Connect with us

Infrastrukturë

Marrëveshja për energjinë, punëtorët e “Elektrokosmet” do të punojnë për KEDS-in!

Published

on

Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.

Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.

Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se furnizimi bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, por, sipas zyrtarëve serbë, rryma në veri arrin nga Elektro-rrjeti i Serbisë.

Disa qytetarë të pjesës veriore të Kosovës, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë javë më parë, kanë thënë se e përkrahin idenë që të rregullohet çështja e furnizimit me energji elektrike, por disa nga ta thonë se do të donin që pagesën ta bënin në Serbi, e jo në Kosovë.

“Në cilindo rast, më shumë dua që ta paguaj energjinë sesa mos të kemi fare – të them të drejtën. Unë jam për këtë, më mirë të paguhet”, ka thënë Dragica Vulliq.

Një qytetar tjetër i Mitrovicës së Veriut, i cili prezantohet vetëm me emrin Millosh, ka thënë se nuk do të donte ta paguante energjinë elektrike për ndonjë institucion të Kosovës.

“Një rend duhet të ekzistojë… por më parë do t’ia paguanim shtetit tonë [Serbisë], sesa Qeverisë së Kosovës. Nuk e di, më duket se gjithnjë e më shumë po na shtyjnë drejt duarve të Prishtinës”, ka thënë Milloshi.

Sipas Millanit, çështja e pagesës së rrymës tani është e pakuptimtë.

“Nuk e di, por mendoj se tash kjo është e pakuptimtë për arsye politike”, është shprehur ai.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

KOSTT është kompani publike e Kosovës me 100 për qind të aksioneve shtetërore./Media Ndërtimi.

Fotografia: Radio Evropa e Lirë.

Infrastrukturë

“Toka të është shitur” shitblerje të dyshimta e uzurpime – Lufta e pasuksesshme për kthimin e pronave në Kosovë

Published

on

Lubisha Ceroviq, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, ka mbi 20 vjet që po mundohet ta kthejë tokën e familjes së tij, që i ishte shitur, siç thotë, ilegalisht pas luftës në Kosovë, derisa ai dhe familja ishin shpërngulur në Serbi.

Këtë nuk arriti ta bëjë as pas një vendimi të gjykatës së Kosovës në favor të tij.

Ai thotë se toka e familjes në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se janë disa raste të ngjashme brenda kësaj komune.

Çështjet pronësore të ndërlidhura me tensione etnike në Kosovë janë përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të vitit 2023, të publikuar më 22 prill. Në veçanti, ky raport thekson se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare “dështuan të ekzekutojnë vendimet e gjykatës në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në kontestet pronësore”.

Probleme me pronën e uzurpuar kanë edhe shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), të publikuar më 2001, shkalla e shkatërrimit të pronave civile nga forcat qeveritare serbe më 1999 ka qenë shumë e madhe.

Në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.

Toka me sipërfaqe 54.13 ar, sipas Kadastrës së Komunës së Pejës, i takonte Milleta Ceroviqit së paku që nga viti 1956.

Në nëntor të vitit 2000 u nënshkrua një kontratë për shitje të kësaj toke, në mes të Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit nga Peja.

Në këtë kontratë, që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, thuhet se Agron Kelmendi ka qenë i autorizuar nga Milleta Ceroviq nga Peja, për ta shitur tokën, ndonëse në atë kohë, Milleta kishte qenë i vdekur për më shumë se tre vjet.

Kështu, në vitin 2005, Lubomir Ceroviq, djali i Milletës, ngriti padi në Gjykatën e atëhershme të Pejës, duke kontestuar vlefshmërinë e kësaj kontrate.

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës dhe në atë kohë gjyqtari nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në tetor të vitit 2013, morën vendim mbi këtë çështje.

Në këtë vendim që më vonë u shpall i plotfuqishëm, Gjykata e konsideroi kontratën mes Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit pa forcë ligjore.

Brenda vendimit të Gjykatës thuhet se “është e qartë që nënshkrimi [i Milleta Ceroviqit] në autorizim ishte i rremë dhe kontrata e shitblerjes ishte e falsifikuar”.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar dokumentin që Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm, me të cilin Agron Kelmendit i jepet autorizim për shitje të tokës së Milletës, si dhe disa ngastrave tjera të serbëve të tjerë nga Kosova.

Në anën tjetër, Blerim Krasniqi, po ashtu nga Peja, thotë se përtej kontratës që kishte me Agronin, nuk ka të bëjë më asgjë me tokën në fjalë.

“Kemi pasur pretendim për blerje, i kemi besuar Agronit. Nga ti po dëgjoj që ka qenë autorizimi i falsifikuar. E gjitha që di, është kjo. Nuk kam pasur ndonjë pretendim të keq”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ndonëse ka pasur një kontratë të nënshkruar, të vërtetuar në Gjykatë dhe madje ishte pronar i regjistruar i tokës në Kadastrën e Pejës, Blerim Krasniqi thotë se tokën nuk e mori asnjëherë.

Sipas Krasniqit, pasi që kishte nënshkruar kontratën dhe e kishte vërtetuar në Gjykatë, kishte pasur një reagim nga pjesëtarë të familjes Dinaj nga Peja./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Ndërtimi pa kriter perceptohet si faktori që dëmton më shumë cilësinë e jetesës në Tiranë

Published

on

Ndërtimi pa kriter dhe planifikim perceptohet nga publiku si faktori kryesor që dëmton cilësinë e jetesës në Tiranë.

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e saj të internetit dhe rrjetet sociale, pyetjes “Çfarë e dëmton më shumë cilësinë e jetesës në Tiranë?” 41% e pjesëmarrësve iu përgjigjën me alternativën “ndërtimi pa kriter dhe planfikim”.

Faktori i dytë me më shumë ndikim negativ në cilësinë e jetesës në kryeqytet rezultoi “ndotja atmosferike dhe akustike”, me 21% të votave në sondazh. Vijon “mungesa e parqeve dhe hapësirave të përbashkëta”, me 19% të votave dhe “trafiku e mungesa e parkimeve”, me 18% të votave nga pjesëmarrësit në sondazh.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u përball me një proces intensiv të emigrimit të brendshëm, që e zhvendosi një pjesë shumë të madhe të popullsisë në qytetet kryesor edhe sidomos në Tiranë. Megjithatë, është e qartë se zhvillimi urban i kryeqytetit në më shumë se tre dekada ka qenë kaotik dhe pa një planifikim të mirëfilltë.

Shumë shpesh, ndërtimi i objekteve të reja është bërë në dëm të hapësirave ekzistuese, madje nevoja për rrugë, hapësira të përbashkëta, parqe, lulishte, etj, nuk është përmbushur as në zonat e reja të banimit, që janë zhvilluar nga fillimi pas viteve ’90.

Në vitet e fundit, Tirana po përballet me një vrull të ri të ndërtimit, i nxitur nga rritja e fortë e kërkesës dhe çmimeve. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në periudhën 2022-2023, në Tiranë janë dhënë leje të reja ndërtimi për një sipërfaqe prej më shumë se 3.2 milionë metra katrorë.

Por, rritja e ndërtimeve të larta ka tkurrur hapësirat e lira dhe korridoret e qarkullimit të ajrit.

Shumica e banorëve të Tiranës nuk kanë në lagjet e tyre të banimit hapësira të lira për çlodhje, rekaracion apo aktivitet sportive.

Ndërkohë, shtimi i banorëve është shoqëruar me rritje të numrit të automjeteve, trafik të rënduar, më shumë emetimeve të gazrave të dëmshëm dhe më shumë zhurma.

