Biznesmeni Labinot Vitia dyshohet se ia dha 40 mijë euro ryshfet për ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave Brezovicë
Tridhjetë ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt për Labinot Vitinë, i arrestuar gjatë ditës së djeshme në rastin e njohur si ‘Brezovica’. Përveç Labinot Vitisë, të arrestuar janë edhe Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, raporton Kallxo.com.
Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit që e ka siguruar Kallxo.com përshkruhen veprimet e të pandehurve dhe dyshimet që rëndojnë mbi ta.I dyshuari Labinot Vitia dyshohet për dy vepra penale, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dyshohet se i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që t`ia mundësojë ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014-2019 në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që t`ia mundësojë ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri”- thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Përveç veprës penale “Dhënia e ryshfetit”, Vitia dyshohet edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014-2019 në Shtërpcë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, në atë mënyrë që i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që të ndikojë në të pandehurin Dimitrije Raiçiqeviq për lëshimin e lejeve ndëtimore për 5 vikend-shtëpiza në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë e cila Vitinë e ngarkon edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Dy të dyshuarit, Shukri Shabani dhe Sami Sinani, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit” duke punuar si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore./Media Ndërtimi.