Connect with us

Featured

A do të shfaqim emancipim institucional dhe kulturor në ndërtimin e Kompleksit Shtetëror, Muzeut dhe Obeliskut të Lirisë?

Published

on

Me realizimin e këtyre tri projekteve, institucionet e Kosovës e kanë mundësinë ideale që të shfaqin zotimin që këto projekte publike do të shprehin frymën demokratike të vendit tonë dhe do të jenë dëshmi vizuale e dinjitetit, krenarisë, energjisë, ndërmarrësisë, transparencës dhe stabilitetit të shoqërisë dhe të institucioneve të Kosovës. Kjo është realisht fryma me të cilën, aleati ynë strategjik, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i qaset Arkitekturës Publike, apo siç e quajnë ata Arkitekturës Federale. Në asnjë rast, vendimmarrësit kosovarë nuk duhet t’ia lejojnë vetes luksin që të të lëshohen në aventura të kopjimit primitiv të projekteve megalomane dhe arrogante presidenciale apo qeveritare, të ndërtuara në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik – porositë arkitekti Arianit Bytyçi, përmes një kolumneje të tij të shkruar për Ndërtimi.info

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt

Arkitektura është akt politik. Ndërtesat përfaqësojnë qëndrime politike. Arkitektura është gjithherë e ndërlidhur me fuqinë dhe me interesat e mëdha, qofshin ato financiare apo politike. Arkitektura përdoret nga udhëheqësit politikë për të joshur, për të bërë përshtypje dhe për të frikësuar.

Janë këto vetëm disa nga cilësimet që arkitektë dhe kritikë të nivelit botërorë i japin për Arkitekturën dhe raportin e saj me politikën.

Këto ditë në një nga takimet e Qeverisë së Kosovës, në prag të shënimit të dhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, mes tjerash u riafirmua ideja e ndërtimit të një kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, siç u tha “si domosdoshmëri e kohës dhe e prezantimit real të zhvillimit të Kosovës”. Në të njejtën kohë, u prezantua edhe ideja e ndërtimit të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të lirisë.

Duke vlerësuar rëndësinë e realizimit të këtyre projekteve, dua të shpreh bindjen time se në të vërtetë ato duhet të prezentojnë zhvillimin e aspiruar të shoqërisë dhe të shtetit tonë, dhe jo zhvillimin real, që mbizotëron aktualisht tek ne. Dhe, për të arritur këtë synim, Arkitektura është instrumenti dhe mundësia më e mirë.

Pse e them Arkitektura? Sepse, Arkitektura është akt i optimizmit, Arkitektura ka të bëjë me shpresën, me ndryshimin! Kjo është thënë dhe është konfirmuar gjithmonë, decenie me radhë.

Në vendin tonë deri më tani projektet e ndërtesave apo kompekseve publike kryesisht janë trajtuar nga këndvështrimi rigjid teknik. Në shoqërinë kosovare edhe sot mbizotëron atmosfera ligjore, kulturore, ekonomike, ku ndërtimi nënkuptohet si proces tërësisht praktik dhe teknik. Fatkeqësisht, shoqëria dhe institucionet e Kosovës nuk e shohin ende ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike. Ky është një realitet që duhet ndryshuar, pikërisht përmes Arkitekturës.

Të shprehim frymën demokratike të vendit tonë përmes Arkitekturës Bashkëkohore

Me realizimin e këtyre Kompleksit shtetëror, të Muzeut dhe të Obeliskut, institucionet e Kosovës e kanë mundësinë ideale që të shfaqin zotimin që këto projekte publike do të shprehin frymën demokratike të vendit tonë dhe do të jenë dëshmi vizuale e dinjitetit, krenarisë, energjisë, ndërmarrësisë, transparencës dhe stabilitetit të shoqërisë dhe të institucioneve të Kosovës. Kjo është realisht fryma me të cilën aleati ynë strategjik, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i qaset Arkitekturës Publike, apo siç e quajnë ata Arkitekturës Federale.

Duke mishëruar këtë qasje demokratike, të shprehur përmes shpalljes së konkurseve ndërkombëtare të arkitekturës për këto projekte, Qeveria e Kosovës duhet t’i kushtojë rëndësi parësore që objektivat dhe parimet udhëheqëse të këtyre konkurseve të arkitekturës të mishërojnë frymën bashkëkohore arkitektonike të Kosovës.

