Lubisha Ceroviq, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, ka mbi 20 vjet që po mundohet ta kthejë tokën e familjes së tij, që i ishte shitur, siç thotë, ilegalisht pas luftës në Kosovë, derisa ai dhe familja ishin shpërngulur në Serbi.
Këtë nuk arriti ta bëjë as pas një vendimi të gjykatës së Kosovës në favor të tij.
Ai thotë se toka e familjes në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se janë disa raste të ngjashme brenda kësaj komune.
Çështjet pronësore të ndërlidhura me tensione etnike në Kosovë janë përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të vitit 2023, të publikuar më 22 prill. Në veçanti, ky raport thekson se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare “dështuan të ekzekutojnë vendimet e gjykatës në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në kontestet pronësore”.
Probleme me pronën e uzurpuar kanë edhe shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), të publikuar më 2001, shkalla e shkatërrimit të pronave civile nga forcat qeveritare serbe më 1999 ka qenë shumë e madhe.
Në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.
Toka me sipërfaqe 54.13 ar, sipas Kadastrës së Komunës së Pejës, i takonte Milleta Ceroviqit së paku që nga viti 1956.
Në nëntor të vitit 2000 u nënshkrua një kontratë për shitje të kësaj toke, në mes të Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit nga Peja.
Në këtë kontratë, që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, thuhet se Agron Kelmendi ka qenë i autorizuar nga Milleta Ceroviq nga Peja, për ta shitur tokën, ndonëse në atë kohë, Milleta kishte qenë i vdekur për më shumë se tre vjet.
Kështu, në vitin 2005, Lubomir Ceroviq, djali i Milletës, ngriti padi në Gjykatën e atëhershme të Pejës, duke kontestuar vlefshmërinë e kësaj kontrate.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës dhe në atë kohë gjyqtari nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në tetor të vitit 2013, morën vendim mbi këtë çështje.
Në këtë vendim që më vonë u shpall i plotfuqishëm, Gjykata e konsideroi kontratën mes Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit pa forcë ligjore.
Brenda vendimit të Gjykatës thuhet se “është e qartë që nënshkrimi [i Milleta Ceroviqit] në autorizim ishte i rremë dhe kontrata e shitblerjes ishte e falsifikuar”.
Radio Evropa e Lirë e ka siguruar dokumentin që Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm, me të cilin Agron Kelmendit i jepet autorizim për shitje të tokës së Milletës, si dhe disa ngastrave tjera të serbëve të tjerë nga Kosova.
Në anën tjetër, Blerim Krasniqi, po ashtu nga Peja, thotë se përtej kontratës që kishte me Agronin, nuk ka të bëjë më asgjë me tokën në fjalë.
“Kemi pasur pretendim për blerje, i kemi besuar Agronit. Nga ti po dëgjoj që ka qenë autorizimi i falsifikuar. E gjitha që di, është kjo. Nuk kam pasur ndonjë pretendim të keq”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Ndonëse ka pasur një kontratë të nënshkruar, të vërtetuar në Gjykatë dhe madje ishte pronar i regjistruar i tokës në Kadastrën e Pejës, Blerim Krasniqi thotë se tokën nuk e mori asnjëherë.
Sipas Krasniqit, pasi që kishte nënshkruar kontratën dhe e kishte vërtetuar në Gjykatë, kishte pasur një reagim nga pjesëtarë të familjes Dinaj nga Peja./Media Ndërtimi