Dëshmitari Faruk Lepaja ka thënë se ka paraqitur ankesë ndaj Komunës së Fushë Kosovës, e jo ndaj ish-drejtorit të Inspektoriatit në Komunën e Fushë Kosovës, Afrim Krasniqi dhe inspektoreve të ndërtimit, Valbona Ferati, Doruntina Dumani dhe Mobere Hyseni, të cilët po akuzohen për dallavere me leje ndërtimore.
Ata ngarkohen se nuk i kishin ndërprerë punimet e kundërligjshme dhe nuk kishin nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar investitorit “Princesha Construction”, me pronar Shpend Bajraj të përfitojë nga këto ndërtime, i cili kishte pasur tejkalim të lejes ndërtimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë kam bë ankesë ndaj komunës që na ka blloku rrugën, e jo ndaj inspektorëve, për mua inspektorët gjithmonë kanë qenë në rregull. Këto sene kanë ndodhë për mosrespektim të qytetarëve nga ana e Komunës së Fushë Kosovës dhe kryetarit të saj, sa i përket inspektorëve për mua gjithçka është në rregull”, ka deklaruar dëshmitari Lepaja.
Ai shtoi se ndërtimi i terasave ishte bërë për 2-3 ditë dhe atë pas mesnatës.
ipas aktakuzës së ngritur më 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspeksionit në Fushë Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare.
Dumani dhe Hyseni, gjatë vizitës së punishtes më 30 maj 2014, kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit, për ndërtimin e objektit numër l, sipas lejes ndërtimore të “Princesha Construstion”, dhe kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë Kosovës.
Ndërsa, Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, gjatë periudhës kohore 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalimit të lejes ndërtimore.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 20 dhjetor 2021./Media Ndërtimi.