Përurohet ura e ndërtuar nga FSK-ja në Zemblak të Korçës

0

Është përuruar sot  mbi lumin Devoll në Zemblakun të Korçës , e cila u ndërtua nga Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pasi që pas vërshimeve të dhjetorit ura ekzistuese ishte dëmtuar.

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se FSK me ndërtimin e urës 54 metra të gjatë ka bërë lehtësimin e komunikimit të 32 mijë banorëve të kësaj zone me qendrat shëndetësore, me shkollat dhe me akset kryesore rrugore.

“Përmes ndërtimit të kësaj ure keni lehtësuar komunikimin e 32 mijë banorëve me qendrat shëndetësore, me shkollat, me lëvizjen e lirë dhe komunikimin me akset kryesore rrugore që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën dhe për përditshmërinë e kujtdo. 32 mijë banorë të cilëve ju keni ardhur në ndihmë nuk janë pak ndaj unë kam një falënderim nga zemra për ju dhe jo thjeshtë vetëm për faktin që jeni vëllau i mirë që na gjendeni në ditë të mira dhe të vështira, kjo është reciproke. Por, edhe për faktin që jeni tani më dhe ky është një tregues i faktit që jeni një partner i besueshëm dhe jo vetëm për ne por për të gjithë rajonin dhe ne jemi krah jush dhe do të ju mbështesim hap mbas hapi. Së pari, në transformimin e FSK-së në një Forcë të Armatosur dhe pastaj në rrugën e natyrshme drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, tha ministrja.

Ministrja Xhaçka shprehu falënderimin e saj për FSK-në  dhe Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e kësaj ure duke thënë se kjo urë tash e tutje do të njihet si ura e Kosovës.

“Jam shumë e lumtur që ky 10 vjetor i pavarësisë së Kosovës na gjen bashkë duke ndërtuar ura në frymën më të mirë të bashkëpunimit dhe duke ju ardhur në ndihmë qytetarëve tanë. Qytetarët jo vetëm të Zemblakut por të gjithë zonës këtu dhe të bashkisë, si dhe të fshatrave rrotull ta gëzojnë këtë urë. Dua t’iu them iu lumshin duart të gjithë efektivëve ushtarak të FSK-së që morën pjesë në ndërtimin e urës dhe shpresojë shumë që nga ky moment kjo të mos njihet më si ura e Zemblakut, por si ura e Kosovës, me kontributin e ushtarakëve të FSK-së”, u shpreh ajo. Për të përuruar këtë urë të ndërtuar nga FSK në Zemblak ishte edhe zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, i cili tha se është nder dhe krenari që të ndihmojnë Shqipërinë.

“Ne nga Kosova e kemi për nder dhe krenari me marrë ndihmën e Shqipërisë, por po ashtu edhe me ofru ndihmë për Shqipërinë në këtë përvjetor të 10 të pavarësisë së Kosovës. Bashkëpunimi që është shembull jo vetëm në këtë fushë, por në të gjitha fushat me Shqipërinë. Sigurisht shpresojmë që gjendje emergjente të ketë sa më rrallë dhe sa më pak”, tha Ramadani.

Ai u shpreh i bindur se bashkëpunimi në mes dy shteteve do të jetë i vazhdueshëm.Nder dhe kënaqësi që FSK ka ndihmuar banorët e Zemblakut tha të jetë edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama.

“Është nder dhe kënaqësi për neve që kemi mundësi që me këto kapacitete që i kemi që të ju dalim në ndihmë këtyre qytetarëve dhe këtij komuniteti që ta kenë një lëvizje të lirë. Ne me këto mundësi të vogla që i kemi pasur nuk krahasohet përkrahja që e kemi pas nga shteti shqiptar, nga autoritetet shqiptare edhe në kohërat më të vështira. Shpresojmë që mos të kemi nevojë më për kësi gjëra, por pavarësisht ne si Forcë jemi shumë profesional dhe keni parë është dëshmia më e mirë që është ndërtuar kjo urë. Ne sadopak atë ndihmën që e kemi pasur në kohërat më të vështira që e kemi pasur nga ana e shtetit shqiptar, nga Forcat e Armatosura po mundohemi që ta kthejmë”, tha Rama.

Ndërtimi i urës së Zemblakut është realizuar nga data 3 deri me 10 shkurt.

REKLAMA