Connect with us

Aktuale

Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve të akuzuar për 53 milionë euro të autostradës

Published

on

Sot mbahet seanca gjyqësore në rastin ku i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është Pal Lekaj, ish-ministër i Transportit, Eset Berisha, ish-këshilltar i ministrit, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj  dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj të lartcekurave.

Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”,  me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit R6 “, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Rregulloren nr.02/2011 të Qeverisë së RKS-së si dhe Statutin dhe Kodin e Sjelljes së Komitetit Drejtues Ndërministror.

Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE “Bechtel & Enka” si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017,  detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSH-së prej 18% arrin shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro. /Media Ndërtimi.

Aktuale

Festivali të Arkitekturës dhe Dizajnit ‘Concéntrico’, shënon edicionin jubilar në Spanjë

Published

on

Nga 25 prilli deri më 1 maj 2024, në qytetin spanjoll Logroño, Concéntrico përgatitet për edicionin e tij të 10-vjetorit. I parashikuar si një soditje e ndryshimit të mjediseve urbane dhe një mundësi për të ndarë njohuri rreth këtyre proceseve, Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës dhe Dizajnit të këtij viti përfshin formate të reja për të angazhuar një audiencë më të gjerë dhe për të eksploruar kohën si një katalizator për ndryshimin në dizajnin urban dhe social.

Festivali zgjeron programin e tij, duke shfaqur 21 instalime nga dizajnerë të 20 kombësive të ndryshme, përveç disa nismave dhe eksplorimeve të tjera.

Instalacionet urbane përfaqësojnë ndoshta aspektin më të dukshëm dhe më tërheqës të festivalit, duke eksploruar temën përmes dizajnit dhe duke synuar të gjenerojë ndërveprime midis arkitektëve dhe publikut më të gjerë. Që nga viti 2015, festivali ka krijuar mbi 120 instalime urbane.

Këtë vit, arkitektët dhe projektuesit e ftuar propozojnë një shumëllojshmëri të gjerë qasjesh, nga rinatyrëzimi i hapësirave publike, tek riinterpretimi i metodave popullore, ripërdorimi i materialeve nga botimet e mëparshme, krijimi i eksplorimeve përmes lëvizjes ose sfidimi i konceptit të strehimit. Eksploroni listën e plotë të instalimeve urbane të ardhshme të përgatitura për këtë edicion.

Edicionet e mëparshme të festivalit mirëpritën ndërhyrje nga dizajnerë të njohur dhe të ardhshëm, duke përfshirë Studio Ossidiana, Tudor Vlāsceanu Architect, Rintala Eggertsson Architects ose Piovenefabi. Duke hapur biseda rreth komunitetit dhe identiteteve lokale, si dhe çështjeve të përfshirjes, ndryshimit të përkufizimeve të familjeve apo sfidave të ekologjisë, festivali përfaqëson një mundësi për eksplorim përmes dizajnit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës për periudhën 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending