Connect with us

Aktuale

Heronjtë e Hyrjes 5 të Lakrishtës, që kanë ashensorin më të bukur në Kosovë

Published

on

Kur Prishtina ishte një vend i vogël, që fitonte epitetin e kryeqytetit vetëm me disa zona, andej rrugës për Fushë Kosovë, ishte një luginë ku mbilleshin lakra. Vite më vonë, pas mëvetësisë së automonomisë së fituar si krahinë, ndërtesat do të mbushnin Prishtinën. Edhe një kompleks me pesë kulla të larta 14-15 katëshe do të zëvendësonte lakrat dhe do merrte emrin “Lakrishtë”.

Reportazh nga Uran Haxha

Hyrjet me dy ashensorë, një më i madh dhe tjetri më i vogël, janë frekuentuar prej atëherë, gjithmonë. Shumë studentë kanë banuar aty dhe memorja kolektive është shumë prezente. Origjinaliteti i modernizmit socialist në ndërtim ruhet ende, jo pse ndoshta e dëshirojnë disa, por sepse teknikisht është vështirë të intervenohet individualisht.

Ashensorët që i përmendëm më lartë, janë të cfilitur. Mbahen si ashensorët më të shpejtë në Prishtinë. Gjendja e tyre lë shumë për të dëshiruar. Dikush ka thyer një dritë, një tjetër ka shkruar me gërvishje çelësi dhe nuk të japin ndenjë të mirë të ngjitjes në kate me ta.

Por, banorët e Hyrjes 5, të fundit të kompleksit, janë paaak më ndryshe. Ata pastrojnë, sanojnë ndonjë problem të vogël, kanë bërë derën të kalohet me çip. Pra, i rrijnë gati  por në karantinë patën më shumë kohë dhe filluan diçka më të madhe.

Përpos kësaj, ata kanë një fat. Në hyrjen e tyre është Leonid Palushaj. Ai është piktor dhe duart e tij kombinojnë ngjyrat që kur ta shikosh, të flen shpirti.

Të mbledhur para banesave, mu tek hyrja e tyre, ekipin tonë e priti Leonidi, Meti e Labi. Ata gjithmonë ishin në krye te detyrës kur ju duhej diçka për hyrje. Shpirti i artistit vërehej se po jepte efekt që të duket gjithçka bukur. Përpos Leonidit artisti, Meti është njëri nga anëtarët e grupit të famshëm të POP muzikës nga Peja, NRG Band. Ai bashkë me të tjerët gjithmonë marrin aksione të tilla.

Tashmë kohë karantine koha ju premtonte për gjithçka. Kishin filluar pastrimin e hapësirave, lyerjen e hyrjes dhe ideja për pikturim të ashensorëve i priste aty me Leonidin që do ta realizonte.

“Ideja ka qenë e kahmotshme. Thuajse që një vit e kam menduar ta bëj. Duke e pa që e kanë dëmtuar shumë ashensorin, e kanë grith e ku ta di unë. Musafirët kur vishin, pak e kishin njëfarë droje për me hip, se kur e shihshin si i shkatërrum. Më pas me Metin, Florentin, e këta djemtë, i hyjmë pa hyrjes. Unë i thash që nuk kam shumë material, këta thanë që secili participojmë dhe ja ku u bë”, tregon piktori Palushaj, që edhe xhaketën që kishte veshur e kishte prekur paksa me ngjyra për t’i dhënë tjetër pamje.

Leonid Palushaj

Maska, që do ta mbante vetëm Leonidi që mos t’i pengonte era e rëndë e ngjyrave, tashmë e mbajnë të gjithë. Pandemia që ka kapluar gjithë botën, por bën që të gjithë të dukemi njëlloj. Ashtu me maska e doreza, Leonidi kishte punuar kabinën e ashensorit të madh.

“Pjesa e dyerve ka qenë më e vështirë, sepse është dashtë taman me i gërry, me i sanu më shumë. Aty edhe ka marrë material më shumë. Kurse, pjesa tjetër ka qenë dru dhe e ka përvetësu më mirë e më shpejtë”, tregon më tej artisti që për katër ditë kishte përfunduar punën.

Brenda kabinës kur futësh, të jepet një ndenjë fantastike. Je brenda një pylli që sheh nga një luginë plot gjelbrim. Një pemë të ndërrohet, herë bëhet lumë, herë bëhet pemë më e vogël, herë më e madhe, dhe ta then monotoninë që ndoshta të krijohet pas një kohe. Në fakt ato janë dyert e ashensorit në çdo kat.

Natyra ndoshta është ajo që u mungon njerëzve më së shumti gjatë karantinës. Atyre të Lakrishtës, të Hyrjes 5, u mungon më pak se tjerëve. Natyrën e kanë në ashensor. Edhe kjo ishte ideja pse u pikturua në atë formë.

Në secili kat që do pikturonte dyert, Leonidit do t’i bënin shoqëri kojshitë e tij. Ata, teksa rrijnë para hyrjes dhe bëjnë muhabet mes vete rreth kësaj vepre, fillojnë dhe të tregojnë prapaskenat.

Kur kishte pikturuar Leonidi njërën derë shumë bukur, një nga kojshitë kishte filluar mburrjen. Më pas gjatë pikturimit të një dere tjetër, ai që ndihej krenar po dyshonte se ajo derë do dukej më bukur dhe i kishte thënë “boll, deri qetu boll, ski nevojë më shumë”, tregojnë duke u qeshur.

Një kojshi tjetër, pak më në moshë se të tjerët, thoshte se së shpejti do të zhvendoste dyert e ashensorit nga kati në kat.

“Unë kismet ka me hjek qat derë dhe ka me pru në kat te une. Po më pëlqen më shumë ajo, haha…”.

Ndjenja e hipjes në këtë ashensor i kishte dhënë një ndjenjë të çuditshme fëmijëve, siç tregon Meti.

“Disa fëmijë kanë hezituar të hipin pa prind ose me dikë më të madh. E tash po e shoh interesimin e tyre që mezi po presin me hyp në lift”.

Lehtë, kjo nismë do të ishte e mirëseardhur për secilën hyrje të vjetër në Prishtinë. Drejtoria e Ndërmarrjës Publike Banesore nga kjo hyrje ka vijë ajrore 100 metra. Shembullin e kanë mu aty. Por, ky ashensor është edhe një pikë që gjithashtu lehtë mund të kthehet në atraksion turistik.

Leonidi ka një gamë të punimeve artistike që të mbesin sytë në to. Disa prej tyre janë punuara tash në kohë karantine, që pa pardon ne po i publikojmë këtu më poshtë që të mbushni dozën e artit për këtë ditë, dhe jo vetëm.

 

Aktuale

UNOPS Kosova organizoi trajnim dy ditor për sigurinë në kantiere ndërtimi  

Published

on

UNOPS Kosova organizoi një Trajnim 2 ditor për Shëndetin, Sigurinë, Socialin dhe Mjedisin (HSSE) me pjesëmarrës nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Universiteti i Prishtinës.

Qëllimi kryesor i trajnimit ishte pajisja e pjesëmarrësve me konceptet kryesore të shëndetit dhe sigurisë në projektet e ndërtimit.

Vështrimet kryesore nga trajnimi:

Kuptimi gjithëpërfshirës dhe respektimi i rreptë i Rregullave të Artë të UNOPS për trajtimin e rreziqeve fatale ose të rëndësishme

Zbatimi i aftë i vlerësimeve dhe inspektimeve të plota të rrezikut në terren

Duke dhënë prioritet sigurinë dhe mirëqenien e çdo individi të përfshirë në projekt.

Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit për ndërtimin e objekteve të reja për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës dhe me mbështetjen e UNOPS HSSE Unit.

Siguria është prioriteti ynë kryesor dhe ne jemi të përkushtuar të krijojmë një mjedis të sigurt pune për të gjithë./Media Ndërtimi

 

Continue Reading

Aktuale

Rama paralajmëron se Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit

Published

on

Kryeministri Edi Rama i ftuar në një ceremoni në kryeqytet, foli për Tiranën dhe transformimin e saj ndër vite.

Rama tha se në 5-6 vitet e ardhshme, këto që shohim do të jenë një pjesë dhe jo shumica e asaj që do të shohim, duke theksuar se ka shumë projekte, dëshirë, ambicie dhe shpirti i sipërmarrjes është futur në një garë për ndërtuar ndërtesa jo vetëm të mira, por edhe të bukura.

Ai shton se Tirana kështu do të bëhet një destinacion edhe arkitektonik.

Sipas, Ramës gjatë viteve në vazhdim shqiptarët do të jenë banorë dhe qytetarë të njërit prej kryeqyteteve më të bukur të Evropës, duke specifikuar se Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti evropian i të gjithë Rajonit tonë.

“Kjo është historia e një qyteti që nuk i ka thënë të gjithë. Unë besoj që në 5-6 vitet e ardhshme, këto që shohim do të jenë një pjesë, jo shumica e atyre që do të shohim, sepse ka shumë akoma projekte, dëshirë, ambicie dhe një lloj gare që është futur në shpirtin e sipërmarrjes që të bëjmë ndërtesa jo thjeshtë të mira, por edhe të bukura, duke i dhënë Tiranës mundësinë që të bëhet një destinacion arkitektonik.

Një vend mes Ballkanit që do të disponojë një koleksion veprash të arkitekturës të mbledhura së bashku nga arkitektët më të mirë të kësaj kohe dhe do të krijojë një trashëgimi të denjë për gjeneratat e tjera.

Unë nuk dyshoj, që nëse sot në ndjejmë kënaqësinë që kemi dalë nga ai llum i tmerrshëm ku e hapëm shekullin e ri në Tiranë, nesër do të jemi banorë dhe qytetarë të njërit prej kryeqyteteve më të bukur të Evropës. Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti evropian i të gjithë Rajonit tonë.”, deklaroi kryeministri Rama./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

“Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës”

Published

on

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, në shtëpinë-muze qëndron Nëna Ferdonije. Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës. Shtëpia e familjes Qerkezi, në Gjakovë dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

Nga aty, 25 vite më parë, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen dhe zhdukën të katër djemtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Nga ajo shtëpi u rrëmbyen edhe Vegim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, Skender e Myrteza Dylhasi, dhe Shpend e Fatos Jetishi.

Në Dardaninë e Pejës, më 27 mars 1999 forcat e armatosura serbe, policë të njësive speciale dhe serb lokal, brenda tri orëve i masakruan 40 civilë shqiptarë të kësaj lagje.

Ne i kujtojmë çdoherë e nuk do t’i harrojmë kurrë.

Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë edhe 75 të vrarët në masakrën në Klladernicë të Skënderajt, 18 të vrarët në Mamushë, dhe 10 anëtarët e familjes Rama të vrarë në Obiliq. Sot, në Fushë Kosovë përkujtohen 168 shqiptarët e vrarë nga forcat e armatosura serbe.

Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia.

Sakrifica e popullit tonë është themeli i Republikës sonë të lirë.

Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës!

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Prishtinë, 27 mars 2024./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending