Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë tashmë mban edhe vulën e gjykatës.
Lajmin për sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi”, Shaqë Curri, gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Kam urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm”, ka thënë Curri, raporton Betimi Për Drejtësi.
Për këto villa të sekuestruara, javë më parë, ka raportuar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”. Sipas shkresave të lëndës së gjykatës, këto villa të sekuestruara rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”. Sipas shkresave të lëndës, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.
Në listën e 75 pronave, kryesisht villa, figurojnë emrat e pronarëve që përfshijnë si pronarë, gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.
Ajo që bie në sy në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të trija nivelit e gjyqësorit. Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.
Tre gjykatësit, janë kontaktuar më javë më parë nga “Betimi për Drejtësi” dhe kanë konfirmuar sekuestrimet e villave të tyre nga Prokuroria. Ata kanë deklaruar se blerjen e pronave e kanë bërë përmes procedurave ligjore dhe dokumenteve të organeve kompetente, njëjtë edhe villat i kanë ndërtuar me leje të organit./Media Ndërtimi.