Matjet e kryera në vitet e fundit në Tiranë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se ndotja e ajrit është disa herë më e lartyë se niveli mesatar i Bashkimit Europian dhe sipër limiteve të konsideruara të dëmshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Për shembull, udhëzimet e OBSH thonë se përqendrimet mesatare vjetore të grimcave të dëmshme PM2.5 nuk duhet të kalojnë kufirin mesatar të 5 mikrogramëve për metër kub. Matjet e kryera në Tiranë kanë treguar se ky nivel është disa herë më i lartë, në varësi të zonave./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

A mundet druri i inxhinieruar të dekarbonizojë industrinë e ndërtimit

Published

on

Në një kohë kur shqetësimet mbi qëndrueshmërinë dhe ESG (mjedisore, sociale dhe qeverisje) janë të përhapura, ekziston një nevojë thelbësore për t’u fokusuar në një sektor që përbën 38% të të gjitha emetimeve globale të CO₂ dhe konsumon 30% të burimeve globale: industria e ndërtimit.

Në vitin 2022, në COP27, Kombet e Bashkuara shpallën Përshpejtuesin e Ndërtimit të Pastër, një program me veprime të krijuara për të reduktuar prodhimin e gazit serrë deri në 50% deri në vitin 2030.

Një raport nga ARUP dhe Këshilli Botëror i Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm sugjeron se gjysma e ndërtesave emetimet vijnë nga karboni i mishëruar, i cili gjenerohet në prodhimin dhe transportin e materialeve, jo vetëm në kantieret dhe vetë ndërtesat. Është pikërisht në këtë skenar që ne shohim një mundësi për sektorin. Cili është i vetmi material i rinovueshëm në ndërtim që ruan karbonin në vend që ta emetojë atë? Druri.

Kur mendojmë për drurin, priret të lindë një pyetje tjetër: “Si mund të jetë druri i qëndrueshëm nëse duhet të presim pemë për të?” Ana Belizário, Drejtoresha Tregtare e Urbem, një industri masive braziliane e drurit në shkallë të gjerë, shpjegon gjatë këtij artikulli se si mbjellja e pemëve posaçërisht për konsum është jo vetëm një alternativë e qëndrueshme, por edhe një praktikë e shkëlqyer në luftimin e krizës klimatike dhe mund të rigjenerojë sektorin e ndërtimit.

Një nga strategjitë më të rëndësishme të ekuilibrit ekologjik për pyjet e mbjella është menaxhimi i kombinuar; domethënë, në zonat e mbjelljes pyjore, ruajtja ose restaurimi i biomit origjinal përkatës kërkohet nga legjislacioni brazilian. Në rastin e pyjeve me pisha, bioma e lidhur do të jetë gjithmonë Pylli i Atlantikut.

Përderisa pemët rriten, dioksidi i karbonit i përdorur në fotosintezë hiqet nga atmosfera dhe ruhet brenda drurit. Kur prodhojmë çimento ose çelik, duhet të djegim lëndë djegëse fosile, të cilat lëshojnë sasi të larta karboni në atmosferë gjatë procesit të prodhimit. Kështu, silvikultura mund të shihet si një strategji kryesore sektoriale për zbutjen e emetimeve të karbonit nga industria e ndërtimit.

Një pyll i mbjellë ndihmon në rivendosjen e tokës, rimbushjen e ujërave nëntokësore dhe rritjen e lagështisë së ajrit. Nëse lidhen me zonat e përcaktuara për rigjenerimin e pyjeve të Atlantikut, pyjet e mbjella mund të ndihmojnë në kthimin e degradimit të mjedisit nëpërmjet aktiviteteve afatgjatë me ndikim ekonomik dhe të qëndrueshëm.

Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, mbjellja e pemëve për të ndërtuar ndërtesa është një nga strategjitë më efektive për dekarbonizimin e industrisë së ndërtimit sot. Siç u përmend më herët, druri masiv fillon të ruajë karbonin edhe përpara fillimit të ndërtimit, ndryshe nga materialet e tjera të ndërtimit, duke e bërë atë të fillojë si karbon-negativ, me pjesën tjetër të ndërtimit që kontribuon në një rezultat të qëndrueshëm në fund.

Kjo dëshmon se pavarësisht se sektori i ndërtimit është aktualisht ndotësi më i lartë, ka ende mjete dhe metoda për t’u eksploruar, duke e bërë atë gjithnjë e më të qëndrueshëm dhe të dobishëm për mjedisin për planetin./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending