Connect with us

Aktuale

Fajdetë në fushën e ndërtimit dhe patundshmërive nuk janë më raste të izoluara, bëhen “të ligjshme” me noter!

Published

on

I fshehur pas kontratave për njohje të borxheve të vjetra, shit-blerjeve të aksioneve apo pasurive të paluajtshme, tregu i paligjshëm i fajdeve po e kanalizon paranë e pistë drejt bankave si të ligjshme. Ekspertët gjykojnë se ka të dhëna që dëshmojnë se “fajdetë” po përdoren nga grupet kriminale, duke krijuar një “ekonomi paralele”.

Lulëzimi i fajdeve ndihmohet nga terreni i vështirë, në të cilin po lëviz ekonomia shqiptare. Si pasojë, ato biznese, që nuk gjejnë rrugë ligjore për të marrë kredi nëpër banka për shkak të kritereve të rrepta, i drejtohen aktivitetit të paligjshëm të fajdeve.

Fajdet me noter

Policia e Shtetit arrestoi shtetasin kosovar, Qerim Krasniqi, me dyshimet se kishte mashtruar një biznesmen që vepronte në fushën e hotelerisë në Tiranë.

Kur çështja shkoi në gjykatë, u zbulua se përveç mashtrimit për marrjen e një shume me premtimin e investimeve në kripto-monedha, ishin dhënë edhe pará me interes.

Para gjykatës Krasniqi pranoi se shuma e marrë ishte 70 mijë euro, por për shkak të interesit kontrata ishte firmosur jashtë zyrës për 160 mijë euro, raporton INA MEDIA.

Kontratat noteriale u konstatuan se ishin përdorur si mjet për të ligjëruar paratë dhe pronat e fituara nga fajdetë, edhe në dosjen voluminoze në Shkodër.

Dhjetëra kontrata noteriale, të firmosura me persona që nuk ekzistonin apo që ndodheshin jashtë vendit, por edhe me identitetet reale të përfituesve, u gjetën si fiktive dhe të bëra në shkelje nga noterët.

Nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Laçej, pranon për INA MEDIA-n se rastet, kur fajdexhinjtë kërkojnë të noterizojnë borxhet, kohët e fundit janë shtuar. Megjithatë, ai shton se ato kanë ekzistuar gjithmonë në shoqërinë tonë dhe noterët nuk kanë shumë për të bërë në këto raste.

“Është një problem goxha i zgjeruar kohët e fundit. Janë të shumta rastet. Kryesisht vijnë si deklarata për njohjen e një borxhi ose dhënie huaje”, – thotë Laçej, i cili shton se noteri nuk mund t’i refuzojë, por ka detyrimin t`iu kujtojë ligjin.

Noteri ka detyrimin t’iu kërkojë palëve që çdo gjë të jetë formale, t`iu sugjerojë që transaksionin ta bëjnë në bankë, si dhe që shuma nuk duhet të përmbajë përqindje”, – sqaron ai.

Ligji për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i detyron noterët, në rastet kur shumat janë të mëdha, të vënë në dijeni Drejtorinë e Pastrimit të Parave.

Kontratat për njohje borxhi kanë qenë më të shpeshta, në kohën kur të hapura kanë qenë lotot dhe bastet. “Vinin gjithmonë pasdite, deklaronin vlera të ulëta dhe bënin disa deklarata të tilla në noterë të ndryshëm, që vlera monetare të mos kalonte 1 milion lekë të reja,kështu noteri nuk e deklaron si pará fizike në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, – shpjegon Elona Saliaj, notere.

Dy qytetarë në Tiranë, të lidhur me tregun e fajdeve, si persona që kanë marrë pará me interes, thonë se sjellja e personave, që japin fajde, ndryshon në raport me ata që i marrin ato.

“Personat që kanë garanci, marrin trajtim më të mirë. Nëse ke një pronë, të cilën e lë garanci, edhe përqindja javore është më e ulët dhe toleranca në pritje më e gjatë”, – tregon në kushtet e anonimatit i riu, afër të 35-ave. Ai u përfshi në rrjetën e marrjes së parave me fajde për shkak të lojërave të fatit dhe iu deshën të paktën 6 vite për të dalë nga skema.

“Ditën që ke këstin, ata të marrin në telefon. Personat, që nuk japin garanci dhe janë të përfshirë për shkak të bixhozit, marrin përqindje më të larta dhe, nëse kalon data, shkon deri në 500 euro dita”, – tregon më tej ai.

Një sipërmarrës në fushën e ndërtimit rrëfeu gjithashtu se për disa vite me radhë kishte qenë i lidhur me disa persona nga Laçi, nga të cilët merrte pará me fajde për menaxhimin e biznesit.

“Në këto vite 400 mijë euro kanë qenë vetëm interesat e paguara”, – tregon ai për INA MEDIA-ndhe shton se përqindja ka qenë deri në 7%.

Fajdetë në fushën e ndërtimit nuk janë më raste të izoluara. Për noterin Fatmir Laçej, edhe pse në këtë sektor shkohet shumë rrallë drejt kontratave noteriale për shkak të shumave marramendëse, fenomeni është i ditur.

“Rastet, kur ato futen në sipërmarrjet e ndërtimit, janë të zhvilluara, por pak të evidentuara nga noterët, pasi bëhet fjalë për shifra jo të vogla. Zakonisht marrëveshja bëhet mes njëri-tjetrit dhe pagesa bëhet në natyrë, me sipërfaqe ndërtimi”, – shpjegon ai.

Por, një pjesë e qytetarëve shkojnë drejt fajdeve për shkak të lehtësirave në kohë.

“Marrësit e fajdeve në të shumtën e rasteve janë hallexhinj, por edhe persona që kanë nevojë për pará, pasi bëjnë jetë mbi kapacitetet e tyre financiare. Ata kanë ambicie për të kapur paranë e madhe, bixhozxhinj apo përdorues droge”, – thotë Lutfi Minxhozi,

Lehtësirat në lëvrimin e parasë shihen si “kurthi” që gjithnjë e më shumë po i drejton qytetarët drejt parave në dorë, me interes.

“Një fajde e merr për një orë, për një kredi të duhen të paktën 3-4 ditë minimumi. Një fajde e merr thjesht me njohje, pa pasur nevojë të paraqesësh prova kolaterali, analizë të ardhurash, mbështetje kolaterale etj.; një fajde e merr, edhe nëse ke marrë 3,4 apo 5 fajde të tjera apo nëse ke qenë apo jo korrekt me shlyerjen e lekëve te fajdexhinjtë e tjerë”, – argumenton Pano Soko.

Sipas tij, fenomeni i fajdesë lidhet me “tablonë e panoramës së vendeve të pazhvilluara” apo vendeve të varfra, me nivel kulturor dhe emancipim të ulët,financiar, por me nivel të lartë informaliteti dhe institucione të dobëta, ligjzbatuese.

“Ky është sfondi, ku këto fenomene gjejnë tokë pjellore për t`u rritur”, – përfundon ai.

Të dhënat e Policisë së Shtetit, të siguruara nga INA MEDIA nëpërmjet kërkesave për informim, tregojnë një trend rritës të referimeve në prokurori gjatë 4 viteve. Në vitin 2019, policia thotë se ka zbuluar në të gjithë vendin 39 raste të dhënies së parave me fajde, me 64 autorë, mes të cilëve 29 janë arrestuar. Në vitin 2020, numri i rasteve të zbuluara është 49, me 56 autorë. Në vitin 2021, janë zbuluar 54 raste, me 60 autorë dhe viti 2022 duket se ka kurbën më të lartë. Deri në muajin shtator janë zbuluar 49 raste dhe janë referuar 66 autorë.

Në rast të moskthimit të parave të marra hua, në këtë rast me fajde, atëhëer personat jan të detyruar, që të lënë peng pasuritë, si dyqane, objekte banesore, automjete dhe gjëra tjera me vlerë”, – theksohet në materialin hetimor të Policisë./Media Ndërtimi.

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës merr pjesë në punimet e konferencës Evropiane të arkitektëve

Published

on

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës mori pjesë në 2 nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për arkitekturën Evropiane: në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Arkitektëve të Evropës #ACE ku Republika e Kosovës, për herë të parë prezantoi temat me rëndësi të komunitetit të Arkitektëve dhe kërkoi përkrahje nga #architectscouncilofeurope në ato tema.

Poashtu, përfaqësuesit e Asociacionit – Kryetari Masar Dushi dhe nënkryetari Bledion Baraliu, morën pjesë edhe në punimet e konferencës Evropiane me temën ‘Internationalisation of the architectural profession & the Neë European Bauhaus’.

Me globalizimin e ekonomisë dhe progresin teknologjik, firmat arkitekturore tani kanë mundësi më të mëdha për të bashkëpunuar dhe punuar në projekte përtej kufijve, brenda Bashkimit Evropian dhe globalisht.

Sipas edicionit të fundit të Studimit të Sektorit ACE, në vitin 2022 5% e arkitektëve evropianë punonin në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe dy për qind jashtë BE-së. Studimi zbulon gjithashtu se gjatë vitit të kaluar, 16% e të anketuarve kishin menduar seriozisht të punonin në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe 6% jashtë Evropës, megjithatë pa marrë masa. Për më tepër, një numër në rritje i arkitektëve trajnohen në vende të ndryshme nga vendi i tyre, duke treguar një interes të vërtetë dhe një kapacitet në rritje të profesionit për të lëvizur përtej kufijve. Prandaj, ka çdo arsye për të besuar se potenciali për ndërkombëtarizim të mëtejshëm të profesionit është i fortë, me kusht që profesionistët të mund të gjejnë mbështetjen e duhur.

Konferenca kishte për qëllim të diskutojë sfidat e qenësishme të punës ndërkufitare dhe eksportit të shërbimeve dhe të paraqesë zgjidhje për të kapërcyer barrierat që hasin profesionistët, duke përfshirë mjetet dhe skemat e ofruara nga Bashkimi Evropian; udhëzim i zhvilluar nga Këshilli i Arkitektëve të Evropës; dhe mbështetjen e ofruar nga organet profesionale në nivel kombëtar. Arkitektët që kanë zhvilluar me sukses biznesin e tyre ndërkombëtarisht do të ndajnë gjithashtu përvojën e tyre. ACE mbështet fuqimisht lëvizjen e Re Bauhaus Evropian të iniciuar nga Komisioni i BE-së, pasi ajo ndihmon për ta bërë cilësinë e mjedisit tonë të jetesës një çështje të interesit publik dhe e ngrit arkitekturën në një nivel politik të paprecedentë. Përtej perspektivave të biznesit dhe sipërmarrjes, konferenca do të ofrojë gjithashtu një mundësi për të diskutuar rëndësinë e vlerave, temave dhe parimeve NEB për pjesë të tjera të botës dhe të theksojë vlerat e përbashkëta që bashkojnë profesionin në të gjithë botën./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Qytetarët kërkojnë vazhdimin e subvencionimit të energjisë elektrike

Published

on

Qytetarët që blenë pajisje efiçiente elektrike përmes subvencionimit nga Ministria e Ekonomisë thonë se kjo ka ndikuar në kursimin e energjisë elektrike. Njohësit e fushës së efiçiencës thonë se subvencionimi i këtyre pajisjeve duhet të vazhdojë në masë më të madhe, ndërkaq subvencionimi i faturave ka qenë e gabuar dhe “para e djegur”.

Preportr përmes platformës ECR ka realizuar një anketim online me qytetarë lidhur me ndikimin që mund ta ketë pasur subvencionimi i pajisjeve elektrike në kursimin e energjisë. Në pyetjet e parashtruara janë përgjigjur 145 qytetarë. Mbi 49 për qind e tyre kanë thënë se janë përfitues të pajisjeve efiçiente.

Në bazë të përgjigjeve, qytetarët më së shumti duket se janë të kënaqur me klimat efiçiente. Në pyetjen se sa ka ndikuar kjo pajisje që të shpenzoni më pak energji elektrike, 36.3% kanë deklaruar se ka ndikuar mesatarisht, 31.8% se ka ndikuar shumë, 25% se ka ndikuar pak dhe 6.8% se nuk ka ndikuar fare. Ndërsa, për pompat termike 42% e respondentëve kanë thënë se ka ndikuar mesatarisht, 25% se ka ndikuar shumë dhe 25% se nuk ka ndikuar fare.

Mbi 86% e respondetëve kanë thënë se qeveria duhet të vazhdojë subvencionimin e pajisjeve efiçiente për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa në pyetjen se a duhet të subvencionohen faturat e energjisë elektrike, pra që një pjesë të paguhen nga qeveria, 41.7% e respoendetëve janë shprehur se qeveria duhet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike.

Një pjesë e respondentëve kanë komentuar në pyetësor se duhet të hiqet pragu prej 800 kilovatë, sepse ky shpenzim bëhet brenda pak ditëve nëse përdorët pompa termike. Nëse shpenzohen më pak se 800 kilovatë, çmimi për një kilovat është 7.9 centë, ndërsa nëse shpenzohen më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi për një kilovat në këto raste kostoja llogaritët 14.25 centë.

Lidhur me këtë bllok tarifë prej 800kw ka mendime dhe qasje të ndryshme, e para që stimulon qytetarët që kursejnë energjinë elektrike, por në anën tjetër një pjesë kërkon ky prag të hiqet, pasi që është një penalizim për qytetarët që nuk kanë opsione tjera për ngrohje ndërkaq kostoja është e lartë. Edhe kur është vendosur nga ZRrE për këtë prag ka pasur diskutime dhe propozime të ndryshme.

