike e jo ekonomike, thonë bashkëbiseduesit e DW.
“Në vitet e fundit Serbia është mbështetur shumë tek Kina dhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me infrastrukturën në Serbi janë bërë me ndihmën e kredive kineze dhe kompanive kineze. Është më se e qartë se këto kredi kanë ardhur me lidhje politike, thotë Stefan Vladisavljev.
Kështu Kina e ka siguruar veten me lëndë të parë, kurse Serbia me iluzionin e zhvillimit ekonomik. Në këtë ndarje të tortës, mjedisi duket se është lënë pas dore, sepse në kontratën e shitjes së RTB Bor, Serbia i liroi partnerët kinezë nga çdo detyrim që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.
Po qytetarët? Çfarë do të ndodhë me ta kur minerali të zhduket ose kur të bëhen të padobishme?
“Çdo vend që kujdeset për qëndrueshmërinë e ekonomisë së tij formon një të ashtuquajtur fond për kalimin nga minierat në një degë tjetër – bujqësi apo turizëm, për shembull, sepse minierat janë gjithmonë një industri e kufizuar,” shpjegon profesor Gjukiq.
Por zgjidhje të tilla strategjike nuk priten nga vendet e varfra si Serbia. Trendi i shfrytëzimit vazhdon, nuk kemi asnjë perspektivë të mirë”, përfundon Gjukiq./Media Ndërtimi.