Në mënyrë të veçantë, për Kompeksin rezidencial të institucioneve të Kosovës me seriozitetin më të lartë duhet të përgatitet një konkurs ndërkombëtar i Arkitekturës, me detyrë projektuese të studjuar mirë, e cila shfaq objektiva të qarta të arkitekturës bashkëkohore. Natyrisht, edhe kriteret e vlerësimit duhet të përcaktohen bazuar në objektivat dhe përmbajtjen e detyrës projektuese dhe të peshohen në mënyrë meritore dhe transparente. Po ashtu, këshilltarët profesional që do të koordinonin tërë procesin dhe pastaj edhe juria që do ta bëjë vlerësimin e projekteve duhet të jenë emra kredibilë dhe të mirënjohur botëror të arkitekturës së objekteve publike qeveritare. Dhe, emrat e tyre duhet të shfaqen në mënyrë transparente në publik, në mënyrë që kjo të ndikojë në krediblitetin e konkursit ndërkombëtar që do të shpallej dhe në të njejtën kohë në inkurajimin e pjesëmarrjes së arkitektëve nga mbarë globi. Kjo do t’i jipte vlerë konkursit dhe do ta bënte Kosovën një prej qendrave të promovimit të vlerave të arkitekturës bashkëkohore në botë.

Detyra projektuese për Kompleksin qeveritar në Prishtinën e Re duhet të japë përgjigje në dilemat se: Çfarë karakteri duhet të shfaqë projekti? Çka duhet të thotë ai për komunitetin? Çfarë funksione të mëdha organizative dhe funksionale duhet të përmbushë? Çka pritet nga struktura e objektit gjatë jetëgjatësisë? Si do t’i shërbejë institucioneve, shfrytëzuesve dhe komunitetit? Cilat janë veprimet aktive dhe pasive për mbrojtje nga zjarri, që duhet të ndërmirrën? Çfarë lloj zgjerimi duhet të akomodohet, nëse ka nevojë në të ardhmen? A ekziston ndonjë sfidë e veçantë projektuese së cilës objekti duhet t’i përgjigjet? Çfarë kërkesa janë bërë në lidhje me shfrytëzimin e energjisë, qarkullimin, marrëdhëniet publike-private, etj.? Me një fjalë, për çka shërben objekti? Si do t’i formësojë jetërat e njerëzve që do të jetojnë apo punojnë në të?

Në literaturën bashkëkohore, autorë të ndryshëm evropianë, për objekte publike qeveritare specifikojnë edhe disa faktorë tjerë të veçantë dhe esencialë, që duhet të respektohen gjatë projektimit të këtyre objekteve, që përfshijnë trajtimin e këtyre çështjeve të rëndësishme:

Si e shfrytëzon qeveria arkitekturën për të prezantuar vetveten?; Si i shfrytëzon ajo objektet për të prezantuar shërbimet e saj para qytetarëve?; A duhet ky prezentim arkitektonik të jetë dominues, neutral ose i vetëdruajtur, kokëlartë, i rezervuar, perceptues ose miqësor, i inspiruar në vetëbesim ose i përkohshëm, kalimtar apo jetëshkurtër?; Çfarë domethënie dhe çfarë metafora do të lejohen që objekti të shpreh këto karakteristika të ndryshme?; Si do të ndërlidhet objekti me hapësirën publike?; A do të kontribuojë në determinimin, aranzhimin dhe karakterin e hapësirës publike?; A shpreh objekti publik një këndvështrim të caktuar të kulturës apo të shoqërisë?; A krijon objekti një prezentim se si shoqëria funksionon ose se si duhet të funksionojë?; A ka objekti kualitet të mjaftueshëm poetik ose a është mjaftueshëm inovativ për të shërbyer si një shembull i mirë?

Kompleksi qeveritar në Prishtinën e Re – të krijojë identitet origjinal dhe të vërtetë bashkëkohor të kulturës sonë

Nëse Qeveria e Kosovës synon që të realizojë një kompleks të mirëfilltë bashkëkohor qeveritar, i cili do të prezantonte frymën bashkëkohore dhe emancipuese që aspiron vendi ynë, atëherë konkursi ndërkombëtar i arkitekturës për këtë kompeks qeveritar duhet t’i trajtojë dhe në të njejtën kohë të stimulojë krijuesit arkitektë nga e mbarë bota që të trajtojnë çështjet e lartpërmendura në mënyrë profesionale, me zgjidhjet e tyre kreative.

Arkitektura ka të bëjë me përmirësimin e kushteve: mjedisore, sociale dhe nganjëherë edhe atyre politike, – thotë Arjen Oosterman. Përderisa, kritiku Paul Golderberger potencon faktin se Arkitektura është përfaqësimi themelor fizik i një kulture, më shumë sesa madje edhe flamuri i saj. Shtëpia e Bardhë, Kapitoll Hilli, Piramidat, Kulla e Ajfelit, Porta e Brandenburgut, Shtëpia e Operës në Sidnej, Empire State Building, Golden Gate Bridge janë vetëm disa shembuj kuptimplotë që dëshmojnë rëndësinë e përfaqësimit të kulturës dhe identitetit të një shoqërie përmes Arkitekturës.

Kompleksi qeveritar në Prishtinën e Re duhet të krijojë identitet origjinal dhe të vërtetë bashkëkohor të kulturës sonë dhe aspiratave tona emancipuese perëndimore. Në asnjë rast, vendimmarrësit kosovarë nuk duhet t’ia lejojnë vetes luksin që të joshen apo t’iu imponohet përzgjedhja e projektit në frymën e projektit maqedonas të ndërtesave dhe hapësirave publike “Shkupi 2014”, një projekt tashmë i komprometuar arkitektonikisht dhe kulturalisht në arenën ndërkombëtare. Apo, të lëshohen në aventura të tjera të kopjimit primitiv të projekteve megalomane dhe arrogante presidenciale apo qeveritare, të ndërtuara në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Dhe, në fund, por jo më pak e rëndësishme: Kompleksi rezidencial i institucioneve të Kosovës dhe dy projektet tjera të proklamuara, Muzeu dhe Oblelisku nuk duhet trajtuara me praktikën e tenderëve të shërbimeve të projektimit, ku kriter kryesor është çmimi më i lirë i ofertuesve, ashtu siç trajtohet edhe furnizimi me tonerë i një institucioni. Për Kompeksin Qeveritar, Ministria e Administratës Publike duhet të shpallë konkurs ndërkombëtar të arkitekturës të përgatitur me seriozitetin më të lartë, praktikë të cilën duhet ta zbatojë edhe Ministria e Kulturës për projektet e Muzeut të Pavarësisë dhe të Obeliskut të Lirisë.

Vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojmë emancipimin tonë institucional, kulturor dhe shoqëror për realizimin me sukses të këtyre projekteve madhore publike! Mbi të gjitha Arkitektura është emancipim! A do të kemi dije dhe guxim që ta arrijmë këtë, mbetet të shihet!

Featured

Kompanitë kosovare ftohen të respektojnë Ligjin gjerman të furnizimit

Published

on

Ligji Gjerman i Zinxhirit të Furnizimit (Lieferkettensorgfaltspflichtengesetz – LkSG) ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit më 1 janar 2024, duke zgjeruar fushëveprimin e tij për të mbuluar të gjitha kompanitë në Gjermani me mbi 1000 punonjës.

Zgjerimi do të shtojë rreth 2,000 kompani gjermane në kuadrin rregullator. Këto kompani do të aplikojnë kriteret që parashihen me ligj përgjatë gjithë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe tek furnitorët jashtë Gjermanisë. Përfshirë këtu kompanitë nga Kosova që janë furnitorë të kompanive gjermane, apo që synojnë të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në vitin 2021 dhe zyrtarisht hyri në fuqi më 1 janar 2023, duke iu kërkuar kompanive gjermane të plotësojnë kritere për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjet mjedisore në zinxhirët e tyre të furnizimit global.

Ligji implementohet në tri faza: Në fazën e parë, ligji gjerman u aplikua për kompanitë me mbi 3000 punonjës në Gjermani. Përafërsisht 900 kompani të mëdha gjermane u detyruan ta zbatojnë ligjin.

Në vitin e parë të zbatimit, Zyra Federale për Çështjet Ekonomike dhe Kontrollin e Eksportit (BAFA) ishte përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit. BAFA kreu 486 inspektime të kompanive të mëdha për të vlerësuar pajtueshmërinë. Vlerësimi i përgjithshëm i BAFA ishte pozitiv, duke gjetur se kompanitë ishin përgjithësisht të suksesshme në krijimin e sistemeve dhe proceseve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e Ligjit në fazën e parë.

Megjithatë, zgjerimi i zbatueshmërisë së Ligjit Gjerman të Zinxhirit të Furnizimit në ndërmarrjet e  mesme pritet të paraqesë më shumë sfida.

Kompanitë kosovare që nuk i zbatojnë kushtet e parapara me këtë ligj, nuk do të mund të vazhdojnë apo fillojnë eksportin në Gjermani.

Continue Reading

Aktuale

‘Autostrada Hangar’ do të hapë dyert për publikun më 5 Mars 2022

Published

on

Autostrada Hangar synon të gjenerojë bashkëjetesë mes komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip dhe do të përdoret veçanërisht për të plotësuar nevojën urgjente të një edukimi joformal dhe programeve të ndërtimit të aftësive në mënyrë që të fuqizojë të rinjtë në Kosovë dhe rajon.

“Edhe pse hapësira jonë u përdor si një nga ambientet kryesore të edicionit të tretë në 2021, ku patëm një vit mjaft të suksesshëm me ekspozitën tonë ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, më 5 mars ajo do të jetë gati të hapë dyert e saj me një dizajn i ri dhe një program vjetor.

Deri më tani, ne kemi qenë të përkushtuar për të institucionalizuar “Autostrada Hangar” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren përmes krijimit të një programi publik vjetor bazuar në nevojat e komuniteteve dhe partnerëve duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes, duke e bërë programin të hapur për komunitete të ndryshme dhe më shumë. ekologjikisht të qëndrueshme”, shkruan në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve shpallë zgjedhjet për kryetar

Published

on

Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, njofton se duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 27, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2020, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e AAK-së

Kuvendi zgjedhor i Asociacioni i Arkitektëve kosovar, do të mbahet të mërkurën, më 30.03.2022 nga ora 17:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës – Prishtinë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurrencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 33, të statutit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending