Në Bypass-in e Vlorës po punohet 24 orë pa ndërprerje për të bërë të mundur përfundimin e plotë të veprës.
Aktualisht punimet janë përqendruar në zonën e Kaninës, e cila ka qenë edhe zona ku janë evidentuar problematika të cilat lidhen me gjeologjinë, por që tashmë kanë marrë zgjidhje.
‘Përveç gërmimeve dhe përforcimit të skarpateve kemi filluar dhe me shtresat e rrugës. Në këtë moment kemi shtresën e stabilizantit dhe shumë shpejt këtu do fillojë asfaltimi, në mënyrë që të ecim paralelisht me disa procese.
Pra, jo vetëm gërmime, përforcime, por edhe mbushjen e trupit të rrugës dhe ecjen e asfaltit pasi siç e dimë kemi një afat për të kapur dhe ky është ritmi i duhur për ta kapur atë afat’, u shpreh Berberi për Shqiptarja.com.
Ministrja Balluku e cilësoi bypass-in e Vlorës, si një vepër shumë komplekse, por të rëndësishme për zhvillimin turistik të vendit, i cili lehtëson qasjen drejt bregdetit të jugut.
‘Unë jam e sigurt që në përfundim të kësaj vepre banorët e Kaninës, Vlorës, por edhe të gjithë vizitorët e jugut do të arrijnë që të kuptojnë rëndësinë që ka pasur ndërtimi i këtij bypass-i dhe sigurisht ka një rëndësi si për kohën më të shkurtër që të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë për të aksesuar jugun, por nga ana tjetër edhe për të lëvizur të gjithë trafikun nga qendra e Vlorës ku krijoheshin radhë të gjata, por edhe problematika për bizneset të cilat ndodhen në Lungomare, por edhe më tutje’, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi angazhim maksimal për përfundimin e plotë të veprës në dy muajt e ardhshëm duke e bërë atë të aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve javën e parë të muajit korrik kur nis edhe sezoni turistik.
“Nuk kemi më mundësi as për të shtyrë kohën, as afatet. Duhet përfunduar sipas kontratës. Unë pres që në javën e parë të korrikut, si sot dy muaj, ne të kemi mundësi të aksesojmë këtë rrugë zyrtarisht dhe të përfunduar.
Sigurisht nuk e vë askush në dyshim që do të ketë kolaudime të vogla që do të ndodhin përsa i përket skarpateve apo ndarëseve, megjithatë rruga duhet të jetë në shtrat e gjitha e përfunduar me tapet, sinjalistikë dhe gjithçka tjetër”, nënvizoi Balluku.
Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Pjesë e projektit janë edhe disa vepra arti./Burimi: Shqiptarja.com