Të hënën, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar ish-inspektorja e Komunës së Prishtinës Zyhrije Pllana, e cila ka thënë se në një takim që e kishte pasur me kryetari e atëhershëm të komunës, Isa Mustafa, kishte diskutuar rreth “Hysi Group”, derisa ky i fundit sipas saj, i kishte thënë se “mos u merr me këtë punë se merrem unë”.
Ajo këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion.
Gjykata Supreme me 20 shtator të këtij viti, kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala, dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje vetëm sa i përket veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitarja Pllana duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores Florije Shamolli ka sqaruar se gjatë vitit 2010 në Komunën e ka punuar si inspektore, për 6 muaj deri sa ishte suspenduar nga kjo pozitë.
Ajo tha se ka inspektuar zonën në qendër, ku ka përfshirë Lakrishten, Dardaninë dhe pjesën e Qendrës dhe në këtë zonë kishte punuar së bashku me Blerina Sylën dhe Avdi Kadriun.
Tutje, tha se në këtë zonë ka qenë e përfshirë edhe objekti i “Hysi Group” dhe se së bashku Sylën dhe me Kadriun kanë dal për të parë gjendje në terren.
Dëshmitarja Pllana ka thënë se nuk është e sigurt mirëpo kur e kanë marrë këtë pjesë për të inspektuar, objekti i “Hysi Group” kishin qenë bodrumet e përfunduar dhe është pritur që etazhi i parë për të filluar.
Pas kësaj, në rastin “Hysi Group” ka thënë se çdo herë që kanë shkuar në vend punishte dhe kanë kërkuar dokumentacionet për inspektim nuk i kanë gjetur me arsyetimin që i ishte dhënë se janë në komunë.
Duke shtuar se gjatë punës në terren së bashku me Blerina Sylën kishin dyshuar në një vendim të njëjtën e kishin fotografuar dhe e kishin dorëzuar në Komunë.
E pyetur nëse shkak për suspendimin e saj ka mundur të jetë raporti që e kishte bërë në terren, dëshmitarja tha se ndoshta ka mundur te jete arsyeja.
Në anën tjetër duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësi të të akuzuarit Ismet Halit, avokatit Ramiz Krasniqi, dëshmitarja Pllana ka thënë se arsyeja që kishte pasur takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës në atë periudhë Isa Mustafa kishte qenë letra interne, në mes të shkresës ka qenë edhe objekti “Hysi Group”.
Duke shtuar se nuk ka pasur arsye tjetër që të i bëjë shkresë kryetarit dhe se pjesë e diskutimit ka qenë leja e objekti “Hysi Group”.
Po ashtu, ajo tha sa i kujtohet ka shprehur pakënaqësi për lëndën i ishte tërhequr për 3-4 ditë nga shefi i inspekcionit Haliti, më pas është i takuar dhe me drejtoreshën e Urbanizimit dhe nënkryetarin, ku drejtoresha e ka parë lejen e ndërtimit dhe ka ngritur dyshimet se nuk është konform ligjeve pozitive.
Më pas, dëshmitarja tha se, marrëdhënia e punës i ishte ndërprerë pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës në atë periudhë Isa Mustafa.
E pyetur se a është e vërtetë që në deklaratën e dhënë më parë ku në pyetjet e avokatit Krasniqi kishte thënë se Isa Mustafa “i kishte thënë që kjo është punë e imja lidhur me objektin “Hysi”, ajo tha se nëse ka dhënë deklaratë është e saktë.
Dëshmitarja tha se pasi që ishte publikuar letra dhe nga komisioni ishte vërtetuar që të njëjtën nuk e kishte publikuar dhe pas kësaj ishte transferuar në Drejtorinë për Kapitale dhe ishte ngritur në gradë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Abdullahu, avokatit Ali Beka, dëshmitarja tha se Drejtoria e Investimeve Kapitalit është e njëjta vetëm që atëherë e ka pasur emërimin Drejtoria e Infrastrukturës.
Ajo ka thënë se kryetari i komunës në atë periudhë kohore, Isa Mustafa në takim ku ishte diskutuar edhe rreth “Hysi Group” kishte thënë se “ mos u merr me këtë punë se merrem unë” kurse e njëjta tha se me siguri i ishte përgjigjur të njëjtit “Për qata i keni pranuar inspektorat në punë” dhe se inspektorat janë për të i ndërprerë dhe me i mbikëqyrë punimet.
Duke shtuar se në letrën interne kishte thënë se “Inspektorat po funksionojnë si kukulla”.
Ajo tha se në këtë letër interne ka përfshirë parregullsitë gjatë inspektimit në terren dhe që vendimet që merren nga inspektorat e komunës nuk zbatohen, në të cilën letër ka qenë e përfshirë edhe “Hysi Group”.
Dëshmitarja duke u përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues tha se gjatë periudhës sa kishte qenë inspektore në Komunë nuk i kujtohet sa vendime janë marrë për rrënim mirëpo një rast për rrënim të një objekti, i cili ka qenë i një profesori në lagjen Arbëria.
E pyetur rreth ndërtimit të “Hysi Group”, e njëjta tha se në atë zonë ku ka qenë ky ndërtim fillimisht e kishin pasur kolegët paraprak, si dhe pas ardhjes së saj si inspektore në atë zonë kishte vazhduar me inspektim deri sa është suspenduar nga puna.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.
10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.
Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve./Media Ndërtimi.