Burim Ejupi thotë se INDEP ka sugjeruar ndarjen e tarifës së energjisë elektrike në tre blloqe, me qëllim të adresimit të nevojave të ndryshme të konsumit. Propozimi i INDEP-it ishte që të përdoret një sistem ku deri në 600 kilovatë përfshin konsumin normal të një familjeje brenda një muaji, për shembull, në raste kur përdoret ngrohja qendrore e qytetit. Për sasinë e energjisë nga 600 deri në 1200 kilovatë-orë, e kemi menduar për ekonomitë familjare që ngrohen me energji elektrike, veçanërisht ato që nuk kanë qasje në forma alternative ngrohjeje.

“Ndërsa, çdo konsum mbi 1200 kilovat-orë e konsiderojmë si shpenzim luksi, dhe për këtë arsye, çdo konsumator që e tejkalon këtë limit do të përballët me një tarifë më të lartë. Ndarja e tillë me tre blloqe siguronte edhe që të gjithë të ndjenin rritjen e të mos kishte dallime të mëdha nga 800 në mbi 800 siç ndodhi me faturat e janarit, por edhe rritja të ishte graduale dhe e përballueshme sidomos për konsumin nën 1200 kilovatë”, thotë Ejupi.

Lidhur me këtë çështje profesori i fushës së energjisë Agron Dida thonë se pragu ndikon që të kursehet më shumë energjia elektrike. Ai thotë se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë vetëdijesim të qytetarëve për ta kursyer energjinë elektrike.

“Në sistemin edukimit fillor dhe të mesëm duhet të mbahen ligjërata të veçanta të disa lëndë, e që fokusi të jetë në kursimin e energjisë elektrike dhe energjisë në përgjithësi”, thotë Dida.

Ai thotë qeveria duhet të mundësojë sa më shumë subvencionim në izolim apo pajisje elektrike në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente është shumë i nevojshëm. Në anën tjetër duhet të ndalohet me ligj importimi i disa pajisjeve që nuk janë në përputhje me standardet efiçiente dhe që shpenzojnë shumë energji elektrike. Ato duhet t’i eliminojmë nga tregu”, thotë Dida./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

’53 milionëshi’ – Pse Gjykata e Prishtinës vendosi që kompensimi të zgjidhet në kontest juridiko-civil

Published

on

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor ish-ministrin Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, ushtruesin e detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretarin e MI, Nebih Shatri lidhur me rastin e ‘53 milionëshit’.

Në shpallje të aktgjykimit më 31.01.2024 trupi Gjykues me kryetaren Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë marrë vendim që lidhur me dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga katër të akuzuarit, të zgjidhet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pra themelorja nuk kishte marrë vendim lidhur me dënimin plotësues që prokuroria e kishte propozuar në aktakuzë.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që katër të akuzuarit të urdhërohen që në mënyrë solidare të bënin kompensimin e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Sipas arsyetimit që ka nxjerrë themelorja më datë 20.03.2024 thuhet se Gjykata nuk kishte vendosur lidhur me dënimin plotësues pasi që pala e dëmtuar, avokatura shtetërorë kishte kërkuar nga Gjykata që rasti të referohet në kontest të rregullt civil.

“Gjykata ka vendosur që pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore e Kosovës, pranë Ministrisë së Drejtësisë, të udhëzohet për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Ngase e njëjta përmes parashtresës së datës 22.11.2022 kishte kërkuar nga Gjykata që të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për shkak se këtë të drejtë do ta realizonin në procedurë të rregullt”- thuhet në Aktgjykim.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Valdet Gashi dhe Atdhe Dema, përpos kompensimit të dëmit kishte kërkuar si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, për të pandehurit që do të shpallen fajtor.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Kallxo.com kishte thënë se çështja e dëmshpërblimit për rastin e ‘53 milionëshit’ është çështje e Gjykatës për të cilën “nuk mund të përzihen”.

Durmishi kishte deklaruar për Kallxo.com se varësisht se si përfundon si proces do të shohin se çfarë vendime do të marrin si Ministri.

“Kjo është çështje e Gjykatës dhe në vendime të Gjykatës nuk mund të përzihem. Janë dy raste të ndara, nuk është vetëm çështja e 53 milionëshit, është çështja edhe e 44 milionëshit, njëra është që janë paguar 53 milionë në emër të dëmshpërblimit në kohëzgjatje të afatit të kryerjes së punimeve, dhe tjetra është 44 milionë për punë shtesë edhe pse kontrata ka qenë me “çelësa në dorë” që nuk lejohet të ketë punë shtesë. Pra gjithsej 96 milionë, i mbetet gjykatave të marrin vendime meritore” – kishte thënë Durmishi në një prononcim për Kallxo.com./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending