Connect with us

Aktuale

Ekonomia gjermane optimiste për vitin 2022

Published

on

Instituti i Ekonomisë gjermane pyeti 48 degë të industrisë për pritjet e tyre për vitin e ri. Optimizmi mbretëron pothuajse kudo. Vetëm disa sektorë presin kohë të vështira.

Pak sipërmarrje në Gjermani do të vajtojnë për vitin 2021. Në fillim të vitit, mbyllja e vazhdueshme e jetës publike ua vështirësoi punën shumë prej tyre. Kësaj iu shtuan problemet e furnizimit me lëndë të para dhe produkte të ndërmjetme. Sondazhi i ri i Institutit Ekonomik Gjerman (IW), institut i afërt me punëdhënësit, tregon se shumë gjëra mund të përmirësohen në vitin e ri, raporton DW Shqip.

Nga 48 shoqatat ekonomike të anketuara, asnjëra nuk pret rënie të prodhimit apo biznesit për sektorin e tyre përkatës. Një shumicë e madhe, përkundrazi, pret rritje. Në këtë kontekst, studiuesit e Institutit të Ekonomisë flasin për një “mjedis të jashtëzakonshëm pritjeje” për ekonominë gjermane.

Vlerësimet pozitive mbizotërojnë edhe për investimet dhe punësimin. Perspektiva e vitit 2022 në përgjithësi udhëhiqet nga optimizmi, thotë Michael Hüther, drejtor i Institutit të Ekonomisë Gjermane. Megjithatë, disa industri po presin kohë të vështira. “Ne jemi të prekur sigurisht nga pandemia në sektorin e turizmit dhe të panairit”, shpjegon Hütheri. Befasuese nuk është as që industria minerare pret më pak investime dhe më pak punonjës, duke pasur parasysh braktisjen e planifikuar të prodhimit të energjisë me qymyr.

Instituti i Ekonomisë gjermane e kreu sondazhin në fillim të dhjetorit. Prandaj ishte ende e vështirë për shoqatat të parashikonin efektet e variantit Omikron. Në këtë kuadër, perspektiva pozitive për të ardhmen shoqërohet me pasiguri, shpjegon Hüther: “Po të mungojë fuqi punëtore në një shkallë të gjerë, dhe nëse kjo zgjat më shumë, do të na duhet të flasim gjatë për vështirësi të një natyre tjetër”. Prandaj, pandemia mbetet faktori kryesor i rrezikut edhe për botën ekonomike.

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës merr pjesë në punimet e konferencës Evropiane të arkitektëve

Published

on

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës mori pjesë në 2 nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për arkitekturën Evropiane: në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Arkitektëve të Evropës #ACE ku Republika e Kosovës, për herë të parë prezantoi temat me rëndësi të komunitetit të Arkitektëve dhe kërkoi përkrahje nga #architectscouncilofeurope në ato tema.

Poashtu, përfaqësuesit e Asociacionit – Kryetari Masar Dushi dhe nënkryetari Bledion Baraliu, morën pjesë edhe në punimet e konferencës Evropiane me temën ‘Internationalisation of the architectural profession & the Neë European Bauhaus’.

Me globalizimin e ekonomisë dhe progresin teknologjik, firmat arkitekturore tani kanë mundësi më të mëdha për të bashkëpunuar dhe punuar në projekte përtej kufijve, brenda Bashkimit Evropian dhe globalisht.

Sipas edicionit të fundit të Studimit të Sektorit ACE, në vitin 2022 5% e arkitektëve evropianë punonin në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe dy për qind jashtë BE-së. Studimi zbulon gjithashtu se gjatë vitit të kaluar, 16% e të anketuarve kishin menduar seriozisht të punonin në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe 6% jashtë Evropës, megjithatë pa marrë masa. Për më tepër, një numër në rritje i arkitektëve trajnohen në vende të ndryshme nga vendi i tyre, duke treguar një interes të vërtetë dhe një kapacitet në rritje të profesionit për të lëvizur përtej kufijve. Prandaj, ka çdo arsye për të besuar se potenciali për ndërkombëtarizim të mëtejshëm të profesionit është i fortë, me kusht që profesionistët të mund të gjejnë mbështetjen e duhur.

