Op/Ed

Iluzioni i mirëqenies në kapitalizëm dhe shtypja sistemike ndaj të drejtave të punëtorëve

Published

on

Në vazhdën e shtypjeve sistemike ndaj të drejtave bazike të punëtorëve, ku kërkohet përkushtim maksimal për paga denigruese brenda kushteve jetësore poshtëruese, shpirti i çdo punëtori/eje sfidohet deri në pikën e thyerjes.

Sot, punëtori e punëtorja janë aq të dërrmuar, me orare të gjata të punës, nën presion të vazhdueshëm, shpesh të vendosur/a në kufinjë të ekzistencës së tyre nga një sistem që e prioritizon fitimin e pakicës, mbi trupat e shumicës.

Klasa punëtore, e shtypur në shtëpi, fabrika, markete, call center-s e kudo tjetër, janë në gjendje konstante të ankthit dhe kjo gjendje ka bazë materiale.

Frika nga varfëria i mbanë punëtorët/et nën presion të vazhdueshëm, lehtë të dhunueshëm dhe të pashpresë.

Mirëqenia mendore, emocionale dhe shpirtërore në kapitalizëm janë veç mjete dominimi të cilat janë sendëzuar nëpërmjet hapave të nxjerra nga një industri e cila synon vetëm profitin, me qëllim mbajtjen peng dhe të varur të punëtorit/es për të trajtuar probleme të cilat rrjedhin nga vetë sistemi që i pjellë këto pseudo-zgjidhje.

Aq më keq kur imazhi i shtypësve rehabilitohet nga të ashtuquajturit “ekspertë” të cilët vendosin të hedhin përgjegjësitë për mirëqenien e punëtorëve tek vetë punëtorët/et.

Depresioni, ankthi, varësia, nuk janë vetëm probleme të çrregullimeve mendore por janë simptoma të vetë kapitalizmit.

Është pikërisht ky sistem i cili mbahet mbi tëhuajsim të vazhdueshëm të punëtorit/es, duke ua shtrydhur të gjithë potencialin njerëzor, në këmbim të troshave të bukës, pasigurisë së vazhdueshme që mbjellin nënshtrim e mllef kolektiv.

Ne e dimë që ankthi dhe depresioni në të cilin jemi zhytur, nuk janë thjeshtë përvojat tona individuale. Janë përvoja kolektive, të cilën e bashkëndajmë si klasë punëtore.

Meditimi nuk e sjellë bukën në pjatë.

Hapat nuk e mbushin barkun.

Andaj, këtë 1 maj po bashkohemi për të luftuar një sistem që mirëqenien tonë e sheh si lluks.

Kolumne nga Grupi anarko-sindikalist i Prishtinës (GASP) që është kolektiv i individëve revolucionar që luftojmë për një lloj të ri të organizimit të punëtorëve, të papunëve, studentëve, të rinjve dhe penzionistëve, përmes krijimit të një lloji tjetër të sindikatës; sindikatë revolucionare jo-hierarkike që lufton ta çlirojë punën, punëtorin dhe të papunësuarin nga kthetrat e shefave, shtetit si dhe çdo institucioni tjetër shtypës./Media Ndërtimi.

Trending

Exit mobile version