Dhjetë kilometra rrugë pa mbikalim

0

Kalimi i rrugës në Magjistralen Prishtinë-Ferizaj, përkatësisht deri në 10 kilometrat e parë deri në Cagllavicë del të jetë rrezik për këmbësorët.

Krejt kjo pasi që në këtë pjesë të rrugës nuk ka vendkalim të caktuar për këmbësoret.

Kjo po e rrezikon jetën e banorëve të kësaj zone.

Për magjistralen Prishtinë-Ferizaj, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu po premton që ky problem do të zgjidhet në vitin e ardhshëm.

Edhe banorët e kësaj zone po kërkojnë që të ketë mbikalime dhe nënkalime tjera.

“Ne e përdorim këtë mbikalim çdoherë, por ky është i vetmi në këtë rrugë të gjatë. Por pasi ka banorë dhe biznese do të ishte më mirë që të ketë edhe mbikalime tjera”, tha njëri nga banorët.

E kalimi i rrugëve nëpër vendet e pacaktuara po bëhet me mjaft rrezik.

“Është mirë me pas një nënkalim që me mujt njerëzit me qarkullu më lehtë”, thotë tjetri banor.

Edhe në Ministrinë e Infrastrukturës kanë planifikuar që gjatë vitit 2018-të të ndërtojnë mbikalime e nënkalime  për këmbësorët në këtë rrugë

“ Në këtë pjesë është paraparë një nënkalim i cili është edhe me planet rregulluese të Komunës së Prishtinë. Mirëpo ne jemi në proces që deri në Cagllavicë t’i kemi edhe dy mbikalime”, ka thënë Kadriu për KlanKosova.

Arsyeja pse nuk janë bërë mbikalimet më herët po del të jetë prioriteti i investimeve diku tjetër.

“nuk është që është bërë ndoshta lëshim, mirëpo koncentrimi i investimeve nuk është bërë në këtë pjesë por është bërë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës”, tha Kdriu.

E një nënkalim që mund të jetë në Veterrnik, sipas zëdhënëses së Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu përshkak të ndryshimeve të planit rregullues mund të bëhet me investime të përbashkëta me Ministrinë.