Na ishte një herë një “Pallat i shtypit”, ishte i lartë, i fortë, i punuar me “natyrë beton”. Dukja e tij ishte me kanelura kurse forma drejtkëndëshe që reflektonin tektoniken arkaike të arkitekturës klasike të këtij nënqielli.
Ishte hijerëndë. Arkitektura e sajë buronte në lashtësitë tona, kalonte nëpër periudhën e mesme, në kohën e ndërtimit të kullave dhe vinte deri në ditët tona si objekt i fortë, i qëndrueshëm bashkëkohor dhe me një potencë mashkullore çfarë ishin kullat tona dhe historia e bërë në to dhe rreth tyre.
Në aspektin strukturor është një objekt i qëndrueshëm tërësisht i realizuar pa beton armeja kurse pamjen e kishte plotësisht në harmoni me materialin e me të cilin ishte punuar dhe me funksionin që e kishte.
Dukja e tij pak e zymtë, ishte “lehtësuar me shtyllëza të bardha në mes të modujve konstruktiv dhe ishin reminishencë e të bardhës, e gëlqeres, që ne sot e kësaj dite e vendosim përreth dritareve. Ato njëkohësisht shërbenin edhe si mbrojtje nga dielli më që ishin të futura në thellësi të perimetrit të objektit. Funksionalisht e fragmentonin dritaren në shirita të ngushtë që kishin për qëllim arritjen e efektit psikologjik në brendi të objektit. Ato lejonin depërtimin e dritës, lejonin pamjen jashtë të dozuar në sekuenca të domosdoshme për njeriun gjatë punës, por nuk ta lejonin mundësin e të “kulloturit të syve” në gjithëkahnajen përreth. E fokusonin shikmin në tavolinën e punës ku duheshe të “ktheheshe” domosdoshmërisht më që dritaret ta impononin një gjë të tillë.
Ai objekt ishte “ kulla” e fjalës së shkruar shqipe. Aty botoheshin librat për shkolla fillore, të mesme dhe ato universitare, botoheshin periodikët e ndryshëm kulturor e mbi të gjitha shkruhej dhe shtypej gazeta e përditshme “RILINDJA”. Kjo gazetë në përvjetorin e vet të 40 pat nxjerrë në publik numrin festiv në tirazh prej 5000 copëve.(s`di sa kohë do të lypet që të gjitha gazetat e përditshme që dalin sot se bashka ta arrijnë këtë shifër).
Sot ai objekt është riprojektuar dhe ridestinuar në objekt qeveritar. Riprojektimi u bë pa asnjë debat, asnjë diskutim, rreth mënyrës rreth konceptit të ri, rreth pamjes së re eventuale të kryeqytetit tonë. E gjitha u bë sikur kjo të ndodhte diku në një vend që nuk ka fare të bëjë me ne. U bë si në një vend ku nuk ekziston faktori memotik individual e as grupor. Sot mund ta shohim si dukët ai objekt.
Dukja e tij është si një burrë i veshur me fustan. Si një qeneje që i ka të dy gjinitë. Mashkulloren brenda dhe femëroren jashtë. Objekt hermafrodit. E po mirë, çka ka të keqe hermafrodizmi? Hermafroditët janë qenje të vetëmjaftueshme në aspektin emocional. Bile thuhet sipas legjendës së vjetër se hermafroditëve zotrat iu patën smirën dhe asokohe urdhëruan që të ndaheshin veç burri, veç gruaja. Por ja që ai urdhër edhe pse i dhënë nga zotërat nuk u zbatua me përpikëri. Edhe sot kjo dukuri gjendet në natyrë te qenjet e gjalla, mirëpo ato e bajnë me veti mallkimin e perëndive. Llojit që iu ndalua të jenë hermafrodit, kurrizorve, iu hoqi mundësin e shumimit të llojit, s bënë të jenë të vetëmjaftueshëm. Këtë mundësi iu la krijesave që nuk kanë kurriz, pakurrizorve. Butakëve.
Çfarë arkitekture po kultivojmë ne? Të vetëmjaftueshme me mundësi të shumimit apo tjetrën? Duke marrë parasysh trajtimin e objekteve qoftë ato të riprojektuara, qofshin ato të projektuara rishtazi që të gjitha kanë një frymë dhe një shprehje. Të njëtrajtshme, pa potencë shprehëse estetike, maskuese, zhbërës dhe si e tillë jo frymëzuese për gjeneratat e të së ardhmes.
Çka na duhen objekte të tilla, që veç mundësisë e të mbrojturi nga ndikimet atmosferike, nuk ofrojnë asgjë tjetër? Çka na duhen objetet që pamjen e jashtme e kanë si kurtizanet kurse brendinë plotë me “elemente” arkitektonike, hollësi strukturore, funksionale që janë si rraçet në çantën e tyre.? Çfarë porosie po ju adresojmë fëmijve tanë, çfarë rruge po trasojmë për të ardhmen e qytetit. Kah e kemi vendos shigjetën e kahjeve tona, a mund të identifikohet ajo? Jo.
***
“përjetësinë e fitojnë njerëzit që i respektojnë prindërit e vet” thotë një fjalë e urtë. Prindërit në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe në atë të përgjithshëm. Nëse s duam ti respektojmë të tregojmë së paku një mirësjellje, mos ti fyejmë siç po e bëjmë ne sot. Si shenjë mirësjelljeje do të mundnim së paku që reklamën e dikurshme ta ripunojmë që të ndriçoi. Që të këtë një pozitë të respektueshme si simbol së paku. Mos ta lëmë ashtu të katandisur të shpërfillur e të strukur nën reklamën e njëfarë kafiterie, mos ta lemë si relike në mëshirën e kohës. Lë të dihet e kemi lënë aty pse duhet të jetë aty , apo thjeshtë ka mbetur aty e nuk i hyn kujt në punë është apo s`është.
(Opinion nga arkitetki Xhelal Llonçari)./Media Ndërtimi.