Konferenca kishte për qëllim të diskutojë sfidat e qenësishme të punës ndërkufitare dhe eksportit të shërbimeve dhe të paraqesë zgjidhje për të kapërcyer barrierat që hasin profesionistët, duke përfshirë mjetet dhe skemat e ofruara nga Bashkimi Evropian; udhëzim i zhvilluar nga Këshilli i Arkitektëve të Evropës; dhe mbështetjen e ofruar nga organet profesionale në nivel kombëtar. Arkitektët që kanë zhvilluar me sukses biznesin e tyre ndërkombëtarisht do të ndajnë gjithashtu përvojën e tyre. ACE mbështet fuqimisht lëvizjen e Re Bauhaus Evropian të iniciuar nga Komisioni i BE-së, pasi ajo ndihmon për ta bërë cilësinë e mjedisit tonë të jetesës një çështje të interesit publik dhe e ngrit arkitekturën në një nivel politik të paprecedentë. Përtej perspektivave të biznesit dhe sipërmarrjes, konferenca do të ofrojë gjithashtu një mundësi për të diskutuar rëndësinë e vlerave, temave dhe parimeve NEB për pjesë të tjera të botës dhe të theksojë vlerat e përbashkëta që bashkojnë profesionin në të gjithë botën./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Qytetarët kërkojnë vazhdimin e subvencionimit të energjisë elektrike

Published

on

Qytetarët që blenë pajisje efiçiente elektrike përmes subvencionimit nga Ministria e Ekonomisë thonë se kjo ka ndikuar në kursimin e energjisë elektrike. Njohësit e fushës së efiçiencës thonë se subvencionimi i këtyre pajisjeve duhet të vazhdojë në masë më të madhe, ndërkaq subvencionimi i faturave ka qenë e gabuar dhe “para e djegur”.

Preportr përmes platformës ECR ka realizuar një anketim online me qytetarë lidhur me ndikimin që mund ta ketë pasur subvencionimi i pajisjeve elektrike në kursimin e energjisë. Në pyetjet e parashtruara janë përgjigjur 145 qytetarë. Mbi 49 për qind e tyre kanë thënë se janë përfitues të pajisjeve efiçiente.

Në bazë të përgjigjeve, qytetarët më së shumti duket se janë të kënaqur me klimat efiçiente. Në pyetjen se sa ka ndikuar kjo pajisje që të shpenzoni më pak energji elektrike, 36.3% kanë deklaruar se ka ndikuar mesatarisht, 31.8% se ka ndikuar shumë, 25% se ka ndikuar pak dhe 6.8% se nuk ka ndikuar fare. Ndërsa, për pompat termike 42% e respondentëve kanë thënë se ka ndikuar mesatarisht, 25% se ka ndikuar shumë dhe 25% se nuk ka ndikuar fare.

Mbi 86% e respondetëve kanë thënë se qeveria duhet të vazhdojë subvencionimin e pajisjeve efiçiente për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa në pyetjen se a duhet të subvencionohen faturat e energjisë elektrike, pra që një pjesë të paguhen nga qeveria, 41.7% e respoendetëve janë shprehur se qeveria duhet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike.

Një pjesë e respondentëve kanë komentuar në pyetësor se duhet të hiqet pragu prej 800 kilovatë, sepse ky shpenzim bëhet brenda pak ditëve nëse përdorët pompa termike. Nëse shpenzohen më pak se 800 kilovatë, çmimi për një kilovat është 7.9 centë, ndërsa nëse shpenzohen më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi për një kilovat në këto raste kostoja llogaritët 14.25 centë.

Lidhur me këtë bllok tarifë prej 800kw ka mendime dhe qasje të ndryshme, e para që stimulon qytetarët që kursejnë energjinë elektrike, por në anën tjetër një pjesë kërkon ky prag të hiqet, pasi që është një penalizim për qytetarët që nuk kanë opsione tjera për ngrohje ndërkaq kostoja është e lartë. Edhe kur është vendosur nga ZRrE për këtë prag ka pasur diskutime dhe propozime të ndryshme.

Burim Ejupi thotë se INDEP ka sugjeruar ndarjen e tarifës së energjisë elektrike në tre blloqe, me qëllim të adresimit të nevojave të ndryshme të konsumit. Propozimi i INDEP-it ishte që të përdoret një sistem ku deri në 600 kilovatë përfshin konsumin normal të një familjeje brenda një muaji, për shembull, në raste kur përdoret ngrohja qendrore e qytetit. Për sasinë e energjisë nga 600 deri në 1200 kilovatë-orë, e kemi menduar për ekonomitë familjare që ngrohen me energji elektrike, veçanërisht ato që nuk kanë qasje në forma alternative ngrohjeje.

“Ndërsa, çdo konsum mbi 1200 kilovat-orë e konsiderojmë si shpenzim luksi, dhe për këtë arsye, çdo konsumator që e tejkalon këtë limit do të përballët me një tarifë më të lartë. Ndarja e tillë me tre blloqe siguronte edhe që të gjithë të ndjenin rritjen e të mos kishte dallime të mëdha nga 800 në mbi 800 siç ndodhi me faturat e janarit, por edhe rritja të ishte graduale dhe e përballueshme sidomos për konsumin nën 1200 kilovatë”, thotë Ejupi.

Lidhur me këtë çështje profesori i fushës së energjisë Agron Dida thonë se pragu ndikon që të kursehet më shumë energjia elektrike. Ai thotë se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë vetëdijesim të qytetarëve për ta kursyer energjinë elektrike.

“Në sistemin edukimit fillor dhe të mesëm duhet të mbahen ligjërata të veçanta të disa lëndë, e që fokusi të jetë në kursimin e energjisë elektrike dhe energjisë në përgjithësi”, thotë Dida.

Ai thotë qeveria duhet të mundësojë sa më shumë subvencionim në izolim apo pajisje elektrike në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente është shumë i nevojshëm. Në anën tjetër duhet të ndalohet me ligj importimi i disa pajisjeve që nuk janë në përputhje me standardet efiçiente dhe që shpenzojnë shumë energji elektrike. Ato duhet t’i eliminojmë nga tregu”, thotë Dida./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

’53 milionëshi’ – Pse Gjykata e Prishtinës vendosi që kompensimi të zgjidhet në kontest juridiko-civil

Published

on

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor ish-ministrin Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, ushtruesin e detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretarin e MI, Nebih Shatri lidhur me rastin e ‘53 milionëshit’.

Në shpallje të aktgjykimit më 31.01.2024 trupi Gjykues me kryetaren Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë marrë vendim që lidhur me dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga katër të akuzuarit, të zgjidhet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pra themelorja nuk kishte marrë vendim lidhur me dënimin plotësues që prokuroria e kishte propozuar në aktakuzë.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që katër të akuzuarit të urdhërohen që në mënyrë solidare të bënin kompensimin e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Sipas arsyetimit që ka nxjerrë themelorja më datë 20.03.2024 thuhet se Gjykata nuk kishte vendosur lidhur me dënimin plotësues pasi që pala e dëmtuar, avokatura shtetërorë kishte kërkuar nga Gjykata që rasti të referohet në kontest të rregullt civil.

“Gjykata ka vendosur që pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore e Kosovës, pranë Ministrisë së Drejtësisë, të udhëzohet për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Ngase e njëjta përmes parashtresës së datës 22.11.2022 kishte kërkuar nga Gjykata që të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për shkak se këtë të drejtë do ta realizonin në procedurë të rregullt”- thuhet në Aktgjykim.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Valdet Gashi dhe Atdhe Dema, përpos kompensimit të dëmit kishte kërkuar si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, për të pandehurit që do të shpallen fajtor.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Kallxo.com kishte thënë se çështja e dëmshpërblimit për rastin e ‘53 milionëshit’ është çështje e Gjykatës për të cilën “nuk mund të përzihen”.

Durmishi kishte deklaruar për Kallxo.com se varësisht se si përfundon si proces do të shohin se çfarë vendime do të marrin si Ministri.

“Kjo është çështje e Gjykatës dhe në vendime të Gjykatës nuk mund të përzihem. Janë dy raste të ndara, nuk është vetëm çështja e 53 milionëshit, është çështja edhe e 44 milionëshit, njëra është që janë paguar 53 milionë në emër të dëmshpërblimit në kohëzgjatje të afatit të kryerjes së punimeve, dhe tjetra është 44 milionë për punë shtesë edhe pse kontrata ka qenë me “çelësa në dorë” që nuk lejohet të ketë punë shtesë. Pra gjithsej 96 milionë, i mbetet gjykatave të marrin vendime meritore” – kishte thënë Durmishi në një prononcim për Kallxo.com./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending